Spotify dhe Universal Music Group kanë arritur një marrëveshje të re licencimi që mund t’u japë abonentëve mundësinë të krijojnë remikse dhe versione ‘cover’ të këngëve duke përdorur Inteligjencën Artificiale.
Marrëveshja shënon herën e parë që Spotify do të lejojë përdoruesit të krijojnë përmbajtje muzikore të gjeneruar nga IA drejtpërdrejt përmes platformës së saj. Funksioni pritet të ofrohet si një shtesë me pagesë për përdoruesit Premium.
Sipas kompanive, përdoruesit do të mund të krijojnë versione të personalizuara të këngëve nga artistë që kanë zgjedhur të marrin pjesë në program. Kjo do të thotë se jo çdo këngë do të jetë automatikisht e disponueshme për përdorim, pasi artistët dhe autorët duhet të japin pëlqimin e tyre paraprakisht.
Spotify tha se sistemi do të funksionojë mbi baza të licencuara dhe do të përfshijë një model shpërndarjeje të të ardhurave, ku artistët, autorët dhe kompanitë muzikore do të përfitojnë nga remikset dhe cover-at e krijuara nga fansat.
‘Zgjidhja e sfidave të mëdha në muzikë është ajo që bën Spotify dhe tani radha u takon cover-eve dhe remikseve të krijuara nga fansat,’ deklaroi bashkëdrejtuesi ekzekutiv i Spotify, Alex Norström. Ai shtoi se sistemi po ndërtohet mbi ‘pëlqimin, njohjen dhe kompensimin’ e artistëve dhe autorëve pjesëmarrës.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Universal Music, Lucian Grainge, tha se iniciativa synon të ‘mbështesë artin njerëzor’ dhe të krijojë burime të reja të ardhurash për industrinë muzikore.
Universal Music përfaqëson disa nga artistët më të njohur në botë, përfshirë Taylor Swift, Ariana Grande dhe Billie Eilish, megjithëse kompanitë nuk kanë bërë publik emrat e artistëve që do të marrin pjesë në fazën e parë të projektit.
Marrëveshja vjen në një moment kur Inteligjenca Artificiale mbetet një nga temat më të debatueshme në industrinë muzikore. Artistët dhe autorët kanë ngritur shqetësime mbi të drejtat e autorit, përdorimin e zërave dhe ndikimin që muzika e krijuar nga IA mund të ketë mbi krijimtarinë njerëzore.
Në fund të prillit, Spotify prezantoi edhe sistemin ‘Verified by Spotify’, një shenjë verifikimi me tik të gjelbër që synon të ndihmojë përdoruesit të dallojnë artistët realë nga përmbajtja e krijuar me Inteligjencë Artificiale.
Kompania deklaroi se në epokën e IA-së, autenticiteti i muzikës është bërë më i rëndësishëm se kurrë.
— THELB,

