Nëse do t’i shihje sot në një pasarelë mode apo në një editorial fotografie, ndoshta nuk do ta mendoje menjëherë se janë pjesë e një tradite shqiptare të ruajtur prej shekujsh në Siçili.
Kostumet arbëreshe të Piana degli Albanesi, me qëndisjet në ar, siluetat monumentale dhe elegancën teatrale, duken sot pothuajse si krijime couture. Ajo që i bën kaq interesante është mënyra si një trashëgimi etnografike shqiptare vazhdon të duket ende moderne vizualisht.
Për arbëreshët, këto veshje kanë qenë identitet, kujtesë dhe mënyrë për të ruajtur lidhjen me origjinën shqiptare përtej shekujve dhe largësisë.

Sigurisht, edhe Shqipëria ka një nga trashëgimitë më të pasura etnografike në rajon. Nga xhubleta te kostumet e jugut apo veshjet ceremoniale të trevave të ndryshme shqiptare, tradita jonë e kostumeve ka një pasuri të jashtëzakonshme. Por ajo që i bën veçanërisht interesante kostumet arbëreshe të Piana degli Albanesi është mënyra si ato janë transformuar ndër shekuj jashtë Shqipërisë.
Arbëreshët u vendosën në disa zona të jugut italian, duke marrë me vete gjuhën, traditat, ritin fetar dhe mënyrën e të veshurit. Me kalimin e kohës, këto elementë ruajtën origjinën shqiptare, por njëkohësisht u pasuruan nga ndikimi i kulturës siçiliane, nga cilësia e stofrave, qëndisjet në ar dhe sofistikimi i punimit artizanal.
Kostumet e Piana degli Albanesi konsiderohen sot ndër më të veçantat e botës arbëreshe. Ato ruajnë simbolikën dhe strukturën ceremoniale shqiptare, por njëkohësisht mbartin një elegancë që edhe sot duket çuditërisht bashkëkohore.

Në botën e modës, trashëgimia kulturore prej kohësh nuk lexohet më vetëm si folklor dhe për shumë prej shtëpive më të mëdha të modës, ajo është kthyer në burim frymëzimi për silueta, tekstura punime apo qëndisje.
Nga Dolce & Gabbana te Valentino apo Alexander McQueen, referencat ndaj kostumeve tradicionale, veshjeve ceremoniale dhe artizanatit lokal janë përdorur vazhdimisht për të ndërtuar koleksione që lidhin modën me identitetin.
Edhe kostumet shqiptare jane një arkiv i jashtëzakonshëm estetik që mund të lexohet përtej folklorit. Disa stilistë shqiptarë kanë nisur gradualisht t’i rikthehen kësaj trashëgimie duke e rivizituar në një gjuhë bashkëkohore. Një nga rastet më interesante është ai i stilistit kosovar Etnik Shala, i cili spikat pikërisht për mënyrën si ndërthur elementë të trashëgimisë shqiptare me silueta moderne dhe një estetikë më konceptuale përfshirë edhe prezantimet e tij në London Fashion Week të para një viti.

Kjo ndoshta është mënyra më interesante se si tradita mund të jetojë në mode në formën e një gjuhe estetike që vazhdon të evoluojë. Etnografia shqiptare mbetet jashtëzakonisht e pasur, një arkiv që mund të shërbejë si frymëzim për mënyrën si moda shqiptare mund të ndërtojë identitetin e saj vizual.
— THELB,

