Albania Fashion Week Prill 2026, sfida për të ndërtuar një industri mode në Shqipëri

11 Min Read

Nga pasarela te backstage, edicioni i dytë i Albania Fashion Week solli koleksione nga stilistë vendas dhe ndërkombëtarë, duke reflektuar një skenë mode me potencial, por ende në zhvillim.

Albania Fashion Week  mblodhi në Tiranë stilistë nga Shqipëria, rajoni dhe Europa, duke prezantuar koleksione që lëviznin mes elegancës, konceptit dhe eksperimentimit. Përtej pasarelës, ky edicion nxori në pah një realitet më të gjerë: një industri mode në Shqipëri që është ende në proces ndërtimi, mes potencialit krijues dhe mungesës së një strukture të konsoliduar.

Albania Fashion Week, e organizuar nga Albanian International Fashion Federation (AIFF) dhe e themeluar nga Gentiana Dervishi, u rikthye në edicionin e saj të dytë pas debutimit në tetor 2025, me synimin për të krijuar një platformë që lidh skenën lokale me atë ndërkombëtare të modës.

Gjatë këtij edicioni, 14 stilistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Italia prezantuan koleksionet e tyre, duke krijuar një përbërje që ndërthurte talente të reja me emra më të konsoliduar. Disa prej tyre, si Etnik Shala, kanë arritur tashmë të depërtojnë në skenën ndërkombëtare, duke prezantuar koleksionet në London Fashion Week dhe më pas në Milano Fashion Week.

Të organizosh një platformë si Albania Fashion Week nuk është thjesht të ndërtosh një event. Është një përpjekje për të krijuar një sistem të tërë, që në këtë fazë mbetet ende i brishtë. Në një kontekst ku industria e modës në Shqipëri është ende në zhvillim, çdo përpjekje për të ndërtuar një strukturë të qëndrueshme përballet me sfida që janë të natyrshme për një fazë fillestare. Në një farë mënyre, kjo është një përpjekje për të shkruar hapat e parë të një historie që ende nuk ka marrë formë të plotë.

Një industri që po mëson të ndërtohet

Kjo brishtësi reflektohet jo vetëm në organizim, por edhe në mënyrën se si moda trajtohet dhe kuptohet. Për një kohë të gjatë, mbulimi mediatik ka qëndruar më shumë në sipërfaqe, shpesh i lidhur me aspektin promovues, sesa me një përpjekje për ta lexuar modën si industri.

Në këtë edicion, vihet re një ndryshim gradual. Ka më shumë përpjekje për të krijuar identitet, për të ndërtuar narrativë dhe për të dalë përtej prezantimit të thjeshtë të veshjeve. Ky është një tregues i rëndësishëm që jo vetëm dizajnerët, por edhe media dhe publiku janë në një proces zhvillimi. Moda në vend nuk është ende një sistem i konsoliduar, por është në lëvizje dhe me gjasa në drejtimin e duhur.

Pasarela: mes elegancës, konceptit dhe eksperimentimit

Në pasarelë, koleksionet lëviznin mes disa drejtimesh të dallueshme, që reflektonin qasje të ndryshme ndaj modës.

Disa prej tyre sillnin një elegancë më të njohur për publikun, me silueta të pastra dhe materiale që theksonin lëvizjen dhe lehtësinë e veshjes. Të tjera shkonin drejt një qasjeje më konceptuale, ku maskat, strukturat dhe format e ndërtuara largoheshin nga forma klasike e trupit. Një pjesë tjetër eksploronte materialin dhe volumet, duke krijuar veshje që funksiononin më shumë si prezencë vizuale sesa si veshje e përditshme.

Veshjet me volum të theksuar, si fustanet dramatike në ngjyrë të kuqe të Armela Harizit apo Clarissa Vulaj me markën LUVA, si dhe strukturat e bardha të ndërtuara nga Xheksil Muça me markën PLISI, krijonin një impakt të menjëhershëm. Në të njëjtën kohë, elementet konceptuale si maskat apo aplikimet me perla e zhvendosnin fokusin nga veshja si produkt drejt veshjes si ide.

Ndërsa disa kombinime më editoriale, të ndërtuara përmes materialeve si ari apo përmes përdorimit të dritës, krijonin imazhe që shkonin përtej pasarelës dhe afroheshin me estetikën e fotografisë së modës, si në rastin e koleksionit të stilistes malazeze Marina Banovic.

Në një drejtim tjetër, por po aq i fortë në përmbajtje, ishte koleksioni i Etnik Shalës. Përtej strukturës dhe ndërtimit të veshjeve, ky koleksion mbante një mesazh të qartë dhe personal.

I titulluar ‘SCAR’ (plagë), koleksioni ndërtohet mbi një qasje introspektive, që lidhet me përvojën e vetë stilistit në rrugëtimin e tij profesional. Kjo ‘plagë’ nuk trajtohet në mënyrë sipërfaqësore, por si një proces real përballjeje dhe ndërtimi, që shoqëron zhvillimin e një krijuesi.

