Nga Anna Wintour në tribunë te Naomi Osaka, Coco Gauff, Alex Eala, Aryna Sabalenka dhe Serena Williams në fushë, në New York, tenisi po luhet edhe përtej rezultatit. Veshja është kthyer në gjuhë, identitet dhe pjesë të historisë që secila prej këtyre grave po shkruan në sport.
Në New York, këto ditë, nuk është vetëm topi i verdhë që kalon mbi rrjetë. Ka edhe silueta, ngjyra, bizhuteri, marka, kamera dhe një publik që e di se çfarë po sheh. US Open ka qenë gjithmonë më shumë se një turne tenisi. Arthur Ashe Stadium është një nga skenat më të mëdha sportive të botës dhe, për dekada, ka qenë edhe një vend ku sporti takohet me kulturën popullore. Në vitet e fundit kjo marrëdhënie është bërë më e dukshme, tenisi nuk është më vetëm një burim frymëzimi për modën, është bërë vetë një nga skenat ku moda po ndodh.
Këtë e tregon edhe publiku i US Open. Anna Wintour, Kaia Gerber, Vera Wang, Tory Burch dhe emra të tjerë të modës janë pjesë e spektaklit në tribunat e turneut, ndërsa Vogue e ka trajtuar US Open 2026 si një ngjarje të rëndësishme edhe për modën, me vëmendje të vazhdueshme ndaj asaj që ndodh në tribunat e Arthur Ashe Stadium.
Simboli më i qartë i kësaj marrëdhënieje është vetë Anna Wintour. E pyetur për mënyrën se si tenistet po shprehen përmes modës, Wintour veçoi Serena Williams dhe Naomi Osaka si dy gra që e përqafojnë veçanërisht këtë marrëdhënie. Pastaj përmendi edhe Alex Eala-n, duke vënë në dukje se edhe tek një yll i ri shihet dëshira për ta ndjekur dhe kuptuar modën. Për Wintour, sporti dhe moda janë shndërruar në një ‘martesë’ të bukur.
Një atlet nuk është më vetëm trupi që performon, është edhe personazhi që tregon një histori dhe rrëfen edhe me gjuhën e kostumit.
THELB ka përzgjedhur pesë gra që rrëfehen secila në mënyrën e vet.
- Naomi Osaka
Naomi Osaka është sportistja që në Grand Slam nuk hyn vetëm me një raketë, por edhe me një mendim që e shpreh qartë përmes imazhit.
E lindur në Osaka, nga një nënë japoneze dhe një baba nga Haiti, Osaka u zhvendos në Shtetet e Bashkuara kur ishte tre vjeç. Ajo u bë kampione e US Open në vitin 2018, duke mposhtur Serena Williams në një finale që u kthye në një nga momentet më të paharrueshme të historisë moderne të tenisit. Më pas fitoi sërish në New York në vitin 2020.
Osaka ka ndërtuar një identitet që shkon përtej tenisit. Moda është një prej interesave të saj, krahas fotografisë dhe videolojërave. Në Grand Slam-et e fundit, ajo e ka trajtuar hyrjen në fushë pothuajse si një dalje në një sfilatë mode.
Në US Open 2026, para fillimit të turneut kryesor, ajo e nisi kapitullin e saj të modës me një kombinim portokalli, me detaje florale, një çantë rozë dhe këpucë Amina Muaddi.
Në fillim të këtij viti, bashkëpunimi i saj me stilistin Robert Wun për një veshje të Nike në Australian Open e ktheu veshjen e saj sportive në një manifestim të elegancës japoneze, me linja të frymëzuara nga kimonoja. Më pas, në Met Gala 2026, ajo u shfaq sërish me Robert Wun, në një krijim që kërkonte mijëra orë pune dhe qindra mijëra qepje, duke e çuar këtë lidhje mes modës dhe identitetit të saj edhe më tej.
Rreferencat ndaj kulturës japoneze nuk janë thjesht një zgjedhje estetike. Për një grua të lindur në Japoni, me një nënë japoneze dhe një baba nga Haiti, e rritur në Shtetet e Bashkuara, veshja bëhet edhe një mënyrë për të mbajtur të dukshme pjesë të historisë së saj. Tek Osaka, moda është kthyer edhe në një mënyrë për të treguar kush është dhe nga vjen.

