Paris, sfilatat Pranverë – Verë 2026 mes trashëgimisë, spektaklit dhe reflektimit
Parisi ka fikur dritat e pasarelave të Haute Couture Week, por magjia e Pranverë – Verë 2026 vazhdon të pulsojë në çdo siluetë, strukturë dhe detaj që shtëpitë prezantojnë. Në vend të një shpërthimi të ri estetik, në këtë sezon u vu re një rikthim i qëllimshëm te konstruksioni i veshjeve, te forma dhe te arkivat bashkë me kodet historike të maison-eve që përfaqësonin, si për të riafirmuar themelet mbi të cilat ndërtohet Haute Couture. Disa shtëpi zgjodhën ta zhvendosin vëmendjen nga skenografia te vetë veshja, duke e trajtuar pasarelën si hapësirë leximi të siluetës dhe teknikës. Të tjera e ruajtën dimensionin teatral, por edhe aty spektakli shpesh funksiononte si zgjatim i identitetit të shtëpisë. Në Paris, shtëpitë negocionin identitetin e tyre brenda një fushe ku spektakli ishte instrument dhe pasarelat shërbyen për të treguar marrëdhënien mes trupit dhe veshjes, mes arkivit të shtëpive dhe eksperimentit.
Dior – Një fillim që ndërton besim
Ndër momentet më të mezi pritura të kësaj jave ishte debutimi i parë couture i Jonathan Anderson për Dior, me lulet si firmë e pa ndryshuar e shtëpisë dhe me detaje që ende vijojnë të komentohen. Në vend të një momenti tronditës, koleksioni u përqendrua te struktura, materiali dhe disiplinimi i siluetës. Motivet florale riktheheshin si një siguri brenda ADN-së së shtëpisë, ndërsa ndërtimi i veshjeve tregonte respekt të qartë për trashëgiminë. Rezultati ishte elegant, por më shumë evolucion sesa revolucion: një fillim që ndërton besim, por jo një kthesë e fortë që të ripërcaktonte Dior Couture.
Chanel – Elegancë e sigurt
Në kontrast, Chanel zgjodhi një rrugë që në pamje të parë dukej e zhytur në fantazi. Skenografia e frymëzuar nga një natyrë e imagjinuar si në përralla nuk mbeti vetëm dekor, por dukej si pjesë integruese e koleksionit: e frymëzuar nga natyra dhe e krijuar me materiale të lehta, transparente dhe tonalitete të buta. Ishte një shembull i qartë i mënyrës se si Chanel përdor spektaklin për të zgjatur narrativën e vet vizuale. Koleksioni kishte një strukturë e kontrolluar me kujdes, tipike për couture-n e shtëpisë. Siluetat nuk kërkonin të sfidonin trupin apo të impononin forma të reja radikale; përkundrazi, ato ruanin një elegancë të sigurt, që e bën Chanel-in menjëherë të dallueshëm. Megjithatë, pikërisht kjo siguri estetike është edhe kufiri i koleksionit qe rrallë dilte jashtë zonës së rehatisë së kodit klasik të shtëpisë. Nuk kishte një moment të fortë sfide apo një siluetë që të sinjalizonte një orientim të ri për Chanel Couture. Ishte një koleksion që përforconte identitetin ekzistues më shumë sesa e zgjeronte atë.
Schiaparell – Sfidoi kufijtë mes artit dhe veshjes
Ndryshe nga Dior dhe Chanel, Schiaparelli solli një prezantim më teatral, ku Daniel Roseberry shtyu formën e veshjes drejt volumeve më të guximshme dhe territorit të skulpturës e performancës. Siluetat e ekzagjeruara, disi dramatike e kthyen pasarelën në një interpretim që i afrohej performancës artistike. Detajet surrealiste krijonin figura që më shumë dukeshin të konceptuara për t’u parë sesa për t’u veshur. Referencat vizuale me në sfond muzikën kalsike, që të kujtonin Mjellmën e Zezë të ‘Liqenit të Mjelmave’, shtuan një dimension narrativ, por në disa momente spektakli rrezikonte ta mbyste finesën e konstruksionit. Ky kontrast ishte vizualisht i paharrueshëm dhe goditës si imazh, por jo çdo pjesë arrinte të ruante të njëjtin ekuilibër mes artit skenik dhe disiplinës së veshjes. Megjithatë, në një sezon ku shumë shtëpi zgjodhën sigurinë e arkivave dhe format klasike, Schiaparelli u dallua si një nga pak zëra që mori rrezik real estetik. Edhe kur e teproi me dramatiken, koleksioni mbeti koherent me identitetin e shtëpisë dhe e mbajti Sciaparelli Couture në një territor ku moda nuk është vetëm elegancë, por edhe provokim vizual e intelektual.
