Kur bëhet fjalë për Dua Lipën, asgjë nuk është konvencionale. As martesa.
Artistja britaniko-shqiptare dhe aktori Callum Turner kanë kurorëzuar dashurinë e tyre në një ceremoni intime në Old Marylebone Town Hall në Londër, por vëmendja e botës nuk u përqendrua vetëm tek momenti romantik.

Për ditën e saj më të rëndësishme, Dua zgjodhi të sfidojë pritshmëritë tradicionale të modës së nusërisë me një krijim couture të personalizuar nga Schiaparelli. Në vend të siluetës klasike të fustanit të bardhë, ajo u shfaq me një kostum elegant të përbërë nga xhaketë dhe fund, duke sjellë një interpretim modern të elegancës së nusërisë.

Pamja u kompletua me një kapelë me strehë të gjerë nga Stephen Jones Millinery, një detaj që solli menjëherë në kujtesë një nga momentet më ikonike të historisë së modës: martesën e Bianca Jagger me Mick Jagger në vitin 1971. Një referencë e qartë ndaj epokës së glamurit rebel, por e përkthyer për një brez të ri dhe sigurisht, detajet nuk munguan. Nën fundin e Schiaparelli-t u dalluan një palë taka Christian Louboutin, ndërsa në qafë shkëlqente një varëse Bvlgari, duke vulosur statusin e kësaj paraqitjeje si një nga veshjet e nuseve që do të komentohet për shumë gjatë.

Ndërkohë, Callum Turner zgjodhi një kostum elegant të Ferragamo, të personalizuar që harmonizohej në mënyrë perfekte me estetikën e sofistikuar të ceremonisë.
Martesa vjen pas një romance që ka tërhequr vëmendjen e medias botërore që nga viti 2024, ndërsa çifti është shfaqur vazhdimisht në javët e modës, evente kulturore dhe tapete të kuqe, duke u kthyer në një nga çiftet më me ndikim të momentit në kryqëzimin mes modës, muzikës dhe kinemasë.

Megjithëse ceremonia londineze ishte e rezervuar dhe larg spektaklit të zakonshëm të personazheve të famshëm, burime të mediave ndërkombëtare raportojnë se festimet do të vazhdojnë me një event disa-ditor në Sicili. Nëse ceremonia civile ishte një ushtrim i përkryer minimalizmi, festa italiane pritet të jetë kapitulli i radhës i një historie ku stili dhe personaliteti ecin krah për krah.
Një gjë është e sigurt, me zgjedhjet e saj të guximshme dhe larg pritshmërive të zakonshme, Dua Lipa sapo i ka shtuar modës së nusërisë një tjetër referencë që do të kujtohet gjatë.
— THELB,

