Muzika e bëri një nga yjet më të mëdha të brezit të saj, por ndërsa Dua Lipa mbush 31 vjeç, çfarë tërheq edhe më shumë vëmendjen është gjithçka që ka ndërtuar rreth saj: libra, udhëtime, Service95, modë, Sunny Hill dhe një lidhje me Kosovën që nuk është zbehur ndërsa fama ka arritur deri në çdo cep të botës. Pas saj shkëlqejnë gjithashtu tre albume, Grammy dhe BRIT Awards, turne të mëdha, bashkëpinime dhe këngë që e kanë vendosur mes emrave kryesorë të muzikës pop të dekadës së fundit.
Këto ditë Dua Lipa ishte në Formentera me motrën Rina dhe vëllain Gjin. Det, varkë, darka të gjata, bikini dhe fustane vere, një prej atyre albumeve fotografike që ajo publikon shpesh nga pushimet dhe që duken pothuajse si vazhdim i jetës së saj publike.

Dua ka një talent të veçantë për ta bërë jetën e një prej popstar-eve më të famshme në botë të duket çuditërisht e afërt me atë të një njeriu të zakonshëm. Një natë është në skenë përpara dhjetëra mijëra njerëzve, një tjetër në një tavolinë me miqtë; sot në Chanel, nesër me një libër në plazh. Në Instagram ka shumë nga jeta e saj, por jo domosdoshmërisht shumë shpjegime për të.
Viti i 31-të e gjen Dua Lipën edhe në një moment të ri në jetën personale. Pas disa vitesh së bashku, ajo dhe aktori britanik Callum Turner u martuan këtë verë, fillimisht në një ceremoni civile në Londër dhe më pas me një festë në Sicili. Lidhja e tyre ka qenë e pranishme në fotografi, udhëtime dhe dalje publike, por ashtu si martesa duket se ka ndjekur të njëjtën logjikë, një ngjarje e rëndësishme e jetës së saj, e ndarë me publikun aq sa ajo ka zgjedhur, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur e tyre.
Në të njëjtën kohë, Radical Optimism Tour, me 92 koncerte, është mbyllur dhe Dua është rikthyer në studio për të punuar mbi muzikë të re. Kështu, kjo ditëlindje e gjen në një pikë interesante, me një kapitull të ri në jetën personale, një turne të madh pas vetes dhe disa projekte që tashmë shkojnë shumë më larg se studioja e regjistrimit.

Sot, në 31 vjetorin e saj, është e lehtë të harrosh sa shpejt ka ndodhur e gjithë kjo.
Pas më shumë se dhjetë vitesh në vëmendjen e publikut, kjo lehtësi mund të krijojë përshtypjen se gjithçka i ka ardhur natyrshëm. Profili që Rolling Stone i kushtoi në vitin 2024 zbulonte më shumë nga mënyra se si Dua Lipa punon dhe mendon për karrierën e saj. Pas natyrshmërisë me të cilën e shohim të kalojë nga skena te udhëtimet, moda apo netët me miqtë, është një artiste shumë e disiplinuar, që punon gjatë mbi muzikën dhe i kushton po aq vëmendje vendimeve që merren jashtë studios. Në fakt, kjo është një anë e Dua Lipës që imazhi i saj i çlirët mund ta bëjë të lehtë për t’u harruar. Pas gjithë asaj lehtësie ka shumë punë, përpikëri dhe një ide gjithnjë e më të qartë për mënyrën se si dëshiron ta ndërtojë karrierën e saj.



Nga Londra në skenat më të mëdha
Historia e fillimeve të yllit botëror të muzikës pop është treguar shumë herë. Dua lindi në Londër më 22 gusht 1995, në një familje shqiptare nga Kosova. Fëmijërinë e kaloi mes Londrës dhe Prishtinës, përpara se në moshën 15-vjeçare të kthehej vetëm në Londër me bindjen se muzika ishte ajo që donte të bënte. Publikonte cover-a në YouTube, punonte paralelisht dhe kërkonte mundësinë për të hyrë në industrinë muzikore. Përpara se të mbushte 20 vjeç kishte firmosur kontratën e parë.
Be the One e prezantoi me një publik më të gjerë, ndërsa New Rules ndryshoi ritmin e gjithçkaje. Kënga e vitit 2017 u kthye në sukses ndërkombëtar dhe i dha Duas një identitet shumë më të qartë brenda pop-it. Megjithatë, ishte Future Nostalgia, tre vjet më vonë, që e vendosi në një tjetër etapë. Albumi doli në mars 2020, në një moment paradoksal për një projekt të krijuar për të kërcyer, bota sapo kishte filluar të mbyllej për shkak të pandemisë. Don’t Start Now, Physical dhe Levitating funksionuan megjithatë, dhe albumi i solli një tjetër Grammy, çmime BRIT dhe një turne që zgjati deri në fund të vitit 2022.