- Coco Gauff
Coco Gauff është një tjetër histori. E lindur në Delray Beach, Florida, ajo nisi të luante tenis në moshën gjashtëvjeçare dhe u rrit duke parë motrat Williams si idhuj. Në moshën 22-vjeçare, ajo ka fituar US Open, Roland Garros dhe shumë tituj të tjerë, ndërsa në 2026 hyri në New York si një prej figurave kryesore të tenisit amerikan.
Në vetëm pak vite, ajo kaloi nga adoleshentja që u shfaq në Wimbledon në moshën 15-vjeçare, te kampionia e US Open dhe një nga fytyrat më të njohura të brezit të saj. Bashkë me karrierën sportive është rritur edhe mënyra se si ajo shfaqet jashtë fushës, ku moda dhe bashkëpunimet me markat janë bërë pjesë e imazhit të saj.
Në qershor, New Balance dhe Miu Miu prezantuan një tjetër bashkëpunim për Gauff. Koleksioni bashkoi veshjet sportive të New Balance me estetikën karakteristike të Miu Miu, duke sjellë në fushë materiale teknike, funde të plisuara dhe elemente të frymëzuara nga moda e përditshme, të përshtatura për lëvizjen e një tenisteje.
Sporti dhe moda bashkëpunojnë tashmë për Gauff duke krijuar veshje posaçërisht për të. Edhe në këtë US Open, marrëdhënia vazhdon. Më 26 gusht, Gauff u shfaq me një look New Balance në një ton mustardë, duke e nxjerrë edhe një herë stilin sportiv jashtë kufijve të uniformës klasike të tenisit.

- Alex Eala
21-vjeçarja filipinase po kalon me shpejtësi nga talenti i madh i tenisit në një emër që po tërheq vëmendje edhe jashtë fushës. E rritur në Filipine dhe e formuar më pas në akademinë e Rafael Nadal në Mallorca, Eala ka nisur të ndërtojë karrierën e saj në nivelet më të larta të tenisit.
Në paraqitjet jashtë fushës, Eala ka nisur të ndërtojë edhe një marrëdhënie të dukshme me modën. Në Laureus World Sports Awards në Madrid, ajo veshi një Filipiniana të krijuar nga xhaxhai i saj, stilisti Rhett Eala. Zgjedhja nuk ishte rastësore, përmes kësaj veshjeje ajo solli në një ceremoni ndërkombëtare një pjesë të traditës së vendit të saj.
Interesi i saj për modën është vënë re edhe nga Anna Wintour, e cila gjatë US Open foli për Eala-n dhe për mënyrën se si ajo po e eksploron këtë anë të vetes.
Në fushë, Eala po ndërton karrierën e saj. Jashtë saj, po ndërton edhe mënyrën se si dëshiron të shfaqet.

- Aryna Sabalenka
Aryna Sabalenka vjen nga një tjetër drejtim. E lindur në Minsk, Bjellorusi, ajo është sot një prej figurave dominuese të tenisit botëror dhe hyn në US Open 2026 si kampione në fuqi, pasi ka fituar dy edicionet e fundit. Por nëse Sabalenka është e njohur për fuqinë dhe intensitetin në fushë, jashtë saj stili i saj është po aq i drejtpërdrejtë.
Në Fan Week të këtij viti ajo e çoi këtë ide në një tjetër nivel. Një veshje Nike me rrjetë transparente u shoqërua me një set bizhuterish nga Material Good që kalonte 127 karatë, me gurë shumëngjyrësh të zgjedhur për të evokuar energjinë e New York-ut. Bashkëpunimi me shtëpinë e bizhuterive nuk është një episod i vetëm: Material Good është kthyer në një pjesë të identitetit të saj në Grand Slam-e që prej vitit 2025.
Bizhuteritë e Sabalenkës nuk janë zgjedhur thjesht për t’u fotografuar mirë në një event sportiv. Material Good i ka krijuar duke marrë parasysh vetë natyrën e lojës së saj, mënyrën si lëviz trupi, vendosjen e bizhuterive në qafë, komoditetin dhe kontaktin me djersën. Në të njëjtën kohë, forma dhe përmasat janë përshtatur me shijen e Sabalenkës dhe me karakterin e fortë të imazhit të saj.
Kështu, ajo që duket si një varëse luksoze mbi veshjen e një tenisteje është në fakt një pjesë e menduar posaçërisht për të, për sportin që bën, mënyrën si luan dhe mënyrën si zgjedh të shfaqet. Me sa duket, high jewelry nuk po qëndron më në kasafortë, por ka të futet në lojë.

