Një tjetër Dhërmi, aty ku historia i paraprin verës

2 Min Read

Për shumë nga ne Dhërmiu lidhet me verën, detin dhe ritmin që çdo sezon veror e kthen rivierën e mrekullueshme shqiptare në një nga destinacionet më të frekuentuara të Mesdheut.

Por pak më sipër vijës bregdetare, larg zhurmës që ka nisur të përcaktojë identitetin e ri të zonës, ndodhet një tjetër Dhërmi, një vend ku koha duket se lëviz ndryshe.

Në zemër të fshatit të vjetër jugor spikat Manastiri i Shën Mërisë, një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë ortodokse në jugun shqiptar dhe një nga ato hapësira që të kujtojnë se historia e rivierës shqiptare nuk ka nisur me turizmin.

I vendosur mbi kodrën që sheh drejt detit Jon, manastiri ka qenë për shekuj jo vetëm një qendër fetare, por pjesë e jetës kulturore dhe shpirtërore të komunitetit të Dhërmiut. Në këtë peizazh ku sot dominon sezoni veror, ai mbetet një nga elementët e rrallë që ruan ende kujtesën e një Shqipërie tjetër.

Arkitektura prej guri, afresket, oborri dhe panorama që hapet mbi bregdet krijojnë një kontrast të pazakontë me mënyrën se si kjo zonë perceptohet sot dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron rëndësia e vendeve si ky. Manastiri nuk është vetëm monument fetar apo destinacion historik, por dëshmi e gjallë e një vazhdimësie kulturore që ekziston paralelisht me transformimin e diskutueshëm të rivierës.

Çdo verë, mijëra njerëz mbërrijnë në Dhërmi për të përjetuar një version bashkëkohor të bregdetit shqiptar. Megjithatë, pak larg tyre vazhdon të ekzistojë një tjetër histori, shumë më e vjetër. Një histori që flet për kujtesën, për besimin dhe për shtresat kulturore që e kanë formuar këtë territor shumë përpara se Riviera shqiptare të kthehej në destinacion.

Ndoshta, në prag të verës, Manastiri i Shën Mërisë është kujtesa më e qartë se peizazhi nuk është vetëm ajo që shohim sot. Ai është edhe kujtesa e një historie që vazhdon të ekzistojë nën shtresat e reja të këtij peizazhi.

– THELB,

Share This Article