Një epokë e re për modën shqiptare, prezantohet zyrtarisht ‘Albanian International Fashion Federation’ (AIFF)

3 Min Read

Sistemi i modës në Shqipëri tashmë ka një pikë të re, strategjike dhe institucionale referimi. Prezantohet zyrtarisht Albanian International Fashion Federation (AIFF), një platformë e pavarur e sistemit bashkëkohor të modës, e krijuar me synimin e qartë për të strukturuar, zhvilluar dhe pozicionuar këtë sektor si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Me seli në Tiranë, AIFF është një ekosistem institucional dhe kuratorial që funksionon përmes një procesi rigoroz seleksioni, duke marrë përsipër zbulimin, zhvillimin dhe vlerësimin e talenteve krijuese dhe subjekteve profesionale që formësojnë industrinë sot.

Për të përmbushur misionin e saj, federata është ndërtuar mbi një sistem të integruar, i cili përbëhet nga tre platforma kryesore:

 Albania Fashion Week (AFW) – Java Zyrtare e Modës

Si kryefjala e sistemit AIFF, AFW është java zyrtare e modës në Shqipëri dhe momenti qendror i kalendarit kombëtar. Kjo platformë shërben si dritarja kryesore e prezantimit të sistemit tonë kreativ përpara botës. Pjesëmarrja në të realizohet përmes një seleksioni të rreptë kuratorial, i bazuar në: cilësinë e projektit, koherencën estetike dhe vlerat krijuese. AFW bën bashkë stilistë, marka, blerës (buyers), editorë dhe ekspertë të industrisë, duke u kthyer në urën lidhëse të modës shqiptare me tregun ndërkombëtar.

Tirana Fashion Week (TFW) – Hapësira për Talentet Emergjente

E dedikuar tërësisht për të ardhmen, TFW fokusohet te stilistët e rinj dhe brandet e pavarura. Përmes proceseve të strukturuara të scouting (zbulimit) dhe përzgjedhjes kuratuale, kjo platformë u jep zë talenteve të reja, duke lehtësuar dhe garantuar integrimin e tyre të suksesshëm në sistemin profesional të modës.

 

Fashion Future Forum – Platforma e Dialogut dhe Kërkimit

Moda nuk është vetëm estetikë, por edhe industri e mendim. Ky forum ndërkombëtar funksionon si një hapësirë institucionale për kërkim, analizë dhe dialog strategjik. Ai bën bashkë profesionistë, institucione, akademi dhe aktorë globalë për të trajtuar sfidat dhe evolucionin e modës bashkëkohore, ekonomitë kreative, si dhe modelet e reja kulturore dhe prodhuese.

AIFF vjen në tregun shqiptar jo thjesht si një organizator eventesh, por si një infrastrukturë e pavarur.

Deklarata Zyrtare e AIFF:

‘AIFF përfaqëson një infrastrukturë të re të sistemit bashkëkohor të modës, ku seleksioni, zhvillimi dhe vizioni ndërkombëtar bashkohen në një ekosistem të vetëm të strukturuar.’

Federata Ndërkombëtare e Modës Shqiptare synon të ngrejë një industri të fortë, të qëndrueshme dhe konkurruese në skenën botërore duke vendosur cilësinë dhe profesionalizmin në plan të parë.

Share This Article