Nga kodrat e Chianti Classico-s dhe Rioja-s në Provence, Douro, dhe vreshtat shqiptare, dhjetë adresa ku vera, arkitektura dhe vendet bëhen arsye për të udhëtuar.
Ditët e fundit të stinës shënojnë një prej periudhave më të rëndësishme të vitit për rajonet ku prodhohet verë. Nga fundi i gushtit dhe përgjatë shtatorit, sipas territorit, varietetit dhe kushteve të vitit, nis vjelja e rrushit: vendemmia në Itali, vendange në Francë, vendimia në Spanjë. Është para së gjithash momenti kur puna e një viti në vresht hyn në fazën vendimtare. Në vendet ku kultura e verës është pjesë e identitetit, kjo periudhë është edhe një kohë për të udhëtuar dhe eksploruar përmes vizitave në vreshta e çilarë, shijit i verërave, gastronomisë dhe mundësisë për të parë nga afër punën që zhvillohet rreth prodhimit të verës.
Një kantinë mund të jetë shumë më tepër se vendi ku prodhohet vera. Një pjesë e tyre janë bërë destinacione për shkak të arkitekturës, të tjera sepse ruajnë bodrume dhe tradita shekullore. Ka kantina ku mes vreshtave, gjenden vepra të artistëve më të rëndësishëm të kohës dhe të tjera ku arsyeja për të udhëtuar mbetet zanafillor si rrushi, toka dhe mënyra se si një familje ka zgjedhur t’i punojë e të prodhojë një ndër pijet më të vjetra në botë.
Në prag të shtatorit, THELB përzgjedh dhjetë adresa në zemër të Europës që ja vlen të zbulohen.
01 — Marchesi Antinori
Toscana, Itali
Në Bargino, rreth gjysmë ore larg Firences, një çarje e gjatë në kodër është pothuajse e vetmja shenjë se poshtë saj ndodhet një prej kantinave më të njohura të Toskanës.
Familja Antinori merret me prodhimin e verës prej më shumë se gjashtë shekujsh. Kantina e re e Chianti Classico-s, megjithatë, flet një gjuhë krejt bashkëkohore. E projektuar nga Archea Associati, ajo është ndërtuar kryesisht brenda kodrës, duke e lënë peizazhin e vreshtave të vazhdojë mbi ndërtesë.
Forma e kantinës lidhet drejtpërdrejt me funksionin e saj. E futur në kodër, ndërtesa shfrytëzon kushtet natyrore të tokës për temperaturën dhe lagështinë, ndërsa organizimi vertikal i hapësirave ndjek rrugëtimin e rrushit dhe vreshtave, nga mbërritja pas vjeljes deri te maturimi i verës. Brenda, drita natyrore dhe pamjet që hapen drejt vreshtave bëjnë që peizazhi i Chiantit të jetë i pranishëm gjatë gjithë vizitës.
Kalohet nga zonat e prodhimit te barrique-t dhe çilarët, arti bashkëkohor dhe shijimi i verës. Një nga eksperiencat e vizitës, CRU Tour, përfshin itinerararin nëpër kantinë dhe përfundon me një drekë në Rinuccio 1180, restorantin e vendosur në tarracën e saj, me pamje mbi kodrat e Chianti Classicos. Mes verërave më të njohura të familjes është Tignanello, një etiketë që zë një vend të veçantë në historinë e Antinorit. Tignanello u prodhua për herë të parë në vitin 1971 nga vreshti me të njëjtin emër. Me të, familja Antinori sfidoi disa prej rregullave të kohës të Chianti Classicos: hoqi rrushin e bardhë nga përzierja, përdori varietete ndërkombëtare krahas Sangiovese-s dhe e maturoi verën në barrique.
Vera Tignanello i përket të njëjtës periudhë transformimi të verës toskane që solli edhe vera Sassicaia e Tenuta San Guido në Bolgheri. Të prodhuara jashtë disa prej rregullave tradicionale të kohës dhe duke eksperimentuar me varietete e metoda të tjera prodhimi, këto verëra do të bëheshin të njohura ndërkombëtarisht si Super Tuscans.
