‘Roderna’, koleksioni që prezanton botën e CATERINA MATÓ

6 Min Read

Krijimet e CATERINA MATÓ tërheqin vëmendjen që në kontaktin e parë përmes linjave të thjeshta dhe të rafinuara, materialeve cilësore dhe detajeve të kuruara me shumë rigorozitet. Por identiteti i markës nuk qëndron vetëm tek pamja e jashtme e veshjes, ai zbulohet gradualisht në mënyrën si ndërtohet në strukturë, në qepje dhe në raportin e kujdesshëm me vetë materialin dhe ngjyrat.

I lançuar së fundmi me koleksionin pranverë-verë 2026, ‘Roderna’, brandi i themeluar nga Katerina Matoshi duket se po ndërton gradualisht një identitet të qartë estetik, të orientuar drejt një elegance të rafinuar. Vetë emri CATERINA MATÓ është zgjedhur si një interpretim artistik i emrit të saj, me synimin për t’i dhënë markës një frymë më ndërkombëtare dhe një identitet të dallueshëm në industrinë e modës.

Koleksioni ‘Roderna’, i frymëzuar nga ideja e ‘Roma Moderna’, lindi pas një udhëtimi të stilistes në kryeqytetin italian vitin e kaluar. Përtej modës, ishte vetë atmosfera e Romës ajo që duket se ndikoi në mënyrën si u ndërtua koleksioni frymëzuar nga kolonat monumentale, arkitektura klasike, teksturat e gurit, ngjyrat, drita mbi ndërtesat e vjetra dhe ajo ndjesi e rrallë që qyteti krijon mes historisë dhe elegancës së përditshme.

Në shumë mënyra, Roma vazhdon të mbartë edhe sot atë që Johann Wolfgang von Goethe e përshkruante si ‘qyteti ku gjithçka duket si kujtim dhe prani njëkohësisht’ e pikërisht në këtë frymë lexohet estetika e koleksionit, një raport mes strukturës klasike dhe një elegance moderne.

Vetë Katerina Matoshi e përshkruan lindjen e brandit si diçka që ka ekzistuar shumë përpara se të merrte formën e një etikete mode. ‘Ishte fillimisht një ndjesi, një mënyrë personale për ta parë feminitetin, elegancën dhe mënyrën si një grua mund të ndihet përmes veshjes’, shprehet ajo. ‘Me kalimin e kohës kuptova se nuk po krijoja thjesht veshje, por po ndërtoja një identitet estetik me një gjuhë shumë të qartë.’

Një nga elementet që dallon punën e saj është raporti me ndërtimin e veshjes. Çdo krijim kalon përmes një procesi të gjatë pune me kallëpe, prova dhe ndërtim siluetash deri në arritjen e formës finale. Edhe pjesët e brendshme të veshjes si astari, qepjet dhe përfundimet teknike, trajtohen me të njëjtin kujdes estetik si pjesa e jashtme.

Kjo vëmendje ndaj ndërtimit të veshjes shtrihet deri në detajet më të vogla të produktit. Për Katerina Matoshin, cilësia nuk lidhet vetëm me pamjen finale të një krijimi, por me mënyrën si ai është realizuar në çdo pjesë të tij. Nga përzgjedhja me shumë kujdes i materialeve, tek prerjet, qepjet dhe përfundimet e brendshme, çdo element trajtohet me të njëjtin standard kujdesi estetik dhe teknik. Edhe detaje si kopsat, elementët e personalizuar të brandit apo mënyra si përfundon struktura e veshjes, ndërtohen si pjesë e së njëjtës filozofi precizioni dhe cilësie. Për Katerina Matoshin, një veshje duhet të ruajë të njëjtin nivel kujdesi estetik dhe teknik si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda.

Materialet zënë gjithashtu një rol qendror në identitetin e MATÓ. Koleksioni ndërtohet kryesisht mbi fibra natyrale si pambuku dhe linoja, ndërsa detajet janë të menduara dhe të personalizuara për secilin model. Në krijimet e saj, detaji përdoret jo vetëm si element dekorativ, por si pjesë organike e ndërtimit të veshjes, shpesh i dukshëm vetëm për një sy më të kujdesshëm ndaj formës dhe cilësisë.

Ky raport me precizionin duket i lidhur ngushtë edhe me formimin e saj si inxhiniere tekstili dhe eksperiencën prej vitesh si inspektore e kontrollit të cilësisë për marka të njohura ndërkombëtare. Nga kërkimi i trendeve dhe konceptimi i koleksionit, tek skicimi, ndërtimi i prototipeve dhe realizimi final i produktit, Katerina Matoshi tregon se është e përfshirë personalisht në çdo fazë të procesit krijues.

CATERINA MATÓ zgjedh të zhvillohet përmes veshjeve ready-to-wear, të menduara si për përditshmëri, ashtu edhe për evente, duke ruajtur gjithmonë një raport të kujdesshëm me formën, materialin dhe cilësinë e produktit. Në qendër të këtij universi duket se qëndron një grua moderne, e sigurt dhe e kujdesshme ndaj mënyrës si prezantohet, por që e sheh elegancën më shumë si ndjesi sesa si imponim vizual. Krijimet realizohen në sasi të limituara për çdo model, një qasje që i lejon brandit të ruajë vëmendjen ndaj detajit dhe procesit të ndërtimit të çdo veshjeje.

Besoj se luksi i vërtetë ndihet tek ndërtimi i mirë i një veshjeje dhe tek detajet që nuk janë gjithmonë të dukshme menjëherë, por perceptohen’, shprehet ajo.

Njëkohësisht, stilistja thekson se është një mbështetëse e fortë e ‘Made in Albania’, bindje që, sipas saj, është forcuar edhe më shumë nga eksperienca e përditshme e punës me profesionistë shqiptarë të industrisë së tekstilit dhe prodhimit për marka të huaja. Përmes MATÓ, ajo duket se kërkon të sjellë pikërisht këtë standard cilësie dhe këtë kulturë pune në një identitet të ri lokal mode.

Në krijimet e MATÓ, asgjë nuk duket e rastësishme dhe gjithçka reflekton një mënyrë shumë të vetëdijshme të të kuptuarit të modës e pikërisht aty nis gradualisht të marrë formë edhe identiteti i CATERINA MATÓ.

 

— THELB,

Share This Article