Në Londër ekziston një farmaci ku ilaçi është poezia

3 Min Read

Po sikur, në vend që të merrnit një ilaç për stresin e ditës, dikush t’ju jepte një poezi? Mund të duket si diçka e marrë nga një roman, por në Londër ekziston vërtet një vend i tillë. Në Oxford Street, një nga rrugët më të mbushura dhe më kaotike të Londrës, mes dyqaneve, turmave dhe ritmit të pandalshëm të qytetit dikush ka krijuar një hapësirë ku ‘ilaçi’ duket se është të ngadalësosh pak. Quhet ‘Poetry Pharmacy’ dhe është ndryshe nga çdo farmaci që keni parë ndonjëherë .

Ideja pas saj është sa e pazakontë dhe atje nuk do të gjeni as antibiotikë, as vitamina, as shurupe për kollën. Në raftet e saj ka libra, poezi dhe kapsula të vogla që nuk përmbajnë ilaçe, por vargje të mbështjella në letër. Ideja është e thjeshtë: për çdo gjendje shpirtërore ekziston një poezi që mund t’ju bëjë të ndiheni më mirë. Nëse ndiheni të trishtuar, të lodhur, të humbur apo thjesht keni nevojë për pak frymëzim, stafi ju ndihmon të gjeni ‘recetën’ e duhur. Jo me medikamente, por me fjalë.

Pas këtij koncepti qëndron poetja Deborah Alma, e cila prej vitesh punon me njerëz që përballen me vështirësi emocionale. Ajo beson se poezia nuk është luks intelektual apo diçka që i përket vetëm librave shkollorë, por një formë reale ngushëllimi. Madje, para se të hapte ‘Poetry Pharmacy’, Alma udhëtonte me një ambulancë të vjetër të kthyer në ‘klinikë poetike’. Njerëzit hynin brenda, flisnin për veten dhe dilnin me një poezi të zgjedhur posaçërisht për ta

Sot, ‘Poetry Pharmacy’ është kthyer në një nga vendet më të veçanta në Londër.  Disa hyjnë nga kurioziteti, por dalin me një libër në dorë ose me një ide të re sepse ndoshta jo çdo ndjesi ka nevojë për ilaçe. Turistët duan të shohin diçka ndryshe nga qyteti i zakonisht  i zhurmshëm dhe të tjerë hyjnë sepse realisht kanë nevojë për pak qetësi.

Jetojmë në një kohë kur shumica prej nesh kalojnë orë të tëra mbi ekranin e telefonit, duke konsumuar informacion pa pushim, por duke gjetur gjithnjë e më pak momente që na qetësojnë vërtet. Koncepti i ‘Poetry Pharmacy’ na sjell në vëmendje diçka të thjeshtë: ndonjëherë mjafton një faqe libri, një poezi ose disa fjalë të shkruara në momentin e duhur sepse jo çdo kurë gjendet në farmaci. Disa gjenden mes faqeve të librave.

— THELB,

Share This Article