Përse të shkosh: për të parë se si një histori vere mbi gjashtëshekullore mund të jetojë brenda një prej projekteve më të rafinuara të arkitekturës të kantinave të kohës që jetojmë.

02 — Ca’ del Bosco
Franciacorta, Lombardia, Itali
Historia e Ca’ del Bosco nis në vitin 1964, kur Annamaria Clementi Zanella bleu një shtëpi të vogël në Erbusco, mes kodrave të Franciacorta. Prona kishte vetëm dy hektarë tokë, e rrethuar nga pyje gështenjash dhe lisash, dhe njihej nga banorët e zonës si Ca’ del Bosc (shtëpia në pyll). Pak vite më vonë, i biri, Maurizio Zanella, do ta kthente atë vend në një nga kantinat që kontribuuan në afirmimin e Franciacortas si një prej zonave më të rëndësishme të verës italiane. Vera e gazuar prodhohet sipas asajt që quhet Metodo Classico. Ca’ del Bosco e ka çuar këtë proces drejt një kërkimi të vazhdueshëm duke kombinuar punën në vreshta me teknologjinë në kantinë, por pa humbur dimensionin artizanal që kërkon një Franciacorta e këtij niveli.
Mes verërave të saj, njëra mban emrin e gruas nga e cila nisi e gjithë historia: Cuvée Annamaria Clementi. Prodhohet vetëm në vjeljet më të mira dhe kalon një maturim shumë të gjatë në shishe, mesatarisht rreth tetë vjet. Që prej vjeljes së vitit 2008 prodhohet Dosage Zéro. Annamaria Clementi tregon se deri ku ka arritur Franciacorta. Për dekada, verërat e kësaj zone janë krahasuar në mënyrë të pashmangshme me Champagnen franceze. Në një degustim të verbër, pa etiketën dhe prestigjin e emrit përpara ekspertëve ndërkombëtar, Annamaria Clementi 2014 u rendit në vendin e tretë mes disa prej verërave të gazuara më të vlerësuara në botë, duke lënë pas edhe Dom Pérignon 2013.
Gjatë viteve, arti është bërë pjesë e vetë kantinës dhe vreshtave, me instalacione dhe vepra të krijuara ose vendosura posaçërisht në hapësirat e sajm vizita kalon mes vendeve ku prodhohet dhe maturohet vera dhe një koleksioni arti që është integruar në mjedis si një muze jo i shkëputur prej tij.
Dhe pastaj është vetë Franciacorta, kodrat e mbuluara me vreshta në jug të Liqenit Iseo, një territor që mund të zbulohet përmes kantinave, fshatrave dhe gastronomisë së Lombardisë.
Përse të shkosh: për të zbuluar nga afër një prej emrave që kanë ndërtuar reputacionin e verës së Franciacortas dhe për të provuar se Champagne nuk është e vetmja pikë referimi për flluskat e mëdha europiane.

03 — Marqués de Riscal
Elciego, Rioja, Spanjë
Në Elciego, mes ndërtesave historike të një kantine të themeluar në 1858, ngrihet një strukturë prej titani me forma të valëzuara në rozë, ar dhe argjend.
Është vepër e arkitektit Frank Gehry. Hoteli i projektuar prej tij, i hapur në vitin 2006, e ktheu Marqués de Riscal në një nga shembujt më të njohur të mënyrës se si arkitektura mund të ndryshojë identitetin e një destinacioni vere. Por historia e pronës kishte nisur gati një shekull e gjysmë më parë, Marqués de Riscal ishte ndër pionierët e metodave moderne të prodhimit në Rioja dhe në 1862 nxori verërat e para të shishezuara të shtëpisë.
