Fundi i faqeve të internetit? Google merr kontrollin e blerjeve online

5 Min Read

Për më shumë se dy dekada, mënyra si njerëzit blejnë online ka qenë pothuajse e pandryshueshme: kërko, hap disa faqe interneti, krahaso produkte, lexo review dhe më pas vendos nëse do të blesh apo jo. I gjithë interneti modern i konsumit është ndërtuar mbi këtë ritual.

Ajo që Google prezantoi këtë javë në konferencën e saj I/O 2026 mund të jetë fillimi i fundit të këtij modeli.

Me lançimin e ‘Universal Cart’ dhe integrimin e tij me asistentin AI Gemini Spark, Google po ndërton një sistem ku inteligjenca artificiale kërkon, krahason dhe blen në emrin tend dhe kjo duket se do të  ndryshojë gjithçka.

Universal Cart funksionon si një karrocë virtuale dhe unike blerjesh që ndjek përdoruesin në të gjithë ekosistemin e Google, nga Search te Gemini, YouTube dhe Gmail. Në praktikë, kjo do të thotë se një produkt mund të shtohet në karrocen virtuale të blerjeve produktin që shfaqet nga një video në YouTube, nga një kërkim në Google apo nga një rekomandim i Gemini, pa pasur nevojë që përdoruesi të hyjë fare në website-in e brandit.

Kjo është si të kalosh nga një qendër tregtare ku hyn në shumë dyqane të ndryshme, në një supermarket ku dikush tjetër zgjedh produktet për ty dhe ti vetëm konfirmon blerjen.Pjesa më e rëndësishme nuk është karroca virtuale, por AI që qëndron pas saj.

Google po e shtyn internetin drejt asaj që industria e quan ‘agentic commerce’: një model ku përdoruesi nuk bën më blerje online në mënyrë aktive, por delegon vendimmarrjen te inteligjenca artificiale.

Në vend që të kalosh orë duke kërkuar produktin më të mirë, AI monitoron tregun 24 orë në ditë, kontrollon stokun, krahason çmimet, analizon përputhshmërinë mes produkteve dhe pret momentin optimal për të blerë.

Praktikisht, blerja online kthehet nga një aktivitet njerëzor në një proces automatik dhe këtu fillon revolucioni i vërtetë.

Për vite me radhë, ekonomia e internetit është ndërtuar mbi klikimin. Brandet investuan miliarda në SEO, reklama dhe optimizim për t’u renditur sa më lart në Google Search. Qëllimi ishte i thjeshtë: të sillnin përdoruesin në website-in e tyre. Por çfarë ndodh kur përdoruesi nuk ka më nevojë të vizitojë website-in?

Nëse AI i Google mund të zgjedhë produktin, ta krahasojë dhe ta blejë direkt nga ekosistemi i vet, atëherë website-et e markave rrezikojnë të reduktohen në magazina digjitale që furnizojnë algoritmin.

Kjo mund të jetë goditja më e madhe ndaj ‘open web’ që nga lindja e rrjeteve sociale sepse për herë të parë, Google nuk po dërgon trafik drejt internetit. Po e mban përdoruesin brenda vetes gjatë gjithë procesit të konsumit.

Në këtë kuptim, Universal Cart duket më shumë si tentativa e Google për t’u bërë ‘Amazon-i universal’ i internetit.

Dallimi është se Amazon kontrollon marketplace-in e vet, ndërsa Google kontrollon pikën hyrëse të gjithë internetit. Me rreth 90% të kërkimeve të të gjithë botës online, kompania ka akses në një sasi të pashembullt të dhënash mbi sjelljen e konsumatorëve, interesat, kërkimet dhe qëllimet e blerjes.

Kur kjo fuqi kombinohet me AI agents që marrin vendime në emrin e përdoruesit, lind një pyetja: kush kontrollon zgjedhjen?

Në teori, AI premton të zgjedhë gjithmonë produktin më të mirë për përdoruesin. Por në realitet, kjo zgjedhje filtrohet nga algoritme të një kompanie të vetme që kontrollon pothuajse gjithë rrugën e konsumit online, nga kërkimi dhe informacioni, deri te rekomandimi dhe blerja

Kjo mund të krijojë një epokë të re të reklamimit digjital, ku brandet nuk do të luftojnë më për klikime nga njerëzit, por për preferencën e algoritmit. Pra, jo më  ‘SEO për njerëzit’, por optimizim për agjente AI dhe ndoshta ky është ndryshimi më i madh i internetit modern: kalimi nga ‘search engine’ në ‘decision engine’.

Për 25 vite, Google na ndihmoi të gjenim internetin. Tani, duket se AI i tij po përgatitet ta zëvendësojë atë.

— THELB,

Share This Article