Pas ‘Amélie’, zgjedhja e pazakontë e Audrey Tautou në kulmin e famës

7 Min Read

Për shumë njerëz, Audrey Tautou mbetet ende Amélie Poulain, vajza me flokët e shkurtër të zinj dhe vështrimin e madh kureshtar që, në vitin 2001, e ktheu një film francez në një fenomen botëror. Për të tjerë është Sophie Neveu e The Da Vinci Code, përkrah Tom Hanks, apo Coco Chanel e Coco Before Chanel, rol që i solli edhe një nominim BAFTA.

Sot Audrey Tautou feston ditëlindjen e saj të pesëdhjetë dhe pikërisht në këtë ditë THELB i rikthehet historisë së një prej aktoreve franceze më të njohura ndërkombëtarisht, e cila prej disa vitesh ka zgjedhur të jetë shumë më pak e pranishme në ekran.

Një dalje e saj së fundmi në Montmartre, ku hapi sfilatën e AMI, ishte hera e parë që Tautou sfilonte për një markë mode dhe një nga ato shfaqje publike që solli përsëri pyetjen që e ka ndjekur prej vitesh: çfarë ndodhi me Audrey Tautou?

Përgjigjja që ajo jep në një intervistë të gjatë për Vanity Fair France është më e thjeshtë se historitë që janë ndërtuar rreth mungesës së saj. Audrey Tautou nuk e ka lënë kinemanë! ‘Nuk kam thënë kurrë se po e lija dhe nuk do ta them kurrë, sepse nuk është e vërtetë. Njeriu nuk pushon kurrë së qeni aktore’, është shprehur aktorja.

Tautou vazhdon t’i dojë xhirimet, atmosferën e një filmi dhe profesionin që e bëri të njohur në të gjithë botën. Ajo që ndryshoi ishte raporti i saj me gjithçka që erdhi bashkë me suksesin.

Gjithçka nisi me ‘Le Fabuleux Destin d’Amélie Poulain’. Në vitin 2001, filmi i Jean-Pierre Jeunet e shndërroi aktoren 25-vjeçare në një nga fytyrat më të njohura të kinemasë franceze. Historia e kamarieres së re parisiene, që ndërhyn fshehurazi në jetën e njerëzve përreth saj për t’i bërë ata më të lumtur, udhëtoi shumë përtej Francës. Sipas Jeunet, filmi arriti rreth 33 milionë bileta të shitura në Francë dhe jashtë saj

Pas Amélie, Hollywood-i ishte pothuajse një vazhdim i natyrshëm. Ajo luajti në ‘Dirty Pretty Things’ të Stephen Frears dhe më pas përkrah Tom Hanks në suksesin botëror The Da Vinci Code. Në Francë punoi me regjisorë si Cédric Klapisch, Alain Resnais dhe Claude Miller, ndërsa në vitin 2009 mori përsipër një nga figurat më të njohura të modës franceze, Coco Chanel, në ‘Coco avant Chanel.’

Por ndërsa karriera rritej, Tautou kuptonte gjithnjë e më qartë se fama nuk ishte pjesa e profesionit që kishte parashikuar apo patur të qartë me gjithçka që ajo sjell.

Aktorja e përshkruan suksesin e Amélie si diçka që i ra mbi kokë papritur, brenda një kohe shumë të shkurtër ishte bërë e njohur pothuajse kudo. Për një njeri që thotë se ka nevojë për ‘një liri të jashtëzakonshme’, humbja e anonimitetit ndryshoi mënyrën si mund të udhëtonte, të ecte në rrugë apo thjesht të jetonte. Për një periudhë përpiqej të kalonte pa u njohur me kapele, syze dhe veshje të gjera.

Megjithatë, nuk pati një moment dramatik ndarjeje me kinemanë. Përkundrazi, regjisorët vazhdonin ta kërkonin. Ishte ajo që filloi të refuzonte gjithnjë e më shumë role.

Tautou nuk dukej e shqetësuar nga ideja se mund të harrohej. Filloi t’i zgjidhte filmat jo sipas asaj që mund të bënin për karrierën e saj, por sipas regjisorit, përvojës apo aventurës që i ofronin. Dhe në vitin 2019 vendosi të ndalonte për një kohë. ‘Nuk ika nga asgjë. Vendosa të hap një parantezë në atë jetë, që të mund të bëja gjëra të tjera’, ka shpjeguar ajo.

Fotografia është një prej tyre. Në vitin 2017, Tautou prezantoi në Rencontres d’Arles një ekspozitë me autoportrte dhe fotografi të realizuara prej saj ndër vite. Ka shkruar gjithashtu një histori për fëmijë që po e ilustron vetë, po punon mbi një skenar dhe dëshiron të realizojë një libër fotografik.

Në këtë kuptim, edhe dalja e saj e fundit për AMI duket më pak e pazakontë. Kur stilisti Alexandre Mattiussi i propozoi të hapte sfilatën në Montmartre, reagimi i parë i Tautou ishte ta refuzonte. Më pas e tërhoqi pikërisht ajo që duket se e udhëheq prej vitesh, kurioziteti për një eksperiencë të re. Donte të shihte si ndërtohej një sfilatë nga brenda, të njihte prapaskenën dhe njerëzit që punojnë për të.

Kinemaja, ndërkohë, nuk është një kapitull i mbyllur. Tautou është e bindur se do të xhirojë përsëri. ‘Mund të jetë së shpejti ose pas disa vitesh, nuk e di’ deklaron ajo. Madje nuk përjashton që një ditë të kalojë edhe pas kamerës.

Historia e Audrey Tautou është interesante sepse në kulmin e një karriere që mund ta kishte mbajtur vazhdimisht në ekran, ajo zgjodhi të mos e ndërtonte jetën sipas ritmit që fama kërkonte prej saj. Nuk u përpoq të zhdukte Amélie-n dhe as të gjente me çdo kusht personazhin që do ta bënte publikun ta harronte.

Kur Vanity Fair e pyet për paradoksin e një aktoreje që largohet nga vëmendja në një kohë kur kaq shumë njerëz kërkojnë pikërisht atë, ajo përgjigjet me humor: ‘Por unë jam një yll! Mbetem një yll! Kudo në botë më njohin.’

Sot, Audrey Tautou nuk flet për një rikthim të madh dhe as nuk vendos një datë për filmin e ardhshëm. Thotë vetëm se do të kthehet, sepse kinemanë vazhdon ta dojë. Deri atëherë, shkruan, vizaton, fotografon dhe zgjedh vetë kur dhe si të shfaqet sërish. Me sa duket, ajo nuk kishte nevojë të pushojë së qeni aktore; kishte nevojë që aktrimi të mos ishte e vetmja mënyrë për të jetuar jetën.

– THELB,

Share This Article