Poshtë arkitekturës së Gehry-t vazhdon të jetojë Riscali i vjetër. Kantina ruan çilarin historik ku ndodhet koleksioni i shisheve të shtëpisë, me vjelje që shkojnë deri në 1862. Është pikërisht ky kontrast, mes verërave që kanë kaluar më shumë se një shekull në çilar dhe një prej ndërtesave më të dallueshme të arkitekturës së kohëve të sotme që e bën vizitën ndryshe.
E gjithë hapësira njihet si City of Wine. Vizita në kantinë dhe shijimi i verërave mund të vazhdojnë me gastronominë, spa-n e vinoterapinë dhe qëndrimin në hotelin e projektuar nga Gehry. Në vitin 2024, Marqués de Riscal u rendit në vendin e parë të World’s Best Vineyards, një vlerësim që merr në konsideratë jo vetëm verën, por përvojën e plotë që ofron një destinacion vere.
Megjithëse ndërtesa e Gehryt është ajo që tërheq fillimisht vëmendjen, arsyeja pse Marqués de Riscal ekziston prej më shumë se 160 vjetësh mbetet vera. Mes verërave të shtëpisë, Marqués de Riscal Gran Reserva është një nga etiketat që shpreh më qartë traditën e Riojas. Prodhohet vetëm në vjelje të përzgjedhura dhe kryesisht nga Tempranillo i vreshtave të vjetra, ndërsa maturimi i gjatë në fuçi dhe më pas në shishe i jep kohës një rol po aq të rëndësishëm sa vetë rrushi. Është një verë e menduar për të evoluar gjatë dhe një nga shprehjet klasike të stilit që e bëri Riojan të njohur përtej Spanjës.
Përse të shkosh: për të kaluar brenda së njëjtës vizitë nga një çilar ku ruhen shishe të vitit 1862 te arkitektura e Frank Gehryt, mes historisë së Riojas, verës dhe një prej projekteve më të njohura arkitekturore në Spanjë.

04 — Bodegas Ysios
Laguardia, Rioja Alavesa, Spanjë
Në këmbët e Sierra de Cantabrias, rajon i veriut të Spanjës, mes vreshtave të Rioja Alavesa çatia e valëzuar e Bodegas Ysios duket sikur ndjek vijën e maleve që ngrihen pas saj. Kjo marrëdhënie me peizazhin ishte në qendër të projektit të Santiago Calatrava, i cili projektoi kantinën e inauguruar në vitin 2001.
Fasada prej druri dhe çatia prej alumini ndryshojnë pamje me dritën, ndërsa forma e gjatë dhe e valëzuar krijon një vazhdimësi vizuale me relievin e Sierra de Cantabria. Malet, megjithatë, nuk janë vetëm sfondi i kësaj arkitekture, ato mbrojnë vreshtat nga ndikimet e ftohta dhe të lagështa të Atlantikut, duke ndikuar në kushtet e veçanta të kultivimit të rrushit në këtë pjesë të Riojas.
Ndryshe nga shumë prej emrave historikë të rajonit, Ysios është një kantinë relativisht e re. Identitetin e saj e ka ndërtuar rreth Rioja Alavesa, vreshtave të vjetra dhe dallimeve mes parcelave të vogla të territorit. Kështu, pas ndërtesës së Calatrava, vëmendja kthehet te ajo që e rrethon: toka, lartësia, vreshtat dhe rrushi Tempranillo.
Një nga verërat që e tregon më mirë këtë qasje është Finca Las Naves. Ajo vjen nga një parcelë prej vetëm 1.1 hektarësh në Elvillar, e mbjellë para vitit 1902 dhe një nga vreshtat e vjetra prefilokserikë që kanë mbijetuar në Rioja Alavesa. Mes hardhive të Tempranillo-s gjenden ende Garnacha, Graciano dhe Viura, të mbjella së bashku sipas mënyrës tradicionale të vreshtave të dikurshme të Riojas. Finca Las Naves 2018 u shpall Wine of the Year.
