Stilistët kosovarë vazhdojnë të konfirmojnë prezencën e tyre në skenat më të rëndësishme ndërkombëtare të modës dhe spektaklit. Në finalen e Eurovision Song Contest 2026, e zhvilluar në Vjenë, prezantuesja Victoria Swarovski u shfaq me krijime të stilistëve nga Kosova, Valdrin Sahiti dhe Drenusha Xharra.

Pas përfundimit të spektaklit, vetë Swarovski publikoi në rrjetet sociale disa nga paraqitjet e mbrëmjes, duke falënderuar publikisht dy stilistët për krijimet e realizuara për finalen e Eurovisionit.

Gjatë mbrëmjes finale, prezantuesja u shfaq me disa look-e të ndryshme, nga fustane me nuanca smeraldi dhe argjendi, deri tek krijime në tonalitete vjollcë pastel me transparenca dhe detaje të punuara. Paraqitjet e saj u komentuan edhe nga mediat ndërkombëtare të modës dhe spektaklit, duke e kthyer finalen e Eurovisionit në një tjetër moment ku krijimtaria shqiptare mori vëmendje të veçantë.

Edhe pse Kosova nuk merr pjesë zyrtarisht në Eurovision si shtet konkurrues, emrat e dizajnerëve kosovarë vazhdojnë të jenë të pranishëm në një nga skenat më të ndjekura në Europë, duke sjellë modën shqiptare në vëmendjen e një audience ndërkombëtare.
— THELB,

