Ferrari ka prezantuar makinën e saj të parë tërësisht elektrike, duke shënuar një nga transformimet më të mëdha në historinë e markës italiane të supermakinave.
Modeli i ri, i quajtur ‘Luce’, në shqip ‘dritë, u prezantua në Romë mes një spektakli me drita dhe muzikë, ndërsa kompania synon të hyjë fuqishëm në tregun e automjeteve elektrike luksoze, pavarësisht ngadalësimit të kërkesës botërore për makina elektrike luksoze.

Ndryshe nga modelet tradicionale agresive dhe sportive të Ferrarit, ‘Luce’ sjell një qasje më elegante dhe futuriste. Automjeti ka katër dyer, pesë vende dhe një dizajn më minimalist, me sipërfaqe të mëdha xhami dhe linja më të buta aerodinamike. Brenda, Ferrari ka ruajtur luksin klasik italian me lëkurë premium, alumin të anodizuar dhe kontrolle fizike, duke shmangur qasjen plotësisht me ekran me prekje të përdorur nga kompani si Tesla.
Një nga detajet që ka tërhequr më shumë vëmendje është përfshirja e ish-dizajnerit legjendar të Apple, Jony Ive, dhe studios së tij LoveFrom në zhvillimin estetik dhe konceptual të modelit. Mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar ‘Luce’ si një përzierje mes luksit italian dhe filozofisë minimaliste të Silicon Valley.
Makina përdor katër motorë elektrikë, një për secilën rrotë, duke prodhuar më shumë se 1,000 kuaj fuqi. Ferrari deklaron se ‘Luce’ arrin shpejtësi maksimale mbi 310 km/h dhe ofron autonomi mbi 500 kilometra me një karikim të vetëm.
Pavarësisht peshës prej mbi 2.2 tonësh, kompania pretendon se teknologjia e shpërndarjes së fuqisë në secilën rrotë i jep automjetit manovrim dhe performancë të ngjashme me supermakinat tradicionale të markës.

Një tjetër element interesant është sistemi audio i krijuar për të rikrijuar ‘emocionin’ karakteristik të motorëve Ferrari. Sipas kompanisë, tingulli i motorit elektrik është amplifikuar dhe modifikuar për të ruajtur ndjesinë akustike që klientët e Ferrarit e lidhin me motorët V8 dhe V12.
Drejtori ekzekutiv i Ferrarit, Benedetto Vigna, u shpreh se projekti është rezultat i pesë viteve zhvillimi dhe përfaqëson vizionin e ri të kompanisë për luksin dhe teknologjinë.
Ndërsa drejtori i marketingut dhe shitjeve, Enrico Galliera, deklaroi se Ferrari po synon klientë që kërkojnë një eksperiencë të ndryshme nga supermakinat tradicionale, veçanërisht familje të pasura dhe tregje si Kina, ku automjetet elektrike po dominojnë gjithnjë e më shumë industrinë.
Çmimi i ‘Luce’ nis nga rreth 550 mijë euro, ndërsa dorëzimet e para pritet të fillojnë në fund të vitit 2026.
Prezantimi i modelit vjen në një moment delikat për industrinë e automjeteve elektrike luksoze. Ndërsa marka si Porsche dhe Lamborghini kanë ulur pritshmëritë për shitjet e automjeteve elektrike për shkak të kërkesës më të dobët, Ferrari po bën një bast të madh se brezi i ri i konsumatorëve të produkteve të luksit, rritur me teknologji, inteligjencë artificiale dhe produkte dixhitale, gati të përqafojnë një supermakinë elektrike me identitet krejtësisht të ri.
— THELB,

