Gjithçka nisi me dy PDF

Gjithçka nisi me dy PDF

5 Min Read

Marco Grossi po përpiqej të zgjidhte një problem të vogël. Sot iLovePDF është një nga shërbimet më të përdorura dhe  pjesa më e madhe e përdoruesve vazhdon ta përdorë falas.

Ka shumë mundësi që ta keni përdorur iLovePDF pa ditur asgjë për njeriun që e krijoi. Ndoshta ju është dashur të bashkoni disa dokumente, të zvogëloni madhësinë e një skedari, të ktheni një PDF në Word ose thjesht të ndani disa faqe nga një dokument. Hyni në faqe, bëni atë që ju duhet dhe largoheni. Por, pas këtyre veprimeve tona që lehtësohen nga një shërbim, ka një histori.

Në vitin 2010, Marco Grossi bëri pak a shumë të njëjtën gjë. Vetëm se, në vend që të kërkonte një tjetër faqe për t’ia zgjidhur problemin, vendosi të ndërtonte një të tillë. Grossi, student dizajni në Barcelonë, kishte nevojë të ndërhynte në një dokument PDF. Ishte një veprim i thjeshtë, por jo aq i thjeshtë për t’u realizuar me mjetet që ekzistonin atëherë. Atij iu duk se mund ta krijonte vetë zgjidhjen. Kështu nisi iLovePDF.

Marco Grossi, themeluesi i iLovePDF, platformës online për menaxhimin dhe përpunimin e dokumenteve PDF.
Marco Grossi, krijuesi dhe themeluesi i iLovePDF.

Në fillim nuk kishte ndonjë plan të madh biznesi pas saj. Ishte thjesht një projekt personal, i ndërtuar për të zgjidhur një problem konkret. Vetë kompania e përshkruan fillimin si një nevojë ku  faqja, e krijuar në Barcelonë në vitin 2010, nisi me mjete për të bashkuar dhe ndarë PDF-të.

PDF-të nuk janë një temë veçanërisht emocionuese. Nuk janë rrjete sociale apo video lojra dhe as teknologji që premtojnë të ndryshojnë mënyrën se si jetojmë. Janë dokumente. Një prej atyre gjërave të zakonshme që na kujtohen vetëm kur na duhet të bëjmë diçka me to. Grossi vazhdoi ta zhvillonte i vetëm projektin për vite. Sipas El País, ai e mbajti iLovePDF si një sipërmarrje personale deri në vitin 2017, kur punësoi personin e parë. Sot kompania ka një ekip prej dhjetëra personash në Barcelonë.

Ndërkohë, iLovePDF sot ofron më shumë se 25 mjete për të organizuar, optimizuar, modifikuar, konvertuar dhe mbrojtur skedarët PDF. Në vitin 2017 erdhi aplikacioni për telefonat, ndërsa një vit më vonë kompania lançoi versionin desktop, i cili mundëson përpunimin e dokumenteve offline dhe lokalisht në kompjuter. Faqja është e disponueshme në 25 gjuhë dhe, sipas të dhënave të publikuara nga vetë kompania, ka përpunuar më shumë se 500 milionë skedarë.

Shifra që e bën historinë vërtet të pazakontë është trafiku. Në tetor 2024, iLovePDF regjistroi rreth 150 milionë vizitor, sipas të dhënave të Ahrefs të cituara nga El País. Kjo e vendoste faqen mes 50 website- t më të vizituara në internet në atë periudhë.

Pjesa më e madhe e përdoruesve nuk paguan për shërbimin bazik, ndërsa versionet Premium ofrojnë më shumë mundësi dhe kufij më të lartë përdorimi. Sipas Grossi-t, rreth 99.9% e përdoruesve kanë nevojat e tyre të mbuluara nga versioni falas. Të ardhurat vijnë kryesisht nga përdoruesit që kanë nevoja më të avancuara, veçanërisht bizneset që përdorin shërbimet Premium.

Për iLovePDF kaq mjafton. Grossi nuk e ndërtoi kompaninë duke kërkuar vazhdimisht financime nga investitorë. Sipas El País, iLovePDF nuk ka pasur investim të jashtëm dhe Grossi nuk është i interesuar ta shesë kompaninë. Është një mënyrë më pak e zakonshme për të ndërtuar një kompani teknologjie, sidomos kur produkti arrin një përdorim kaq të madh, por Grossi duket se ka zgjedhur diçka tjetër: të përqendrohet te produkti dhe te njerëzit që e përdorin.

Është një model i thjeshtë. Sa më shumë njerëz ta përdorin shërbimin falas, aq më shumë njerëz kanë mundësi ta njohin atë dhe një pjesë e vogël paguan për funksione shtesë.

Pa shumë bujë, një problem që dikur i përkiste vetëm një personi u kthye në një shërbim që miliona njerëz e hapin kur kanë të njëjtin problem. Ndonjëherë, në internet, një ide nuk ka nevojë të jetë e madhe, mjafton të jetë e dobishme.

-THELB,

Share This Article