Arkitektura e Ysios është vetëm 25-vjeçare, ndërsa disa prej hardhive nga të cilat prodhon verën kanë qenë aty prej më shumë se një shekulli. Vizita nis lehtësisht nga kurioziteti për Calatravan, por vazhdon aty ku historia e verës është shumë më e vjetër se ndërtesa që sot e përfaqëson.
Përse të shkosh: për të parë një prej projekteve më të njohura të Santiago Calatrava në vendin për të cilin është konceptuar dhe për të zbuluar, pas saj, vreshta shekullore dhe verërat e Rioja Alavesa.

05 — Château La Coste
Provence, Francë
Mes Aix-en-Provence dhe Luberon-it, në një peizazh me vreshta, ullinj, pisha dhe selvi, Château La Coste është një vend ku vera bashkëjeton me një koleksion të jashtëzakonshëm arti dhe arkitekture bashkëkohore. Tradita e kultivimit të verës në këtë territor shkon pas deri në epokën romake, ndërsa shtëpia e sotshme e verës shtrihet në rreth 200 hektarë.
Në fillim të viteve 2000, Château La Coste nisi kalimin drejt bujqësisë organike; verërat morën certifikimin organik në vitin 2009 dhe sot vreshtat kultivohen sipas parimeve të bujqësisë organike dhe biodinamike.. Në mes të tyre gjendet kantina e projektuar nga Jean Nouvel, e inauguruar gjatë vjeljes së vitit 2008. Arkitektura është menduar në funksion të verës, organizimi i kantinës në nivele lejon që rrushi dhe lëngu i tij të kalojnë nga një fazë e prodhimit në tjetrën duke shfrytëzuar gravitetin, me sa më pak ndërhyrje mekanike..
Por Château La Coste ndryshon karakter sapo del nga kantina. Nëpër vreshta dhe kodra shfaqen veprat dhe ndërtesat e disa prej emrave më të rëndësishëm të artit dhe arkitekturës bashkëkohore. Tadao Ando ka projektuar Art Centre; Oscar Niemeyer një pavijon; ndërsa përgjatë itinerarit gjenden vepra dhe ndërhyrje nga artistë si Louise Bourgeois dhe Richard Serra. Arti këtu nuk është vendosur në një sallë të veçuar nga vreshti, vizitori ecën nëpër peizazh për ta zbuluar.
Megjithatë, mes gjithë këtyre emrave, është e lehtë të harrohet se La Coste mbetet para së gjithash një kantinë vere. Prodhon të kuqe, të bardha dhe rosé nga varietete karakteristike të Provence-s dhe të jugut të Francës. Do të veçonim Rosé d’une Nuit, një prej cuvée-ve historike të shtëpisë, që po i afrohet 60 viteve histori. Në një rajon që e ka bërë rosé-n pjesë të identitetit të vet, është edhe një mënyrë për ta kthyer vëmendjen nga ndërtesat dhe arti te vera që prodhohet mes tyre.
Vizita mund të vazhdojë shumë përtej shijimit të verës. Itinerari i artit dhe arkitekturës, restorantet dhe Villa La Coste e kanë kthyer në një destinacion ku mund të kalosh një ditë të tërë, ose të qëndrosh më gjatë pa u larguar nga vreshtat.
Përse të shkosh: për të ecur mes vreshtave të Provence-s dhe për të ndeshur gjatë rrugës një Tadao Ando, një Louise Bourgeois apo një Oscar Niemeyer, pastaj për t’u kthyer te arsyeja që i mban të gjitha së bashku: vera.

06 — Château Smith Haut Lafitte
Pessac-Léognan, Bordeaux, Francë
Në jug të Bordeaux, në Pessac-Léognan, Château Smith Haut Lafitte qëndron mes një sipërfaqeje të pandërprerë vreshtash, pyjesh dhe gardhesh të gjelbra. Historia e kultivimit të rrushit këtu dokumentohet që në shekullin XIV, ndërsa emri që mban sot château vjen nga George Smith, tregtari skocez që e bleu në mes të shekullit XVIII.