Elie Saab & Zuhair Murad – Rikthejnë elegancën klasike
Elie Saab dhe Zuhair Murad rikthyen glamour-in romantik në pasarelë, duke vendosur në qendër format e trupit dhe qëndisjet e detajuara. Veshjet e tyre nuk sfidonin kufijtë formalë, por krijuan momente frymëmarrjeje mes eksperimenteve më teatrale. Çdo fustan dukej i ndërtuar për të treguar elegancën dhe sensualitetin pa e humbur finesën. Ishte një kontrast i këndshëm me dramat e Schiaparell apo minimalizmin e Dior.
Armani Privé – Pikë referimi për Disiplinën Couture
Armani Privé qëndroi besnik ndaj filozofisë që e ka bërë këtë linjë couture të dallueshme prej vitesh: elegancë, linja të pastra dhe një luks të rafinuar. Nën vazhdimësinë krijuese të Silvana Armanit, koleksioni ruajti qartësinë e siluetës dhe disiplinën e prerjes. Format e zgjatura, prerjet e buta dhe përdorimi i ngjyrave më të lehta e më femërore se zakonisht sollën një nuancë delikate brenda një gjuhe estetike që mbetet thelbësisht e qëndrueshme. Nuk kishte elementë që synonin të trondisnin apo të sfidonin perceptimin e trupit; përkundrazi, veshjet ndiqnin logjikën e përmirësimit të vazhdueshëm, ku çdo detaj duket i menduar. Në kontekstin e këtij sezoni, kjo zgjedhje e pozicionoi shtëpinë si zë i stabilitetit, jo i transformimit.
Valentino – Përvojë për t’u përjetuar
Debutimi couture i Alessandro Michele për Valentino u ndërtua si një përvojë e zgjatur emocionale, ku mënyra si publiku e përjetonte kohën dhe hapësirën ishte po aq e rëndësishme sa vetë veshjet. Michele e largoi pasarelën nga ritmi tradicional i shfaqjeve të modës dhe e afroi me një instalacion artistik, ku ndriçimi i butë, muzika retro dhe skenografia e menduar në detaj krijonin një atmosferë të qëllimshme ngadalësie. Detajet e koleksionit ishin të pasura, teksturat të punuara me finesë, por mungonte një bosht i qartë formal që ta bënte koleksionin të lexohej si një kapitull i ri strukturor për shtëpinë. Michele mbushi hapësirën me referenca dhe shtresa estetike. Kjo e bëri prezantimin emocionalisht të dendur dhe vizualisht të paharrueshëm, por jo çdo veshje arrinte të dilte e pavarur nga skenografia që e rrethonte. Në këtë kuptim, Valentino propozoi couture si përvojë, një qasje koherente me botën e Michele, por që lë të hapur pyetjen nëse ky drejtim do të përkthehet në një identitet të ri për Valentino Couture në sezonet që vijnë.
Ajo që bie në sy nga ky sezon është prania e vazhdimësisë dhe nevoja për riformulim. Spektakli nuk mungoi, por ai shërbeu si kornizë për të theksuar marrëdhënien mes trupit dhe veshjes. Në këtë kontekst, couture nuk u shfaq si arratisje nga realiteti, por si një përpjekje për të rigjetur stabilitet përmes mjeshtërisë, formës dhe disiplinës estetike.
Ajo që e përkufizoi sezonin couture Pranverë–Verë 2026 në Paris nuk ishte një estetikë e vetme dominuese, por mënyra si shtëpitë zgjodhën të pozicionohen përballë trashëgimisë së tyre. Nga përmbajtja e matur e Dior te eleganca e sigurt e Chanel, nga disiplina e Armani Privé te romantizmi i Valentino dhe teatraliteti i guximshëm i Schiaparelli, couture u shfaq si një fushë që lëvronte mes vazhdimësisë dhe nevojës për riformulim.
Në vend të revolucionit, shumë maison-e duket se kërkuan stabilitet përmes arkivave, formave të njohura dhe konstruksionit të kontrolluar. Kjo i dha sezonit një ndjesi koherence dhe respekti për mjeshtërinë, por njëkohësisht e kufizoi numrin e momenteve që mund të quhen realisht transformuese. Rreziku estetik nuk ishte mungesë, kur shfaqej, vinte kryesisht përmes spektaklit dhe dimensionit performativ, më shumë sesa përmes një rishpikjeje radikale të siluetës.
Kjo e vendos Haute Couture të këtij sezoni në një pikë interesante reflektimi: në një kohë pasigurish globale dhe lodhjeje vizuale nga ciklet e shpejta të modës, kthimi te struktura, te trupi dhe te mjeshtëria duket si një zgjedhje e vetëdijshme. Mbetet për t’u parë nëse kjo kthesë drejt kontrollit dhe elegancës së sigurt do të hapë rrugën për një fazë të re eksperimentimi, apo nëse couture do të vazhdojë të lëvizë me hapa të kujdesshëm brenda kufijve të vet historikë.
Parisi tregoi se couture mbetet territori ku moda reflekton mbi identitetin e saj,por këtë sezon, ajo zgjodhi më shumë të konsolidojë sesa të përmbysë.
