Dikur një book club nënkuptonte disa njerëz, një libër dhe një bisedë rreth tij. Sot mund të jetë një darkë me një shkrimtar, një reading party në një bar, një fundjavë në një vilë, disa ditë udhëtim me njerëz që nuk i ke takuar kurrë më parë apo edhe një orë e kaluar në heshtje, duke lexuar mes të panjohurve.
Në Britani, eventet e book club-eve të listuara në Eventbrite janë rritur me 350% mes viteve 2019 dhe 2023. Në Londër, eventet letrare po tërheqin një publik të ri në bare, galeri dhe hapësira që jo domosdoshmërisht do t’i lidhnim me një mbrëmje kushtuar librave.
Ka diçka interesante në gjithë këtë. Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë mundësi për të folur për libra pa takuar askënd. BookTok, Bookstagram, Goodreads dhe klubet virtuale mund të na lidhin në pak sekonda me mijëra lexues. E megjithatë, një pjesë e kulturës së leximit po shkon në drejtimin e kundërt: nga ekrani te tavolina, nga komenti te biseda, nga njerëzit që ndjekim te njerëzit që kemi përballë.
Një histori shumë më e vjetër se Instagrami
Ideja, në fakt, nuk është aspak e re. Në Londrën e shekullit XVIII, Bluestockings, rrethi i lidhur me gra si Elizabeth Montagu dhe Elizabeth Vesey, mblidhej në sallone për të diskutuar letërsi, filozofi, art dhe politikë. Asokohe, kur gratë kishin akses të kufizuar në institucionet e dijes, këto takime krijuan hapësira ku ato mund të merrnin pjesë në jetën intelektuale dhe të ndërtonin marrëdhënie me njëra-tjetrën. Pothuajse tre shekuj më vonë, forma është krejt tjetër.

Sot, Her Literary Society ndërthur librat me udhëtimet dhe takimet, ndërsa britanikja Ladies Who Lit organizon retreats dhe pushime letrare. Pjesëmarrëset mund të mbërrijnë vetëm dhe të kalojnë disa ditë duke lexuar, shëtitur, ngrënë dhe biseduar me njerëz që më parë nuk i njihnin.
Ndoshta libri e bën këtë më të lehtë. Kur dy njerëz kanë lexuar të njëjtën histori, nuk kanë nevojë ta fillojnë njohjen nga zero. Një personazh, një fjali apo një ide mund të hapë një bisedë që përndryshe do të kërkonte shumë më tepër kohë. Libri bëhet një mënyrë për të kaluar nga small talk te një bisedë e vërtetë.
Në këtë kuptim, book club-i i ri nuk ka të bëjë vetëm me dëshirën për të lexuar më shumë. Ka të bëjë edhe me dëshirën për të gjetur njerëz me të cilët kemi gjera të përbashkëta për të thënë.
Të lexosh vetëm, së bashku
Ndoshta shembulli më interesant i këtij paradoksi është Silent Book Club, i nisur në San Francisco në vitin 2012. Nuk ka një libër të detyrueshëm dhe as një diskutim formal. Secili sjell librin e vet, njerëzit mblidhen dhe, për një pjesë të takimit, thjesht lexojnë së bashku në heshtje. Modeli është përhapur ndërkombëtarisht dhe disa prej takimeve të tij mbledhin dhjetëra njerëz.
Në pamje të parë duket pothuajse e pakuptimtë. Pse të dalësh nga shtëpia për të bërë pranë njerëzve të tjerë një aktivitet që mund ta bësh shumë mirë vetëm?
Rritja e këtyre komuniteteve përkon edhe me një interes më të gjerë për forma socializimi që nuk kalojnë vetëm përmes ekranit. Run clubs, grupe krijuese, darka kolektive dhe komunitete të tjera po përdorin shpesh rrjetet sociale për të bërë pikërisht të kundërtën e asaj që presim prej tyre: për t’i nxjerrë njerëzit nga interneti dhe për t’i takuar në jetën reale.
Kur leximi bëhet edhe lifestyle
Sigurisht, book club-i i vitit 2026 nuk ka shpëtuar nga estetika. Vila historike, biblioteka të bukura, tavolina të shtruara, filxhanë çaji, qirinj, taccuinë, libra të zgjedhur me kujdes, yoga në mëngjes dhe orë leximi në heshtje. Reading retreat mund të duket po aq mirë në Instagram sa një fundjavë wellness.
Edhe moda e ka kuptuar fuqinë e librit si objekt kulturor. Dua Lipa, Kaia Gerber dhe Reese Witherspoon kanë ndërtuar komunitete të mëdha rreth book club-eve të tyre, ndërsa shtëpitë e modës po e afrojnë gjithnjë e më shumë letërsinë me botën e tyre. Në Milano, Miu Miu Literary Club e vendos librin në dialog me artin, performancën dhe bisedat mes shkrimtareve dhe figurave të kulturës. Në vitet e fundit edhe marka si Dior dhe Coach e kanë përdorur librin brenda koleksioneve dhe bashkëpunimeve të tyre.
Kjo i jep fenomenit edhe një anë më të diskutueshme. Në momentin kur leximi bëhet lifestyle, ekziston rreziku që edhe ai të kthehet në një tjetër estetikë për t’u konsumuar. Libri i duhur mbi tavolinë, biblioteka perfekte për t’u fotografuar, kopertina që shkon bukur me filxhanin e kafesë. Mund të përfundojmë duke performuar idenë e të lexuarit me të njëjtën lehtësi me të cilën performojmë udhëtimin, ushqimin apo mënyrën si vishemi.
Çfarë mbetet pasi fotografia është bërë dhe telefoni është lënë mënjanë? Ndoshta luksi është koha. Koha për të lexuar pa kontrolluar një njoftim për të përfunduar një mendim. Në një ditë të copëtuar nga mesazhet, scrolling-u dhe konkurrenca e vazhdueshme për vëmendjen tonë, disa orë të pandërprera me një libër dhe me njerëz të tjerë mund të jenë bërë vërtet një formë luksi.
Në Itali, kjo dëshirë po merr gjithashtu forma të ndryshme. Krahas Miu Miu Literary Club, komunitete të pavarura si Viaggiare coi Libri, krijuar nga Giulia Buzzoni dhe Gaia Lapasini, organizojnë reading parties, piknikë, grupe leximi dhe fundjava të tëra rreth librave. Barattoli&Co e ndërthur book club-in me retreats, darka dhe aktivitete të frymëzuara nga tema e takimit.

Formatet mund të ndryshojnë, por dëshira pas tyre duket e njëjtë. Ndoshta nuk po shohim thjesht rikthimin e book club-it. Po shohim rikthimin e leximit si një përvojë që kishte humbur, pas vitesh në të cilat një pjesë gjithnjë e më e madhe e formimit dhe socializimit tonë është zhvendosur në ekran.
Bluestockings nuk do ta njihnin WhatsApp-in, BookTok-un apo një reading retreat. Por do ta njihnin shumë mirë fuqinë e të mbledhurit rreth librave. Sepse leximi nuk na jep vetëm histori; formon mendimin, ndërsa biseda e sfidon dhe e pasuron atë. Dhe mënyra si mendojmë, herët a vonë, ndikon edhe në atë që zgjedhim, çfarë lexojmë, kujt i besojmë, me kë rrethohemi dhe si duam të jetojmë.
-THELB,