- Serena Williams
E lindur në Saginaw, Michigan, dhe e rritur në Kaliforni, Serena Williams u bë një nga sportistet më të suksesshme të të gjitha kohërave, 23 tituj Grand Slam dhe gjashtë tituj US Open, por ndikimi i saj tani nuk mund të matet vetëm me trofetë.
Ajo ndryshoi mënyrën se si dukej një kampione tenisi. Catsuit-i i famshëm në Roland Garros, tutu-ja në US Open, ishin veshje ku siluetat sfiduan idenë se si ‘duhej’ të vishej një teniste. Serena e ktheu veshjen në një pjesë të debatit mbi trupin, feminitetin dhe lirinë.
Në vitin 2026, Serena u rikthye në US Open, katër vjet pas asaj që dukej si ndeshja e fundit e karrierës së saj në Arthur Ashe Stadium. Këtë herë ajo u kthye për të luajtur në garën e çifteve të përziera, së bashku me Carlos Alcaraz. Më 26 gusht, organizatorët i dhanë gjithashtu asaj dhe motrës së saj Venus një ftesë për të luajtur së bashku në garën e çifteve për femra.
Në ndeshjen e saj të parë të 25 gushtit, në garën e çifteve të përziera të US Open, Serena luajti përkrah Carlos Alcaraz me një veshje Nike të frymëzuar nga basketbolli, në ngjyrë vjollcë dhe me detaje rrjete.
Kthimi i saj në New York nuk është vetëm një rikthim në fushë, por rikthimi i një prej figurave që ka ndryshuar edhe mënyrën se si një teniste shihet përtej sportit.

Ka një arsye pse kjo marrëdhënie mes tenisit dhe modës është bërë kaq e fortë. Tenisi ka pasur gjithmonë një estetikë të vetën: të bardhat e Wimbledon-it, bluzat polo, fundet e plisuara, këpucët e bardha, por sot ajo estetikë nuk mjafton më.
Një teniste mund të jetë njëkohësisht kampione Grand Slam, ambasadore e një marke sportive, fytyrë e një shtëpie mode, bashkëautore e një koleksioni, personazh i Met Gala-s dhe figurë që miliona njerëz e ndjekin edhe për atë që vesh. Sporti ka hyrë në modë, por edhe moda ka hyrë në sport.
Bashkëpunimet e viteve të fundit e bëjnë këtë të dukshme: Miu Miu me New Balance dhe Coco Gauff; Nike dhe Robert Wun me Naomi Osaka; Material Good me Aryna Sabalenka; stilistët filipinas me Alex Eala.
Këto nuk janë thjesht marrëveshje marketingu. Ato tregojnë se atleti është bërë edhe një medium për modën. Në New York po shohim një afërsi gjithnjë e më të madhe mes sportit, modës, muzikës, artit dhe personazheve publike. Pasarela nuk është zhdukur; thjesht nuk është më e vetmja skenë. Sot mund të jetë Arthur Ashe Stadium, një tribunë në Queens ose hyrja e një tenisteje në fushë. Mund të jetë një raketë në njërën dorë dhe një palë vathë prej dhjetëra karatësh në tjetrën.
US Open 2026 sapo ka hyrë në ditët e tij të para dhe historia ende nuk është mbyllur. Në New York, moda tashmë ka zënë vend në fushën e tenisit.
– THELB,

