Në Pekin robotët po garojnë, çfarë do të thotë kjo për ne?

7 Min Read

Në Pekin, këto ditë, një robot humanoid vrapoi 100 metra në 9.39 sekonda, një kohë që e vendos atë, të paktën në shifër, përpara rekordit të Usain Bolt. Pastaj, në fund të garës, u rrëzua.

Vetë ngjarja dhe ai rrëzim të ngjallin natyrshëm disa mendime. Në Pekin çështja nuk ka të bëjë vetëm me shpejtësinë dhe historia nuk mbaron te koha e kronometrit. Më shumë se 2 mijë robotë po marrin pjesë në 51 disiplina, në një prezantim perfekt ku teknologjia shfaqet në forma që deri pak vite më parë do të dukeshin si skena të marra nga një film fantastiko-shkencor: robotë që vrapojnë, luajnë futboll e pingpong, kërcejnë, ngrenë pesha dhe përpiqen të kryejnë detyra që zakonisht i kemi lidhur me punën njerëzore.

Gara është fasada, pas saj qëndron një përpjekje shumë më e madhe: ndërtimi i makinave që nuk do të qëndrojnë brenda fabrikave dhe laboratorëve, por do të jenë në gjendje të lëvizin në të njëjtat hapësira ku jetojmë ne dhe të kuptojnë, në një masë gjithnjë e më të madhe, çfarë u kërkon kjo botë përballë të papriturave të përditshme.

Pista ku një robot vrapon është një mjedis i përcaktuar. Ai e di se ku fillon gara, ku duhet të shkojë dhe çfarë duhet të bëjë. Në përditshmëri, pothuajse asgjë nuk është kaq e qartë. Një objekt mund të jetë lënë në vendin e gabuar, një derë mund të jetë e mbyllur, një kabllo mund të mos përshtatet, dikush mund të ndryshojë papritur drejtim ose një detyrë mund të marrë një tjetër rrjedhë nga ajo që ishte parashikuar.

Njeriu nuk ka nevojë të programohet për këto situata. Ne i përjetojmë aq shpesh sa janë bërë pjesë e padukshme e mënyrës sonë të të jetuarit. Kur diçka nuk shkon, e kuptojmë, ndalojmë për një çast dhe gjejmë një zgjidhje. Shpesh nuk dimë as të shpjegojmë se si e kemi gjetur atë zgjidhje; thjesht e bëjmë. Për një robot, kjo është ende një nga sfidat më të mëdha.

Fakti që disa prej robotëve në Pekin u rrëzuan pasi arritën shpejtësi mbresëlënëse është më domethënës se vetë rekordi. Makina mund të ketë fuqi, koordinim dhe shpejtësi të mjaftueshme për të bërë diçka që një njeri nuk mund ta bëjë me atë ritëm, por kjo nuk do të thotë se ajo e ka fituar ende aftësinë për të menaxhuar atë që ndodh jashtë skenarit të parashikuar.

Këtu, me sa duket, po zhvendoset edhe gara e vërtetë e robotikës. Po përpiqemi të krijojmë makina që mund të hyjnë në një ambient, ta perceptojnë atë dhe të vendosin se çfarë duhet të bëjnë. Një robot që punon në një magazinë nuk duhet vetëm të lëvizë një kuti nga një pikë në tjetrën, duhet të jetë në gjendje të përballet edhe me faktin se rruga mund të jetë e zënë. Një robot në një hotel nuk duhet vetëm të transportojë diçka, duhet të lëvizë në një hapësirë ku ka njerëz, objekte dhe situata që ndryshojnë vazhdimisht. Një robot në një shtëpi do të përballet me një mjedis edhe më të paparashikueshëm, sepse shtëpitë tona nuk janë ndërtuar sipas logjikës së një fabrike.

Për ne, të gjitha këto janë informacion i zakonshëm, pjesë e një situate që e lexojmë në mënyrë pothuajse të menjëhershme. Për një makinë, secili prej tyre është një problem që duhet perceptuar, interpretuar dhe trajtuar.

Robotët e Pekinit janë më interesantë pikërisht kur dështojnë, sepse dështimi na tregon se ku ndodhet kufiri, por ndoshta na duhet të shkojmë edhe një hap më tej dhe të pyesim se ku duam ta çojmë atë kufi sepse pasi kalon habia e parë, lind një pyetje shumë më e thjeshtë: përse na duhen këta robotë?

Përgjigjja në pamje të parë mund të jetë se na ndihmojnë të kryejmë punë të rënda, të rrezikshme dhe të përsëritshme ose se mund të punojnë në vende ku prania njerëzore është e vështirë ose e kushtueshme. Nëse kjo është arsyeja, atëherë çfarë na tregon një garë 100-metërshe për këtë të ardhme? Pse duhet që një robot të vrapojë më shpejt se një njeri? Çfarë problemi njerëzor zgjidh një robot që luan futboll? Çfarë ndryshon në jetën tonë nëse një makinë mund të kërcejë, të bëjë salto apo të fitojë një ndeshje pingpongu?

Ndoshta sporti nuk është qëllimi, por thjesht laboratori. Në një fushë futbolli, një robot duhet të ruajë ekuilibrin, të lëvizë në një hapësirë që ndryshon, të ndjekë një objekt, të parashikojë lëvizjen e kundërshtarit dhe të reagojë në kohë reale. Një garë e tillë u jep inxhinierëve një mënyrë për të matur se sa mirë një makinë mund të kontrollojë trupin e saj dhe sa mirë mund të reagojë ndaj një mjedisi që nuk është krejtësisht i parashikueshëm.

Pamjet nga Pekini janë njëkohësisht mbresëlënëse dhe edhe pak shqetësuese. Për herë të parë po shohim në një shkallë kaq të madhe makina që po përgatiten të hyjnë në hapësira ku deri tani aftësitë fizike dhe puna njerëzore kanë qenë të pazëvendësueshme. çfarë ndodh me shoqërinë kur aftësitë njerëzore fillojnë të mos jenë më ekskluzivisht njerëzore? Si ndryshon një shoqëri ku puna ka qenë edhe mënyra për të ndërtuar një identitet, për të fituar pavarësi dhe për të pasur një vend në shoqëri? Dhe shqetësimi kryesor është se a po ecën teknologjia më shpejt sesa shoqëria ka kohë të mendojë apo aftësi të veprojë për pasojat e saj?

Vlera e kësaj teknologjie nuk do të matet me numrin e rekordeve që një robot thyen, por do të matet me faktin se a e bëjnë jetën tonë më të mirë? Përgjigjja e kësaj pyetjeje nuk mund të jepet në një pistë vrapimi në Pekin.

– THELB, 

Share This Article