Kapitulli i ri për kantinën nisi në vitin 1990, kur Daniel dhe Florence Cathiard blenë château-në dhe u vendosën aty pas një restaurimi trevjeçar. Që atëherë, puna është përqendruar te ruajtja e karakterit të terrenit dhe ndërtimit të një vreshtarie gjithnjë e më e kujdesshme ndaj biodiversitetit. Sot Château Smith Haut Lafitte është Grand Cru Classé de Graves, pjesë e klasifikimit historik që përfshin disa prej château-ve më të vlerësuara të kësaj zone të Bordeaux dhe prodhon si verë të kuqe, ashtu edhe të bardhë.
Për ta kuptuar këtë vend duhet parë toka. Vreshtat shtrihen mbi shtresa zhavorri të depozituara nga Garonne miliona vjet më parë. Gurët krijojnë një drenazh natyror që i detyron rrënjët të zbresin më shumë se gjashtë metra në kërkim të ujit, ndërsa gjatë ditës thithin dhe reflektojnë nxehtësinë e diellit, duke ndihmuar pjekjen e rrushit. Pikërisht prej këtyre tokave me graves vjen edhe emri historik i kësaj zone të Bordeaux.
Nëse duhet të zgjedhim një verë për këtë adresë, do ishte Château Smith Haut Lafitte Rouge, vera kryesore e shtëpisë. Cabernet Sauvignon është baza e saj, e plotësuar sipas vjeljes nga Merlot, Cabernet Franc dhe Petit Verdot.
Familja Cathiard ka ndërtuar rreth vreshtit edhe një histori tjetër. Vajza e tyre Mathilde Thomas dhe bashkëshorti i saj krijuan Caudalie, duke zhvilluar produkte kozmetike me përbërës të rrushit. Kështu, vera, gastronomia, hoteli dhe vinoterapia janë zhvilluar rreth château-së pa e zhvendosur atë nga qendra e historisë.
Përse të shkosh: për të hyrë në kulturën e një château të Bordeaux duke nisur nga ajo që e përcakton më shumë se çdo gjë tjetër, toka, vreshti dhe vera dhe për të parë se si rreth tyre është ndërtuar një mënyrë e re për ta përjetuar këtë traditë.

07 — Quinta do Crasto
Douro, Portugali
Në Douro arkitekturën më spektakolare e ka bërë vetë natyra. Vreshtat zbresin si në tarraca drejt lumit, duke krijuar një peizazh që është rezultat i shekujve të punës njerëzore mbi shpate jashtëzakonisht të pjerrëta.
Historia e saj e dokumentuar shkon të paktën në 1615, shumë përpara se Douro të përcaktohej zyrtarisht si rajon vere në vitin 1756. Emri Crasto vjen nga latinishtja castrum, që do të thotë fortesë romake. Sot quinta drejtohet nga familja Roquette, e cila e ka në pronësi prej më shumë se një shekulli dhe ka zhvilluar krahas Port-it, pijes tradicionale portugeze, edhe verërat e kuqe dhe të bardha të Douros.
Por për të kuptuar çfarë e bën këtë vend veçanërisht interesant, duhet të hyjmë në një nga vreshtat e tij të Vinha Maria Teresa, rreth pesë hektarë, me hardhi shumë të vjetra dhe një diversitet të jashtëzakonshëm varietetesh të mbjella së bashku. Analizat gjenetike të kryera në vreshta kanë identifikuar mbi 50 varietete të ndryshme rrushi, disa prej tyre jashtëzakonisht të rralla. Është një mënyrë mbjelljeje karakteristike e vreshtave të vjetra të Douros, shumë përpara se parcelat të organizoheshin sipas një varieteti të vetëm.
