THELB përtej heshtjes, një qëndrim në mbështetje të të rinjve shqiptarë

5 Min Read

THELB lindi pak muaj përpara nisjes së protestave, si një media e re kushtuar modës, artit dhe kulturës. Që në fillim, zgjodhëm t’u jepnim hapësirë njerëzve që krijojnë dhe përpiqen të ndërtojnë rrugën e tyre, veçanërisht të rinjve shqiptarë. Donim të sillnim punën, idetë dhe ambiciet e tyre, bashkë me vështirësitë që shpesh mbeten jashtë fotografisë së një arritjeje.

Që në muajt e parë të punës, ky ishte kontributi që zgjodhëm të jepnim: një dritare e hapur për krijimtarinë dhe për njerëzit që, mes pasigurive dhe mundësive të kufizuara, këmbëngulin të ndërtojnë diçka në Shqipëri. Përmes historive të tyre kemi folur edhe për realitetin ku jetojnë e punojnë, për pengesat që hasin dhe për atë që u nevojitet për të ecur përpara. Ndërsa protestat zhvilloheshin, THELB ruajti këtë fokus editorial, pa marrë një qëndrim politik në nisje të rrugëtimit të vet.

Pamjet e dhunës së ushtruar nga pushteti ndaj studentëve, të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë na ndalën. Që prej 13 tetorit, e patëm të vështirë të vijonim publikimet si zakonisht. Përmbajtjet që kishim përgatitur mbeteshin të vlefshme dhe njerëzit që kishim takuar meritonin të dëgjoheshin. Por në atë moment, vazhdimi me të njëjtin ritëm na dukej i shkëputur nga ajo që po ndodhte përreth nesh.

Kështu erdhi heshtja jonë. Një ndalesë gjatë së cilës kërkuam të kuptonim si mund të flisnim me ndershmëri, duke ruajtur identitetin e THELB dhe duke iu përgjigjur përgjegjësisë që ndienim. Nuk donim që shqetësimi dhe dhimbja e këtyre ditëve të bëheshin një mundësi për më shumë dukshmëri për median tonë. Pas 15 ditësh, e pamë të nevojshme t’i jepnim kësaj heshtjeje një kuptim publik.

Emri THELB përmbledh mënyrën si e shohim modën, artin dhe kulturën: të lidhura me njerëzit që i krijojnë, me shoqërinë dhe me kohën në të cilën jetojmë. Në çdo krijim ka diçka nga jeta e autorit të tij, nga mundësitë që ka pasur dhe nga kufizimet që i është dashur të përballojë. Edhe kur sjellim një koleksion, një film apo një vepër arti, flasim për njerëz dhe për botën ku ata jetojnë.

Moda, arti, kultura dhe jeta e bukur kanë në themel njerëz që mund të jetojnë, të krijojnë dhe të shprehen lirisht. Kjo bindje na lidh drejtpërdrejt me atë që po ndodh sot.

THELB dënon dhunën shtetërore ndaj studentëve dhe të rinjve shqiptarë. Është e papranueshme që ata që kërkojnë një vend më të denjë për të jetuar të përballen me dhunën e pushtetit. Ne qëndrojmë në krah të tyre dhe të së drejtës për të protestuar e për t’u dëgjuar. Dëshira për të jetuar në vendin tënd, me dinjitet, mundësi dhe liri, meriton respekt dhe përgjigje nga institucionet e drejtësisë.

Përmes punës sonë kemi njohur të rinj që investojnë kohën, dijen dhe burimet e tyre për të krijuar. Kemi dëgjuar përpjekjet pas një prezantimi, një projekti apo një mundësie për t’u shfaqur përpara publikut. Këto takime na kanë bërë të kuptojmë më nga afër sa shumë vullnet kërkon ndërtimi i një rruge krijuese dhe sa rëndësi ka të gjesh mbështetje gjatë saj.

T’u japim hapësirë arritjeve të tyre na ngarkon edhe me përgjegjësinë morale dhe qytetare për t’u qëndruar pranë kur u cenohet dinjiteti dhe liria. Marrëdhënia që ndërtojmë me ta përmes THELB përfshin edhe dëgjimin e shqetësimeve të tyre dhe respektin për të drejtën që kanë të kërkojnë një jetë më të mirë këtu.

Ne do të vijojmë t’i mbështesim përmes asaj që dimë të bëjmë: duke sjellë punën e tyre, duke dëgjuar historitë e tyre dhe duke pasqyruar me ndershmëri edhe vështirësitë që i shoqërojnë. Do të vijojmë t’i japim hapësirë krijimtarisë në vendin tonë, të vetëdijshëm se ka momente kur kjo përgjegjësi kërkon edhe të mbajmë qëndrim.

Liria dhe dinjiteti i njerëzve janë thelbi i një shoqërie ku krijimtaria mund të zhvillohet.

Redaksia THELB · 27 tetor 2026

Foto: Ilustrim editorial i gjeneruar me AI.

Share This Article