Colette, dyqani që ndryshoi mënyrën si konsumojmë kulturën

3 Min Read

Në vitin 1997, në Rue Saint-Honoré të Parisit hapi dyert një dyqan që në pamje të parë nuk dukej shumë ndryshe nga të tjerët. Quhej Colette, sipas themelueses së tij, Colette Roussaux, e cila së bashku me vajzën e saj Sarah Andelman do të krijonin një hapsirë me shumë ndikim në fushën e modës dhe kulturës. Në pamje të parë ishte një dyqan, në realitet, ishte një ide e re mbi stilin.

Asokohe moda, librat, muzika, arti dhe teknologjia trajtoheshin si botë të ndara, por Colette i bashkoi nën të njëjtën çati. Mund të hyje për të parë një koleksion mode dhe të dilje me një libër fotografie, një revistë, një objekt dizajni apo një artist të ri të preferuar.

Sot kjo na duket e zakonshme. Në fund të viteve ’90 ishte revolucionare.

Shumë njerëz nuk shkonin aty vetëm për të blerë, por për të zbuluar të rejat e fundit. Colette u bë një lloj barometri kulturor, një vend ku mund të shihje se çfarë po vinte më pas.

Ndikimi i saj u përhap shpejt përtej Parisit. Markat mezi prisnin të ekspozoheshin në vitrinat e saj. Artistët kërkonin të organizonin evente aty. Gazetarët e modës e vizitonin rregullisht për të kuptuar se cilat ishin tendencat e fundit.

Ndër admiruesit më të njohur ishte Karl Lagerfeld. Dizajneri gjerman e përmendte shpesh Colette si një nga vendet e tij të preferuara në Paris dhe si një nga pak hapësirat ku mund të gjente vazhdimisht diçka të re. Për Lagerfeld, i njohur për kureshtjen e tij të pangopur ndaj librave, artit, teknologjisë dhe modës, Colette mishëronte pikërisht këtë përzierje kulturash.

Gjatë dy dekadave të ekzistencës së saj, Colette organizoi bashkëpunime, ekspozita, lançime produktesh dhe ngjarje që tërhiqnin emrat më të rëndësishëm të modës, dizajnit dhe artit. Dyqani që nuk ishte thjesht një adresë në Paris u kthye një pikë takimi për industrinë kreative ndërkombëtare.

Kur u njoftua mbyllja e saj në vitin 2017, lajmi u raportua nga pothuajse çdo media e rëndësishme e modës në botë. Për shumë njerëz, mbyllja e Colette shënoi fundin e një epoke. Dyqani e mbylli historinë e tij me një bashkëpunim të fundit me Saint Laurent, ndikimi I të cilit vijon të përmendet edhe sot. Themeluesja Colette Roussaux vendosi të tërhiqej pas dy dekadash aktivitetin në kulmin e famës së saj.

Çdo hapësirë që bashkon modën me librat, dizajnin, muzikën apo teknologjinë i detyrohet diçka vizionit që lindi në Paris në vitin 1997.

— THELB,

Share This Article