Për vite me radhë, moda shqiptare ka ekzistuar më shumë përmes individualitetit të stilistëve sesa si një industri e organizuar. Emra të njohur kanë arritur të krijojnë identitetin e tyre artistik dhe estetik, por shpesh në mënyrë të izoluar, pa një strukturë të mirëfilltë që ta lidhte kreativitetin me industrinë, tregun dhe mundësitë ndërkombëtare.
Pikërisht në këtë moment vjen krijimi i Albanian International Fashion Federation (AIFF), institucioni i parë në Shqipëri që synon të funksionojë si një platformë e strukturuar për zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e modës shqiptare.
E frymëzuar nga modele si Camera Nazionale della Moda Italiana, British Fashion Council apo Fédération de la Haute Couture et de la Mode, federata synon të krijojë një kalendar zyrtar mode, të organizojë Albania Fashion Week dy herë në vit dhe të ndërtojë lidhje më të qëndrueshme mes stilistëve shqiptarë dhe industrisë ndërkombëtare të modës.
Në një kohë kur moda botërore funksionon gjithnjë e më shumë si system, ku bashkëjetojnë kreativiteti, industria, media, tregu dhe identiteti kulturor, krijimi i një strukture të tillë në Shqipëri duket si një hap që për shumë kohë ka munguar.
Moda sot nuk ndërtohet vetëm mbi talentin individual. Ajo kërkon platforma, rrjete, komunikim dhe mundësi reale zhvillimi dhe rëndësia më e madhe e AIFF është tentativa për ta parë modën shqiptare si një ekosistem që mund të funksionojë dhe të prezantohet më qartë edhe jashtë vendit.
Një nga elementët më interesantë të kësaj nisme është pikërisht dimensioni ndërkombëtar. Federata nuk synon të mbetet vetëm në organizimin e eventeve lokale, por të krijojë ura komunikimi mes stilistëve shqiptarë dhe kryeqendrave të modës si Milano, Parisi apo Londra.
Dhe ndoshta pikërisht këtu nis edhe sfida reale sepse moda shqiptare ka pasur prej vitesh kreativitet dhe potencial estetik, por jo gjithmonë një sistem që ta mbështesë atë në mënyrë të vazhdueshme. Në shumë raste, suksesi ka ardhur më shumë nga përpjekjet individuale të stilistëve sesa nga ekzistenca e një industrie të organizuar.
Krijimi i AIFF duket se tenton të ndryshojë pikërisht këtë logjikë.
Përmes projekteve si Albania Fashion Week apo Fashion Future Forum, ideja është të krijohet një hapësirë ku stilistët, kompanitë, prodhimi, media dhe bashkëpunimet ndërkombëtare të mos funksionojnë të ndara, por si pjesë e të njëjtit zhvillim.
Nisma është konceptuar dhe drejtuar nga Gentiana Dervishi, vizioni i së cilës fokusohet në ndërtimin afatgjatë të një platforme që mund të krijojë më shumë strukturë dhe prezencë ndërkombëtare për modën shqiptare.
Sigurisht, mbetet ende herët për të kuptuar se deri ku mund të arrijë ky projekt dhe sa realisht mund të ndikojë në industrinë shqiptare të modës. Por vetë ideja e krijimit të një institucioni që e trajton modën si industri dhe jo vetëm si event apo spektakël, shënon një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën si ky sektor po fillon të mendohet në Shqipëri.
— THELB,

