Çfarë e bën ende të veçantë Jil Sander? Përgjigjja nuk gjendet te çdo veshje

3 Min Read

Koleksioni i Simone Bellotti-t herë të kthen pas në kohë, herë të kujton se eleganca mund të qëndrojë në mënyrën si vishet një këmishë apo si mbyllet një xhaketë.

Java e Modës në Milano nisi me një qytet të mbushur me sfilata, të ftuar dhe vëmendjen e shtypit ndërkombëtar. Mes prezantimeve të ditës së dytë ishte edhe Jil Sander, një nga emrat prej të cilëve pritet gjithmonë një mendim i qartë për mënyrën si vishemi.

Për koleksionin pranverë–verë 2027 të Jil Sander, drejtori kreativ Simone Bellotti u mbështet te veshje që i njohim mirë: xhaketa të prera me saktësi, këmisha, pantallona të ngushta, funde dhe pallto me linja të pastra. Në pamje të parë, gjithçka dukej e vendosur ‘nën kontroll’. Më pas, diçka niste të zhvendosej. Një këmishë futej vetëm pjesërisht në pantallona, jakat mbivendoseshin, ndërsa xhaketat kopsiteshin në mënyrë të pazakontë.

Këto ndryshime të vogla janë pjesa më tërheqëse e koleksionit. Ato i japin një veshjeje të përditshme një elegancë që nuk kërkon shumë për t’u vënë re. Një xhaketë mund të mbetet fare e thjeshtë dhe, megjithatë, mënyra si mblidhet te beli ose si ndryshon vija e saj ta bëjë të veçantë. Te Bellotti, detaji është më bindës kur e kupton nga afër, pa pasur nevojë që dikush ta shpjegojë gjatë.

Por koleksioni nuk e ruan gjithmonë këtë forcë. Disa silueta dhe kombinime të japin ndjesinë e një kohe tjetër; të kujtojnë një garderobë që moda e ka vizituar shpesh dhe që sot mund të mos të tërheqë më njësoj. Kjo ndjesi nuk zhduket domosdoshmërisht nga një palosje e zhvendosur apo nga një mënyrë e re kopsitjeje. Herë ndërhyrja e Bellotti-t e zgjon veshjen, herë duket shumë e vogël për ta ndryshuar atë.

Vetë stilisti e ka përshkruar koleksionin përmes idesë së uniformës dhe cenueshmërisë. Te Jil Sander, uniforma lidhet me prerjen e saktë dhe një lloj autoriteti të qetë. Bellotti kërkon t’ia zbusë atë siguri: rrobat rrudhen, shtrembërohen lehtë, lënë përshtypjen se janë veshur nga dikush që ka lëvizur e ka jetuar brenda tyre. Në disa pamje kjo u jep ngrohtësi; në të tjera, ideja mbetet më interesante se rezultati.

Koleksion te shtyn drejt nje reflektimi mbi veshjet minimaliste që shpesh gjenden  edhe në versione që kushtojnë shumë më pak. Çfarë duhet të ofrojë kjo shtëpi që të mbetet e dallueshme? Në këtë koleksion, përgjigjja nuk gjendet te thjeshtësia në vetvete. Sfilata lë një përshtypje të përzier, por interesante: një koleksion që herë duket i kthyer pas në kohë, herë tregon sa larg mund ta çojë elegancën një detaj i vetëm.

-THELB,

Share This Article