Ky koncept u përkthye jo vetëm në veshje, por edhe në mënyrën si u prezantua në pasarelë. Në një nga momentet më të forta, një modele e veshur me një fustan të bardhë u përfshi në një performancë ku mbi veshje u përdor bojë e kuqe, në mënyrë simbolike, duke krijuar imazhin e një plage që rrjedh.

Ky element skenik, me një qasje pothuajse teatrale, e bënte të qartë mesazhin e koleksionit: plagët, në këtë rast, nuk janë thjesht shenja, por pjesë e një procesi që transformon.

Në këtë mënyrë, koleksioni “SCAR” nuk mbetet vetëm në nivel estetik. Ai funksionon si një reflektim mbi përvojën personale dhe mënyrën se si ajo mund të përkthehet në një gjuhë vizuale. Në këtë rast, moda shkon përtej formës dhe afrohet me një formë arti të shprehur në tekstil.

Këto qasje të ndryshme nuk ishin gjithmonë në të njëjtin nivel, por reflektojnë një skenë ku potenciali është i dukshëm, ndërsa struktura ende në ndërtim.

Backstage, aty ku moda është më shumë se spektakël

Nëse pasarela është rezultati, backstage është vendi ku ajo ndërtohet.

Në prapaskenë, moda është proces. Është pritje, tension dhe vendimmarrje në kohë reale. Modelet dhe stilistët janë në një raport të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin, ku shpesh deri në momentet e fundit vendoset se cila veshje do të vishet nga kush. Ky është një moment delikat, sepse veshja dhe modeli janë dy dimensione që ndikojnë drejtpërdrejt në performancën finale.

Backstage është gjithashtu një proces i gjatë përgatitjeje. Make-up-i dhe stilimi i flokëve kërkojnë kohë dhe përqendrim, ndërsa atmosfera luhatet mes qetësisë dhe tensionit. Ka modele që e përjetojnë këtë moment në heshtje, të tjera që lexojnë, kërcejnë apo këndojnë për të lehtësuar emocionin. Ka momente festimi, si ditëlindje që ndahen mes ekipit, por edhe momente stresi, presioni dhe përplasjeje të vogla mes aktorëve të ndryshëm të këtij procesi.

Në këtë hapësirë bashkëjetojnë shumë emocione: pritja, pasiguria, entuziazmi dhe lodhja. Dhe pikërisht kjo e bën backstage një nga pjesët më të vërteta të modës.

Nga dokumentim në kurim

Në këtë kontekst, THELB ka zgjedhur të mos e trajtojë këtë eksperiencë si një mbulim të zakonshëm. Përkundrazi, qasja ka qenë e orientuar drejt përzgjedhjes dhe kurimit të materialit. Në vend që të dokumentohej çdo moment, fokusi ka qenë tek ato imazhe dhe situata që mbartin peshë vizuale dhe kuptim.

Look-et me volum, elementet konceptuale si maskat apo strukturat, si dhe momentet më editoriale të ndërtuara përmes dritës dhe kompozimit nuk janë trajtuar thjesht si pamje, por si pjesë e një narrative vizuale. Në këtë mënyrë, materiali i krijuar nuk funksionon vetëm si raportim, por si një formë arkivimi e një momenti në zhvillim të modës shqiptare.

Ky është një pozicionim i qëllimshëm: jo thjesht të tregosh çfarë ndodhi, por të kuptosh dhe të përzgjedhësh atë që ka vlerë të mbetet.

Një proces në ndërtim

Si çdo platformë në zhvillim, edhe ky edicion solli një gamë të gjerë qasjesh dhe nivelesh. Kishte koleksione të qarta në ide dhe realizim, por edhe të tjera që ishin ende në kërkim të një drejtimi më të saktë.

Organizimi nuk arriti gjithmonë të mbajë një ritëm të qëndrueshëm, por kjo është pjesë e natyrshme e një faze ku po ndërtohet diçka nga fillimi dhe një sfidë e jashtëzakonshme në një kontekst aspak të lehtë e për këtë duhet të bëjmë durim të gjithë.

Ajo që mbetet thelbësore është se ka lëvizje, ka përpjekje, ka ide dhe ka një dëshirë për të ndërtuar diçka që shkon përtej momentit.

Moda, një fushë që kërkon kohë dhe bashkëpunim

Moda në Shqipëri nuk është ende një strukturë e konsoliduar, por Albania Fashion Week është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të saj.

Në këtë proces, të gjithë janë në zhvillim: dizajnerët po formojnë identitetin e tyre, media po mëson të dokumentojë dhe të analizojë modën, ndërsa publiku po fillon ta kuptojë atë përtej sipërfaqes.

Kjo është një fushë që kërkon kohë dhe bashkëpunim mes të gjitha palëve. Shqipëria dhe shqiptarët në rajon kanë një potencial të dukshëm, me talente që, nëse mbështeten dhe strukturohen siç duhet, mund të arrijnë shumë më larg.

Dhe ndoshta sfida më e madhe nuk është vetëm ndërtimi i një pasareleje, por krijimi i një strukture që bashkon, mbështet dhe zhvillon këtë komunitet në mënyrë të qëndrueshme, brenda dhe përtej eventeve.

– THELB,

Share This Article