Pse Vanity Fair e konsideron Papa Leone XIV një ‘Original’ të stilit?

7 Min Read

Vanity Fair US e ka përfshirë Papa Leone XIV në listën e saj ‘Best Dressed 2026’,

Revista amerikane e ka rikthyer këtë listë pas një dekade dhe, në vend që të krijojë vetëm një renditje klasike, ka zgjedhur t’i ndajë figurat në pesë kategori: ‘Originals’, ‘Perennials’, ‘Professionals’, ‘Duos’ dhe ‘The Futur’.

Papa është pjesë e kategorisë ‘Originals’, ku revista përfshin njerëz me një stil personal, të dallueshëm dhe të papritur. Çfarë pa Vanity Fair te mënyra e veshjes së Leone ?

Në një listë mode, emri i Papa Leo XIV nuk është ai që do të prisnim të shihnim e aq më tepër pranë Björk, Rosalía, Spike Lee apo Sandy Powell. Vanity Fair e përshkruan këtë kategori si njerëz me mënyra të pazakonta të të veshurit, që sjellin surprizë dhe, mbi të gjitha, kanë një pikëpamje të veçantë personale.

Veshja e një pape është ndoshta një nga format më të kodifikuara të veshjes publike. Nuk është një gardërobë që ndryshon sipas trendeve, ajo lidhet me funksionin, traditën dhe simbolikën e rolit. Për këtë arsye, çdo detaj që del jashtë kodit të zakonshëm bëhet më i dukshëm.

Vanity Fair veçon si pamjen më karakteristike të Leone XIV një fotografi ku ai shfaqet me veshjen e bardhë papnore dhe një palë atlete Nike. Kontrasti mes një veshjeje kaq formale dhe një pale atletesh sportive është pikërisht ajo që e bëri imazhin tërheqës. Sipas Vanity Fair, kjo nuk është krejt e shkëputur nga mënyra se si Leone XIV vishej edhe para se të bëhej Papë. Kur ishte ende kardinal Robert Prevost, i njohur edhe si ‘Father Bob’, ai kishte një qasje më pak formale ndaj veshjes së tij të përditshme.

Imazhi ishte aq i pazakontë sa, kur u shfaq për herë të parë, shumë njerëz në internet dyshuan se ishte i rremë. Konteksti i inteligjencës artificiale e bëri edhe më të lehtë këtë dyshim duke qenë se vetëm pak vite më parë, një imazh i krijuar me AI i Papa Françeskut me një xhaketë të bardhë Balenciaga ishte bërë viral. Por këtë herë fotografia ishte reale.

Atletet, megjithatë, nuk ishin një model i zgjedhur rastësisht. Bëhet fjalë për një palë Nike retro, një model i viteve ’70 që nuk prodhohet më. Ky detaj e bëri edhe më interesant imazhin sepse nuk ishte një palë atlete të reja, të zgjedhura për të ndjekur një trend, por një model me një histori të vetën. Gjithashtu, në daljet e tij publike, ai ka preferuar herë pas here këpucë të zeza Oxford në vend të këpucëve tradicionale të kuqe papnore. Mban një orë quartz zvicerane të një marke që nuk prodhohet më, ka vazhduar të përdorë një çantë të vjetër dhe në qershor 2025, u shfaq në Sheshin e Shën Pjetrit me një kapelë Chicago White Sox.

Janë pikërisht këto detaje që Vanity Fair ka përfshirë në leximin e stilit të tij. Revista e përshkruan këtë qasje si wry casualness’, një mënyrë disi e çlirët dhe më pak solemne për t’u veshur, edhe pse vetë roli që ai përfaqëson është ndër më formalët që ekzistojnë.

Sigurisht që kjo nuk vjen nga ndryshimi i veshjes papnore, por nga mënyra se si elementet personale futen brenda saj. Një papë nuk mund të shfaqet thjesht si çdo burrë tjetër në rrugë, por brenda një imazhi jashtëzakonisht formal, një palë atlete apo një kapelë bejsbolli bëhen menjëherë shenja personale. Në një farë mënyre, ato i tregojnë publikut se kush është personi brenda rolit.

Marrëdhënia mes modës dhe veshjes fetare nuk është aspak e re. Veshjet kishtare kanë frymëzuar stilistë për dekada, pikërisht sepse kanë një gjuhë të fuqishme vizuale, ngjyra, materiale, silueta, qëndisje, volum dhe ceremonialitet. Moda ka përdorur vazhdimisht simbolikën katolike si material estetik dhe kulturor. Ekspozita Heavenly Bodies, Fashion and the Catholic Imagination, e organizuar nga Metropolitan Museum of Art në vitin 2018, ishte një nga shembujt më të dukshëm të këtij dialogu.

Pra, interesi i modës për papatin nuk fillon me Leone XIV, por ajo që ndryshon është mënyra se si figura e Papës qarkullon sot, në kulturën e imazhit.  Një papë i shekullit XXI nuk ekziston vetëm brenda hapësirës së institucionit që përfaqëson. Ai ekziston edhe në fotografi, video, rrjete sociale dhe në kulturën vizuale të përditshme. Kjo e ndryshon marrëdhënien e publikut me të.

Një imazh i Papës mund të trajtohet si lajm politik, si dokument fetar, si fotografi historike ose, papritur, si referencë stili. Një palë atlete u bënë objekt diskutimi, më pas u bënë pjesë e botës së internetit dhe tani janë pjesë e mënyrës se si një revistë si Vanity Fair e përshkruan stilin e tij.

Pse pikërisht ‘Original’? Vanity Fair nuk po e paraqet atë si një ikonë mode dhe as nuk po e vendos në garë me stilistët, aktorët apo muzikantët. Ajo ka vënë re diçka shumë më konkrete: mënyrën se si disa zgjedhje personale janë bërë pjesë e imazhit të tij. Një papë nuk ka luksin të ndërtojë një garderobë sipas trendeve. Veshja e tij është e përcaktuar nga kodet. Megjithatë, edhe brenda këtye kodeve, disa zgjedhje mund të tregojnë diçka më shumë për personin. Në rastin e Leone XIV, ato kanë qenë mjaftueshëm të dukshme sa të tërheqin vëmendjen e Vanity Fair US.

-THELB,

Share This Article