Etnik Shala në Milano Fashion Week, një moment transformimi

6 Min Read

Në Milano Fashion Week, Etnik Shala prezanton ‘SCAR’ si kapitullin e një transformimi estetik. Një koleksion më introspektiv, që shënon pjekurinë e një rruge të nisur nga miti dhe kujtesa drejt përvojës personale.

Drita bie mbi metal. Një trup i strukturuar hyn në pasarelë. Milano, 25 shkurt.

Janë pamjet e para të ‘SCAR Collection’, koleksioni më i fundit që stilisti shqiptar nga Peja, Etnik Shala, prezantoi në Milano Fashion Week. Me këtë dalje, ai hap një kapitull të ri: prezantimin e parë në kryeqytetin e modës.

Çdo prezantim në këtë javë mode është rezultat i muajve pune. Çdo dalje është pjesë e një dialogu estetik që shtrihet përtej pasarelës. Milano nuk është vetëm destinacion, është filtër ku forma, materiali dhe koncepti lexohen me kujdes. Të jesh pjesë e këtij kalendari do të thotë të hysh në një hapësirë ku profesionalizmi është i padiskutueshëm.

Për Shalën, ky moment është edhe një vendosje e modës shqiptare në një hartë më të gjerë.

Skena e prezantimit, Manastiri i San Barnaba, i dha koleksionit një dimension të veçantë. Harkatat e Rilindjes dhe romatizmi arkitektonik krijuan kontrast me strukturën dhe prerjet bashkëkohore. Dikur vend meditimi, sot hapësirë për vizione të reja. Një paralelizëm i qartë me vetë rrugëtimin e stilistit: rrënjë të thella dhe sy nga e ardhmja.

‘SCAR’, forma që mban gjurmë

Ngjyrat e koleksionit lëviznin mes argjendit metalik, gri të thellë dhe një të bardhe të pastër. Materialet krijonin ndjesinë e një armature moderne. Siluetat dominoheshin nga linja sirene – prerje që ndjek trupin me bust të fortë dhe bel të kontrolluar.

Trupi duket i mbrojtur, por njëkohësisht i ekspozuar përmes prerjeve asimetrike si pjesë e konceptit.

Një fustan voluminoz prej organze, me teksturë gri të tymosur, mbështillet mbi një bust të fortë. Është dialog mes disiplinës dhe lëvizjes, mes forcës dhe brishtësisë. Shtresa e brendshme është e strukturuar; ajo e jashtme duket si energji e çliruar. Shala punon me volum si arkitekt, duke ndërtuar tension brenda vetë siluetës.

Momenti më i fortë vizual vjen me fustanin e bardhë, minimal në prerje, por i drejtpërdrejtë në imazh. Detajet e kuqe shpërthejnë në zonën e kraharorit dhe ngjiten drejt fytyrës. Bardhësia është pothuaj sterile. Kontrasti është i ashpër, por i qëllimshëm. “Broken before meeting the sun” qëndiset mbi kraharor pa bujë.

Maskat skulpturore shtojnë një dimension tjetër: identiteti nuk është gjithmonë i plotë, është në kërkim. Perfeksionohet!. Koleksioni lëviz drejt një zone performative, ku veshja bëhet deklaratë.

Në krahasim me ‘MYTH’, ‘SCAR’ është më introspektiv. Ai flet për përvojën personale, për plagën që bëhet formë, për vështirësinë që shndërrohet në forcë.

Londra dhe kapitulli i mitit

Një vit më parë, në London Fashion Week, Shala prezantoi ‘MYTH’, koleksionin që e vendosi më qartë në vëmendjen ndërkombëtare.

Imazhet e vjetra të Fototekës Marubi u përkthyen në printime mbi mëndafsh dhe materiale të strukturuara. Arkiva historike u bë element qendror i pasarelës. Ishte një operacion estetik mbi kujtesën, dekonstruktim dhe rindërtim në formë couture.

Në ‘MYTH’, trupi bëhej monument. Arkiva bëhej lëvizje.

I prezantuar në disa vende dhe i vlerësuar me kritika pozitive, koleksioni u kthye në pikë kthese.

‘Fotot e Marubit janë sirtari më i vjetër dhe më i vlefshëm që ka kombi ynë,’ është shprehur ai. ‘Ai koleksion më ndihmoi të krijoj një bazë të fortë për të hyrë seriozisht në industri.’

Për të, arkiva është më shumë se dokument.

‘Shpesh e them me shaka se ndoshta suksesi im vjen nga ‘shpirtrat e vjetër’ shqiptarë që po i rikthej në jetë përmes veshjeve. Në shumicën e koleksioneve fus nocione të identitetit tonë shqiptar. Nuk përfaqësoj vetëm veten; përfaqësoj një kulturë.’

Megjithatë, ai thekson kujdesin ndaj trashëgimisë.

‘Brezi im i përket një epoke inovative. Duhet të gjejmë mënyra për ta portretizuar zanatin tonë pa e deformuar atë. Xhubleta për mua është një tempull, një vepër arti që duhet respektuar.’

Etnografia tek Shala nuk është kostum. Është strukturë mendimi.

Nga Milano në Tiranë

Pas prezantimit ndërkombëtar, rrugëtimi i tij vazhdon në edicionin e dytë të Albania Fashion Week në prill.

Javët e modës funksionojnë sipas një kalendari të qartë sezonal. Koleksionet përgatiten me muaj dhe prezantohen në data të përcaktuara. Kjo disiplinë krijon kulturë profesionale. Për Shalën, kjo filozofi duhet të kultivohet edhe në Shqipëri.

Në këtë mënyrë, përfaqësimi ndërkombëtar dhe zhvillimi lokal nuk janë dy rrugë të ndara, por pjesë e së njëjtës vizion.

Një stil në evolucion

I lindur në vitin 1993 në Pejë, Etnik Shala e nisi rrugëtimin në moshën 16-vjeçare. Autodidakt, ai ndërtoi stilin e tij përmes punës dhe kërkimit të vazhdueshëm.

Sot, ai lëviz mes couture-it dhe konceptit, mes strukturës arkitektonike dhe ndjeshmërisë artistike. Veshjet e tij kërkojnë kohë. Kërkojnë lexim.

Nga miti kolektiv te përvoja individuale, nga arkiva te sipërfaqja, rrugëtimi i tij është një proces evolucioni që vazhdon.

Në një kohë kur moda shpesh ndjek trendin më të shpejtë, Etnik ndërton mbi kujtesë, mbi strukturë, mbi identitet. Dhe në këtë zgjedhje qëndron forca e tij: jo të jetë zë i momentit, por zë i një vazhdimësie.

— THELB,

Share This Article