Në vitin 2021 erdhi edhe Cold Heart, bashkëpunimi me Elton John që bashkoi disa prej këngëve të tij të njohura në një produksion të PNAU dhe u kthye në një nga sukseset më të mëdha të të dy artistëve. Për Duan, ishte edhe një nga ato takime mes brezave që i përputhen muzikës së saj me një prej figurave që kishte dëgjuar duke u rritur, e sjellë në tingullin e pop-it të momentit.
Në kohën kur po punohej për albumin e tretë, Dua nuk donte të përsëriste formulën. Për Radical Optimism u kthye te muzika me të cilën ishte rritur në Britani, nga Britpop-i dhe trip-hop-i te kultura rave, dhe punoi mes të tjerëve me Kevin Parker të Tame Impala. Rolling Stone e përshkruante procesin e saj si jashtëzakonisht të përpiktë, Dua kthehej te vargjet, i rishkruante dhe kërkonte versionin më të mirë edhe kur bashkëpunëtorët mendonin se kënga ishte përfunduar. Pas imazhit të një pop star-i që duket sikur po argëtohet gjatë gjithë kohës, del kështu një tjetër tipar i saj, ajo e merr punën shumë seriozisht.

Të dish çfarë të përket
Në të njëjtën periudhë po ndodhnin ndryshime edhe jashtë studios. Në vitin 2022 Dua u nda nga kompania që e kishte menaxhuar që kur ishte adoleshente dhe nisi të punonte me të atin, Dukagjin Lipa. Zgjedhja kishte sigurisht brenda besimin mes babait dhe vajzës, por edhe një histori të përbashkët me muzikën që kishte nisur shumë më herët. Dukagjini kishte qenë këngëtar dhe kitarist i grupit Oda në Kosovë, ndërsa Dua është rritur në një shtëpi ku dëgjoheshin këngët e të atit, por edhe David Bowie, Bob Dylan, Sting, Elton John apo The Police. Edukimi i saj muzikor, në njëfarë mënyre, kishte nisur aty, mes muzikës së një brezi tjetër dhe asaj që ajo vetë po zbulonte.



Është interesante ta mendosh këtë sot, kur një nga tiparet e muzikës së Dua Lipës është pikërisht lehtësia me të cilën ajo lëviz mes kohëve të ndryshme. Nga disco dhe synth-pop-i te referencat britanike të dekadave të mëparshme, ajo është kthyer shpesh pas për të krijuar diçka që tingëllon e kohës së saj. Ndoshta do të ishte e tepërt t’ia atribuosh këtë vetëm ndikimit të të atit, por shtëpia ku u rrit i dha një raport me muzikën që nuk kufizohej tek ajo që ishte e re apo në modë.
Një vit pasi nisi të punonte me të atin, Dua bleu të drejtat e publishing-ut të muzikës së saj, një vendim që ajo vetë e lidhi me nevojën për të kuptuar më mirë anën e biznesit të karrierës. Për Rolling Stone, ajo shpjegonte se krijimtaria është mënyra përmes së cilës shprehet, por se me kalimin e kohës kishte kuptuar se emri i saj, gjërat që përfaqëson dhe mënyra si menaxhohen ato duhet të ecin bashkë me anën artistike. Vajza që në fillim kërkonte njerëzit e duhur për ta ndihmuar të hynte në muzikë, sot kërkon të dijë se çfarë ndodh me punën e saj edhe pasi kënga ka dalë nga studioja.
Moda, por gjithmonë me pak lojë
Moda ka ecur paralelisht me muzikën pothuajse që prej fillimeve. Bashkëpunimi i Dua Lipës me Lorenzo Posocco nisi në Londër në vitin 2015, kur ajo ende nuk kishte publikuar albumin e parë. Dhjetë vjet më vonë, Posocco vazhdon të jetë stilisti dhe një prej miqve të saj më të afërt. Të dy e kanë përshkruar marrëdhënien e tyre si një proces të gjatë besimi dhe eksperimentimi, ku janë rritur profesionalisht bashkë.
Ndryshimi duket qartë. Garderoba e fillimeve, me referenca nga vitet ’90, slip dresses, çizme platformë dhe shumë denim (xhinsa), është zgjeruar drejt Chanel, Schiaparelli, Gucci, Valentino, Balenciaga dhe Jean Paul Gaultier. Për turneun Radical Optimism, disa prej veshjeve u krijuan posaçërisht për skenën, një bodysuit Chanel peshonte rreth shtatë kilogramë dhe duhej të funksiononte ndërkohë që Dua këndonte dhe kërcente përpara mijëra njerëzve.