Nga kjo vreshtë prodhohet Quinta do Crasto Vinha Maria Teresa, vetëm në vitet kur kushtet e vjeljes e lejojnë. Në vend që të ndërtohet rreth një varieteti të vetëm, vera lind nga kjo përzierje e vjetër hardhish që rriten në të njëjtën parcelë.
Vizitat përfshijnë vreshtat, çilarët dhe shijimin e verërave, ndërsa disa eksperienca kombinohen edhe me drekën në kantinë.
Përse të shkosh: për të parë një nga peizazhet më të jashtëzakonshme dhe për të provuar një verë që vjen nga një vresht ku dhjetëra varietete të vjetra vazhdojnë të rriten së bashku, siç kanë bërë prej brezash.

08 — LOISIUM
Langenlois, Kamptal, Austri
Në Langenlois, një nga qendrat historike të verës austriake, ajo që shihet mbi tokë është vetëm ‘një pjesë e historisë’. Nën qytet shtrihet një rrjet çilarësh të vjetër, të gërmuar në tokë dhe të përdorur prej shekujsh për prodhimin dhe ruajtjen e verës. Pikërisht mbi këtë botë nëntokësore u ndërtua LOISIUM Wine Experience, një mënyrë ndryshe për të hyrë në historinë e verës së Kamptalit.
Në sipërfaqe, ndërtesa e projektuar nga arkitekti amerikan Steven Holl dallohet menjëherë. ka formën e një kubi të veshur me alumin, me forma dhe prerje që lidhen me strukturën e çilarëve poshtë tij. Por pjesa më interesante e vizitës nis kur zbret nën tokë. Itinerari të çon nëpër galeri dhe çilarë historikë që arrijnë deri në rreth 900 vjet histori, duke treguar mënyrën se si vera është prodhuar dhe ruajtur në këtë zonë brez pas brezi.
LOISIUM ndryshon nga adresat e tjera të kësaj liste edhe për një arsye: nuk përfaqëson një prodhues të vetëm. Përmes tij njihesh me verërat dhe kantinat e Kamptalit, një zonë ku Grüner Veltliner dhe Riesling janë dy nga varietetet kryesore. Klima, ndryshimet mes ditës dhe natës dhe shumëllojshmëria e tokave u japin këtyre verërave shprehje të ndryshme edhe brenda një zone relativisht të vogël.
Në Kamptal, vera që duhet njohur është Grüner Veltliner. Është varieteti më i kultivuar i Austrisë dhe këtu, mes vreshtave të Langenlois-it, shfaq një nga karakteret për të cilat është bërë i njohur: freski, fruta dhe një nuancë të hollë pikante që shpesh kujton piperin e bardhë. Por një Grüner Veltliner nuk është domosdoshmërisht si një tjetër; toka dhe vendndodhja e vreshtit ndryshojnë mënyrën se si shprehet vera, dhe LOISIUM të jep mundësinë ta zbulosh përmes prodhuesve të ndryshëm të rajonit.
Përvoja vazhdon edhe jashtë çilarëve. LOISIUM përfshin hotelin mes vreshtave, spa-n, gastronominë dhe mundësinë për të eksploruar prodhuesit e Langenlois-it, duke e bërë një bazë të mirë për disa ditë në Kamptal dhe jo vetëm një ndalesë për shijimin e verës.
Përse të shkosh: për çilarët me histori 900-vjeçare dhe për mundësinë për të zbuluar Kamptal-in përmes Grüner Veltliner-it, duke provuar se si i njëjti varietet rrushi mund të marrë karakter të ndryshëm sipas tokës dhe vreshtit ku rritet.

09 — Kantina Arbëri
Mirditë, Shqipëri
Në Mirditë, Kantina Arbëri e ka ndërtuar identitetin e saj mbi një pasuri që merr gjithnjë e më shumë rëndësi në botën e verës: varietetet autoktone. Familja Kaçorri punon me Kallmetin, Cerujën dhe Sheshin e Bardhë, duke e lidhur prodhimin me traditën e vreshtarisë së veriut të Shqipërisë.