Paris, sfilatat Pranverë – Verë 2026 mes trashëgimisë, spektaklit dhe reflektimit
Parisi ka fikur dritat e pasarelave të Haute Couture Week, por magjia e Pranverë – Verë 2026 vazhdon të pulsojë në çdo siluetë, strukturë dhe detaj që shtëpitë prezantojnë.
Në vend të një shpërthimi estetik, ky sezon tregoi rikthim te ndërtimi konstruksioni i veshjeve, te forma dhe arkivat historike, si për të riafirmuar themelet mbi të cilat ndërtohet Haute Couture. Disa shtëpi zhvendosën vëmendjen nga skenografia te vetë veshja, duke e trajtuar pasarelën si hapësirë leximi të siluetës dhe teknikës. Të tjera ruajtën dimensionin teatral, por spektakli shpesh funksionoi si zgjatim i identitetit vizual të shtëpive.
Dior – Një fillim që ndërton besim
Debutimi i parë couture i Jonathan Anderson për Dior u fokusua te struktura, materiali dhe disiplinimi i siluetës. Motivet florale rikthehen si siguri brenda ADN-së së shtëpisë, ndërsa ndërtimi i veshjeve tregonte respekt të qartë për trashëgiminë. Rezultati ishte elegant dhe kishte më shumë evolucion sesa revolucion në këtë koleksion të parë. Një fillim që krijon besim, por jo një kthesë që ripërcakton Dior Couture.
Chanel – Elegancë e sigurt
Në kontrast, Chanel zgjodhi një rrugë të zhytur në fantazi. Skenografia e frymëzuar nga natyra imagjinare u bë pjesë integruese e koleksionit. Materialet e lehta, transparente dhe tonalitetet e buta ruanin elegancën tipike të shtëpisë, pa sfiduar trupin apo imponuar forma radikale. Kjo siguri estetike e mbajti koleksionin brenda kodit klasik të shtëpisë, duke përforcuar identitetin ekzistues më shumë sesa duke e zgjeruar atë.
Schiaparelli – Sfidoi kufijtë mes artit dhe veshjes
Daniel Roseberry shtyu siluetat drejt formave të theksuara, duke afruar pasarelën me performancën artistike. Në disa pjesë të koleksionit, detajet dukeshin më shumë për t’u parë sesa për t’u veshur. Referencat vizuale, muzika dhe teatraliteti krijuan një moment të spikatur në pasarelë. Ky koleksion ishte një nga pak zërat më të guximshëm të sezonit duke eksperimentuar me formën pa humbur disiplinën e veshjes, sepse moda nuk është vetëm elegancë, por edhe një mënyrë për të shtyrë kufijtë e saj.
Elie Saab & Zuhair Murad – Glamour romantik
Këto dy shtëpi rikthyen elegancën klasike dhe romantizmin në pasarelë, duke vendosur në qendër të veshjeve format e trupit dhe qëndisjet e detajuara. Pjesët e koleksionit nuk sfidonin kufijtë formalë, por krijuan momente frymëmarrjeje mes eksperimenteve më teatrale. Çdo fustan tregonte sensualitet dhe finesë, një kontrast i këndshëm me dramat e Schiaparelli apo minimalizmin e Dior.
Armani Privé – Pikë referimi për disiplinën couture
Besnik ndaj filozofisë së shtëpisë, Armani Privé ruajti elegancën, linjat e pastra dhe luksin e rafinuar. Nën drejtimin e Silvana Armanit, koleksioni ofroi stabilitet dhe vazhdimësi, me format e zgjatura, prerjet e buta dhe përdorimi i ngjyrave më të lehta e më femërore se zakonisht. Kjo pozicionoi shtëpinë si zë i stabilitetit, jo i transformimit.
Valentino – Përvojë për t’u përjetuar
Debutimi i Alessandro Michele u ndërtua si një udhëtim emocional, ku ritmi, ndriçimi, muzika dhe skenografia e menduar në detaje krijonin një atmosferë të qëllimshme ngadalësimi të modës. Atmosfera e dendur dhe shtresat estetike e bënë prezantimin të paharrueshëm, por jo çdo veshje arrinte të dilte e pavarur nga skenografia që e rrethonte. Koleksioni nuk ka krijuar një bosht forme të re dhe gjithçka shërbente për të përjetuar Valentino Couture si eksperiencë. Ky kontekst lë të hapur pyetjen nëse drejtimi aktual i shtëpisë do të përkthehet në një identitet të ri për Valentino Couture në sezonet që vijnë.
Couture mes trashëgimisë dhe eksperimentit
Ky sezon tregoi se kishte prani të trashëgimisë dhe eksperimentit. Disa shtëpi zgjodhën siguri, disa guxim, disa emocione, por të gjitha treguan se moda e lartë reflekton mbi identitetin e saj.
Në një kohë pasigurish globale dhe lodhjeje vizuale, rikthimi te struktura, trupi dhe mjeshtëria duket zgjedhje e vetëdijshme. Mbetet për t’u parë nëse kjo elegancë e sigurt do të hapë rrugën për eksperimentim, apo couture do të vazhdojë të lëvizë me hapa të kujdesshëm brenda kufijve historikë.
– THELB,