Megjithatë, moda tek ajo nuk duket se është kthyer në uniformë. Ajo mund të kalojë nga couture në një bikini, nga një tapet i kuq në një palë xhinse, pa krijuar përshtypjen se po ndryshon personazh. Në bisedat me Vogue, edhe marrëdhënia e saj me Posocco përshkruhet si shumë eksperimentim, besim dhe, mbi të gjitha, kënaqësi.
Service95, nga listat për miqtë te librat
Nëse moda ishte e pranishme publikisht pothuajse që në fillim, Service95 tregoi një anë tjetër të saj. Ideja lindi nga një rutinë shumë e zakonshme, Dua mbante lista me restorante, vende ku kishte udhëtuar, gjëra që kishte zbuluar dhe rekomandime që ua dërgonte miqve. Në vitin 2022, këto lista u kthyen në Service95, një platformë ku udhëtimet dhe kultura bashkëjetojnë me shkrime, intervista dhe rekomandime personale.
Librat u bënë gradualisht një nga pjesët më të dallueshme të projektit. Service95 Book Club nisi në vitin 2023 dhe zgjedhjet nuk funksionojnë si një listë titujsh që mbajnë emrin e një personazhi të famshëm. Dua i lexon librat, zgjedh ata që i kanë pëlqyer dhe zhvillon biseda me autorët. Për Vogue ka treguar se përgatitja për një intervistë mund t’i marrë katër ose pesë ditë, mes leximeve, kërkimit dhe intervistave të mëparshme, derisa të arrijë te pyetjet që dëshiron të bëjë.


Marrëdhënia e saj me librat, megjithatë, është më e hershme dhe më personale përpara se të lindte Book Club. Dua ka folur për leximin si një lloj qetësie në një jetë me ritëm intensiv, mes turneve, udhëtimeve dhe skenave të mëdha. Në fjalimin e saj në Booker Prize në vitin 2022 tregonte se, në momentet kur i duhej të krijonte një lloj mburoje për t’i përballuar të gjitha, librat e ndihmonin ta zbuste atë; ndërsa këtë vit e ka përshkruar leximin si diçka që e ka mbajtur të ankoruar në etapa të ndryshme të jetës, duke i dhënë një hapësirë të qetë edhe gjatë turneve.

Ajo që nisi si një pjesë e Service95 ka marrë ndërkohë një përmasë shumë më të madhe. Në tetor të këtij viti, Dua Lipa dhe Service95 Book Club do të kurojnë London Literature Festival në Southbank Centre, në 75-vjetorin e institucionit. Nga librat që e kanë shoqëruar privatisht në periudha të ndryshme të jetës, te bisedat me shkrimtarët dhe tani te kurimi i një festivali letrar, ky interes ka gjetur gradualisht një hapësirë gjithnjë e më të dukshme në botën që Dua po ndërton përtej muzikës.
Prishtina është ende shtëpi
Mes gjithë vendeve ku e ka çuar puna, Prishtina ka mbetur një pikë e vazhdueshme në historinë e Dua Lipës. Ajo u kthye atje me familjen kur ishte 11 vjeç dhe jetoi në Kosovë deri në adoleshencë, përpara se të nisej përsëri drejt Londrës. Edhe pasi karriera e saj mori përmasa që e mbajnë pjesën më të madhe të vitit në lëvizje, kjo marrëdhënie nuk u kthye në një kujtim të fëmijërisë.
Sunny Hill Festival, i themeluar nga Dua dhe Dukagjin Lipa, është shprehja më e dukshme e kësaj lidhjeje. Përmes festivalit, artistë të njohur kanë ardhur në Prishtinë dhe qyteti është bërë çdo verë vendi ku Dua rikthehet jo vetëm për të performuar, por edhe për të pritur artistë, miq dhe publik. Prishtina shfaqet edhe në Service95, në rekomandimet e saj për vende, ushqim dhe kulturë, jo si një destinacion ekzotik, por me familjaritetin e dikujt që e njeh qytetin.


Dua nuk ka nevojë ta shpjegojë vazhdimisht prejardhjen e saj, ajo thjesht e mban me vete. Familja, gjuha, Prishtina dhe Sunny Hill janë pjesë e së njëjtës jetë ku hyjnë Londra, muzika, moda dhe udhëtimet.
31 vjeç, dhe ende shumë përpara
Në 31 vjeç, bilanci mund të bëhet fare lehtë me shifra: tre albume, çmime, këngë me miliarda dëgjime, turne, kopertina dhe bashkëpunime. Pas kësaj qëndron shumë disiplinë, por edhe një raport me jetën që nuk duket i ndërtuar vetëm rreth karrierës. Familja dhe miqtë mbeten pranë, Prishtina vazhdon të jetë pjesë e saj, ndërsa interesat e Dua kanë gjetur gradualisht vend pranë njëri-tjetrit. Muzika mbetet puna që e solli deri këtu, ndërsa moda, librat, udhëtimet, Service95 dhe Sunny Hill tregojnë se jeta që ka ndërtuar rreth saj nuk përfundon kur fiken dritat e skenës.

Në 31-vjetorin e yllit të muzikës pop, më shumë se shifrat, vlen të shohësh mënyrën si është ndërtuar kjo karrierë. Suksesi i Dua Lipës nuk është mbështetur vetëm te një këngë, një album apo një moment i mirë. Ajo ka ditur të punojë, të evoluojë dhe të zgjedhë çfarë dëshiron të mbajë pranë, duke ecur me kohën pa ndjekur domosdoshmërisht çdo gjë që ajo sjell. Me shumë punë dhe kuriozitet, por edhe me njerëzit e saj pranë. Dhe duket se ka ende shumë për të bërë.
– THELB,

