Jetojmë në një kohë që na kërkon të ndryshojmë shpejt. Të hamë më mirë, të lëvizim më shumë, të punojmë më mirë, të lexojmë më shumë, të kujdesemi për veten dhe, mundësisht, t’i fillojmë të gjitha të hënën. Kaizen propozon pothuajse të kundërtën.
Fjala japoneze bashkon kai, ndryshim, dhe zen, mirë, dhe përkthehet zakonisht si ‘ndryshim për mirë’ ose ‘përmirësim i vazhdueshëm’. Në vend të transformimeve të mëdha, ideja shtyn më tepër drejt të ndryshuarit diçka të vogël, ta përsërisësh dhe të vazhdosh prej aty.

Por Kaizen nuk lindi si filozofi për mirëqenien personale. Rrënjët e tij lidhen me Japoninë e pasluftës, kur vendi po rindërtonte ekonominë dhe kompanitë nisën të përqendroheshin te kontrolli i cilësisë dhe përmirësimi i vazhdueshëm i proceseve të prodhimit. Toyota do të bëhej një nga shembujt më të njohur të kësaj qasjeje, jo vetëm drejtuesit, por çdo punonjës mund të identifikonte një problem dhe të sugjeronte një përmirësim.Parimi ishte i thjeshtë, nuk duhet të presësh një ndryshim të madh për t’i bërë gjërat më mirë. Kjo mënyrë të menduari doli nga fabrika dhe hyri në jetën e përditshme.
Kultura jonë, në kohët që po jetojmë duket si e fiksuar pas fillimeve të mëdha. Vendosim të bëjmë aktivitet fizik dhe mendojmë menjëherë për pesë ditët e javës. Duam të ushqehemi më mirë dhe përpiqemi të ndryshojmë të gjithë regjimin. Duam të lexojmë dhe i premtojmë vetes një libër në javë. Për disa ditë funksionon. Pastaj jeta ndërhyn, ritmi prishet dhe shpesh bashkë me të braktisim edhe qëllimin. Kaizen e zvogëlon ndryshimin deri në atë pikë sa bëhet e vështirë t’i thuash jo.
Nëse do të lëvizësh më shumë, nis me pesë minuta ecje. Nëse do të lexosh, lexo disa faqe. Nëse do të ndryshosh mënyrën si ushqehesh, mos ndërto menjëherë një jetë të re rreth ushqimit, ndrysho një zakon. Kur ai bëhet pjesë e ditës, shto tjetrin.

Qëllimi nuk është të bësh shumë. Është të mos ndalosh. Këtu Kaizen ndahet nga shumë prej ‘formulave’ të sotshme të vetëpërmirësimit. Nuk kërkon një ‘version të ri’ të vetes brenda 30 ditësh dhe as nuk e trajton përsosmërinë si destinacion. Përmirësimi është një proces që nuk përfundon, ajo që ka rëndësi është që sot diçka të funksionojë pak më mirë se dje.
Ka edhe një arsye pse një hap i vogël mund të jetë më i lehtë për t’u mbajtur. Psikologu Robert Maurer, i cili e ka aplikuar Kaizen-in në ndryshimin personal, e lidh këtë me mënyrën se si reagojmë ndaj frikës. Një objektiv i madh mund të na entuziazmojë, por mund edhe të na frikësojë, kërkon shumë, rreziku i dështimit duket më i madh dhe shpesh përfundojmë duke e shtyrë. Një veprim shumë i vogël e ul këtë presion. Nuk na kërkon të ndihemi gati për të ndryshuar jetën; na kërkon vetëm të bëjmë hapin e radhës.
Fillon me vëzhgimin. Çfarë nuk po funksionon? Çfarë do të doje të ndryshoje? Dhe, në vend të pyetjes së madhe ‘Si ta ndryshoj jetën time?’, Kaizen propozon një pyetje shumë më të menaxhueshme: ‘Çfarë mund të bëj pak më mirë sot?’

Edhe gabimet janë pjesë e procesit. Kaizen nuk kërkon përsosmëri, por të kuptojmë çfarë nuk funksionoi, ta korrigjojmë dhe të vazhdojmë. Në vend që një gabim të na bëjë të heqim dorë, ai bëhet një mundësi për ta bërë hapin tjetër më mirë.
Kaizen ndryshon edhe nga ideja kaq e përhapur sot për t’u bërë “versioni më i mirë i vetes”. Në Kaizen nuk ka një version përfundimtar ku duhet të mbërrijmë. Ka vetëm një proces: të vëzhgosh, të korrigjosh dhe të përmirësosh pak nga pak atë që mundesh. Qëllimi nuk është përsosmëria, por vazhdimësia.
Versioni më i mirë i vetes nuk ka pse të shfaqet një mëngjes pas një vendimi të madh. Mund të ndërtohet pothuajse pa u vënë re, nga një zgjedhje e vogël sot, një tjetër nesër dhe qindra hapa të vegjël që, vetëm kur kthehesh pas, kupton sa larg të kanë çuar.
– THELB,

