Coco Mademoiselle Crush Absolu, kapitulli i ri i CHANEL me Gracie Abrams

3 Min Read

Më 19 gusht, në ditëlindjen e Gabrielle Chanel, prezantohet Coco Mademoiselle Crush Absolu. Data është simbolike, por edhe momenti është i tillë. Kanë kaluar 25 vjet që kur Jacques Polge krijoi Coco Mademoiselle, parfumin që do të bëhej një prej aromave më të njohura të Maison. Sot, riinterpretimi i tij mban firmën e Olivier Polge, djalit të Jacques dhe parfumerit-krijues të CHANEL.

Është një vazhdimësi familjare e pazakontë edhe për botën e parfumerisë. Babai krijoi origjinalin; djali rikthehet i rikthehet çerek shekulli më vonë. Por Crush Absolu nuk është konceptuar si një kopje më intensive e parfumit të vitit 2001. Olivier Polge është nisur nga një ndjesi: ai çast tërheqjeje të menjëhershme që i jep edhe emrin parfumit crush.

Në aromë, kjo përkthehet fillimisht përmes freskisë së agrumeve, trëndafili dhe jaseminit shfaqen më pas, ndërsa paçuli, një prej kodeve karakteristike të Coco Mademoiselle, bashkohet me vetiverin, vaniljen dhe notat ambrate, duke i dhënë kompozimit një karakter më të ngrohtë dhe intensiv.

Edhe shishja tregon se CHANEL nuk ka dashur të shkëputet nga ajo që ekzistonte. Silueta e njohur e Coco Mademoiselle mbetet, por tonaliteti bëhet më i thellë, etiketa është e zezë dhe me germa të arta. Është e njëjta familje, vetëm se këtë herë me një prani më të theksuar.

Fytyra e Coco Mademoiselle Crush Absolu është Gracie Abrams, këngëtarja dhe kantautorja amerikane që vitet e fundit është kthyer në një prej emrave më të njohur të brezit të saj. Për Abrams, megjithatë, CHANEL nuk është një zbulim i ri. Në një intervistë për Vogue France, ajo kujton shishen e CHANEL N°5 që gjyshja mbante pranë lavamanit dhe veten, ende fëmijë, ulur përpara tavolinës së saj të tualetit. Parfumi Chanel, tregon ajo, ishte që atëherë pjesë e mënyrës si imagjinonte feminilitetin.

Vite më vonë, është ajo që përfaqëson aromën më të re të Maison. Kur Vogue e pyet se çfarë përfaqëson për të Coco Mademoiselle Crush Absolu, Abrams zgjedh vetëm një fjalë: ‘vetëbesim’.

Coco Mademoiselle u prezantua në vitin 2001, kohë kur Gracie Abrams ishte ende fëmijë dhe Jacques Polge ishte parfumeri që firmoste aromën e re të CHANEL. Njëzet e pesë vjet më vonë, Gracie është imazhi i interpretimit të saj më të fundit, ndërsa pas krijimit qëndron Olivier Polge, djali i Jacques.

Crush Absolu mbërrin kështu me një histori që lidh dy breza në parfumeri, përmes familjes Polge, dhe në imazhin e Coco Mademoiselle, që sot përfaqësohet nga Gracie Abrams. CHANEL ka zgjedhur 19 gushtin, ditëlindjen e Gabrielle Chanel, për ta prezantuar. Një detaj që e vendos krijimin e ri aty ku Maison kthehet shpesh: te historia e vet.

– THELB,

Share This Article