Teknologjia ka hyrë prej kohësh në muzikë, fotografi, dizajn, e shumë fusha të tjera, por tani po prek një nga territoret më intime të krijimtarisë: letërsinë. Debati shpërtheu pasi disa nga fituesit e Commonwealth Short Story Prize 2026 u akuzuan online se kishin përdorur inteligjencën artificiale për të shkruar tregimet e tyre. Edhe pse nuk ka prova publike për përdorimin e AI, diskutimi tregoi diçka se lexuesit kanë filluar të dyshojnë te vetë mënyra si tingëllon shkrimi modern. Në epokën e chatbot-eve, autenticiteti nuk po matet më vetëm nga ideja, por edhe nga ritmi, struktura dhe ‘ndjesia njerëzore’ e tekstit.
Pas publikimit të fituesve, disa lexues dhe shkrimtarë online nisën të dyshonin se disa nga tekstet fituese mund të ishin shkruar pjesërisht me ndihmën e AI. Në qendër të diskutimit u vendos tregimi ‘The Serpent in the Grove’ i, fitues për rajonin e Karaibeve, të cilin përdorues të ndryshëm në rrjetet sociale e përshkruan si ‘tepër të ngjashëm me stilin e ChatGPT’.
Akuzat nuk u shoqëruan me prova konkrete. Megjithatë, fakti që debati shpërtheu kaq shpejt tregon se publiku apo lexuesi ka zhvilluar një intuitë të re për mënyrën si ‘tingëllon’ inteligjenca artificiale.
Në internet po qarkullon gjithnjë e më shpesh ideja se tekstet e krijuara nga AI kanë disa shenja karakteristike si mënyra se si ndërtohet fjalia, metaforat e përgjithshme, ritmi emocional i parashikueshëm dhe një lloj ‘perfeksioni’ steril që i bën tekstet të duken pa identitet. Madje, shumë editorë dhe lexues janë shprehur se mund ta ndjejnë kur një tekst është shkruar nga AI, edhe kur nuk mund ta provojnë.
Ky është ndoshta momenti më interesant i debatit sepse përveçse një çështje teknologjike ajo është edhe çëshje estetike. Nëse një tekst të prek emocionalisht, a ka rëndësi nëse ai është shkruar nga një njeri, nga një chatbot apo nga një kombinim i të dyjave?
Për dekada me radhë, letërsia është konsideruar si forma më njerëzore e artit, një dimension ku përveç historisë që rrëfehet ka rëndësi edhe vetëdija, përvoja dhe ndjeshmëria e autorit. Por inteligjenca artificiale po e bën këtë kufi gjithnjë e më të paqartë. Sot, shumë shkrimtarë përdorin AI për brainstorming, për redaktim apo për të krijuar variante të ndryshme të një teksti. Dhe ndërsa përdorimi i saj bëhet më normal, po bëhet gjithashtu më e vështirë të kuptohet ku mbaron asistenca teknologjike dhe ku fillon autorësia artificiale.
Në një farë mënyre, kjo krizë nuk lidhet vetëm me letërsinë, por edhe me ankthin kulturor të një epoke ku autenticiteti po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u dalluar. Në Instagram, TikTok apo muzikë, publiku është mësuar prej kohësh me filtra, algoritme dhe identitete të kuruara. Tani i njëjti dyshim po hyn edhe në libra.
Dhe ndoshta ironia më e madhe është se inteligjenca artificiale nuk po akuzohet vetëm se po kopjon njerëzit. Shumë njerëz kanë filluar të shkruajnë si inteligjenca artificiale dhe me sa duket, në epokën e chatbot-eve, frika është se ne do të fillojmë të tingëllojmë si makina.
— THELB,