Kallmeti mbetet një nga verërat përfaqësuese të kantinës. Rrushi kultivohet në kodrat e Bukmirës dhe zonave përreth, në lartësi rreth 400–550 metra dhe Arbëri e prodhon si Kallmet klasik ashtu edhe Reserve, të maturuar në lis.
Arbëri ka punuar edhe me Cerujën, një varietet autokton shumë më pak të njohur, karakteristik për Mirditën. Kantina ka kontribuar fort në rikthimin e tij në kultivim dhe prodhim, duke i dhënë vend në gamën e verërave krahas Kallmetit.
Në një drejtim tjetër është Ardo, vera e gazuar e Arbërit, e prodhuar 100% nga Shesh i Bardhë dhe e refermentuar në shishe për 18 muaj. Kështu, një varietet tjetër vendas përdoret për një tipologji vere krejt të ndryshëm nga ai me të cilin zakonisht lidhet tradita shqiptare.
Vizita në kantinë përfshin shijimin e verërave në çilarin me harqe tullash, ndërsa arkitektura e kompleksit merr referenca nga kullat tradicionale të veriut.
Përse të shkosh: për të njohur verën me rrush autokton shqiptar si Kallmeti, Ceruja dhe Sheshi i Bardhë i kthyer në verë të gazuar.

10 — Kantina Nurellari
Berat, Shqipëri
Në Fushë-Peshtan, jo larg Beratit, familja Nurellari prodhon verë që prej viteve ’90. Krahas varieteteve ndërkombëtare, kantina ka ndërtuar një pjesë të identitetit të saj mbi Pulësin dhe Serinën e Zezë, dy varietete të vjetra shqiptare të lidhura me këtë pjesë të vendit.
Pulësi është rrushi i bardhë që Nurellari e interpreton në mënyra të ndryshme: një verë e bardhë e thatë, por edhe si Verë e Shenjtë, një version i ëmbël dhe i maturuar në dru. Dy verëra shumë të ndryshme, të prodhuara nga i njëjti varietet, që tregojnë edhe potencialin e një rrushi ende pak të njohur jashtë Shqipërisë. Të dyja janë 100% Pulës.
Në të kuqet, Serina e Zezë sjell një tjetër varietet vendas. Nurellari e prodhon si rosé, por edhe si Serina Premium, një verë e kuqe 100% Serina, ku rrushi thahet për disa javë përpara vinifikimit dhe vera maturohet më pas në fuçi.
Kantina ka edhe hapësira për qëndrim, vizita që lidhen natyrshëm me Beratin dhe zonën përreth. Në këtë rast vera bëhet një mënyrë tjetër për të njohur një zonë që shumica e vizitorëve e zbulojnë fillimisht përmes qytetit dhe trashëgimisë së tij.
Përse të shkosh: për të provuar Pulësin dhe Serinën në vendin ku kultivohen dhe për të zbuluar përmes tyre një pjesë ende pak të njohur të identitetit të verës shqiptare.

Vera si mënyrë për të lexuar një vend
Nga një ndërtesë e Calatrava në Rioja te një varietet pothuajse i humbur në Mirditë, këto dhjetë adresa nuk janë të krahasueshme në luks, madhësi apo histori dhe nuk kanë pse të jenë. Ajo që i bashkon është diçka tjetër: vera bëhet një mënyrë për të kuptuar vendin nga vjen. Shtatori është një kohë veçanërisht e mirë për ta parë këtë marrëdhënie nga afër. Vreshtat ndryshojnë ritëm, rrushi mbërrin në kantina dhe puna që zakonisht fshihet pas një etikete bëhet më e dukshme. Për këtë arsye një udhëtim në një rajon vere nuk përfundon te degustimi. Mund të fillojë aty, dhe të vazhdojë te arkitektura, kuzhina, peizazhi, njerëzit dhe historitë njerëzore.
– THELB,

