Paraqitjet publike të Rosalía-s në New York dhe nisja e segmentit amerikan të Lux Tour 2026 kanë rikthyer vëmendjen te një element që artistja spanjolle e ka trajtuar prej kohësh me kujdes: raporti mes muzikës dhe imazhit.
Gjatë koncertit të fundit në Boston, Rosalía artistja u shfaq në skenë me katër kostume të realizuara posaçërisht nga Dior, nën drejtimin kreativ të Jonathan Anderson, bashkëpunim që për shumë media ndërkombëtare të modës është kthyer në një nga elementët më interesantë të turneut aktual.

Për publikun europian, Rosalía është prej vitesh një nga artistet që ka arritur të ndërtojë një profil të veçantë në muzikën bashkëkohore, duke kombinuar flamenco-n tradicionale spanjolle me pop, hip hop, reggaeton, klasike dhe elementë të muzikës eksperimentale. Por, paralelisht me muzikën, ajo ka treguar gjithmonë një vëmendje të qartë ndaj mënyrës se si estetika dhe veshja bëhen pjesë e identitetit artistik.

Kjo duket edhe më e qartë në Lux, albumi i saj i katërt, ku artistja interpreton në 14 gjuhë të ndryshme dhe lëviz mes muzikës operistike dhe kompozimeve orkestrale, deri te flamenco dhe ritmet elektronike. Vetë albumi është regjistruar në bashkëpunim me London Symphony Orchestra, një detaj që ndihmon të kuptohet edhe natyra vizuale e projektit skenik që po e shoqëron.
Që prej fillimit të turneut europian, garderoba e koncertit ishte menduar si vazhdimësi e temave që përshkojnë albumin: spiritualitet, ikonografi religjioze dhe referenca që kujtojnë estetikën kishtare. Këpucët e baletit, fundet prej tyli, mantela të qëndisur dhe silueta që të kujtonin veshje ceremoniale kanë qenë pjesë e paraqitjeve të saj në skenë.

Për pjesën amerikane të turneut, Rosalía ka zgjedhur të bashkëpunojë me Jonathan Anderson, aktualisht drejtori kreativ i Dior. Për koncertet në Boston, New York, Miami dhe Orlando, Anderson ka realizuar katër kostume ekskluzive, secili i ndërtuar si pjesë e vetë strukturës vizuale të performancës.
Gjatë koncertit, garderoba ndryshon vazhdimisht duke ndjekur edhe atmosferën e vetë performancës. Rosalía nis me një paraqitje që të kujton baletin klasik, me tyl të bardhë dhe këpucë baleti, më pas kalon drejt imazheve më të errëta dhe më dramatike, ku dominojnë ngjyrat e zeza dhe referenca që kujtojnë veshjet ceremoniale. Në pjesën e fundit të koncertit, skena ndriçohet sërish me tonalitete më të lehta, përpara se performanca të mbyllet me një nga momentet më teatrale të gjithë shfaqjes, ku artistja shfaqet me një mantel të frymëzuar nga krahët e një engjëlli.

Në një intervistë për Vogue, Jonathan Anderson ka shpjeguar se bashkëpunimi me Rosalía erdhi pothuajse natyrshëm. Sipas tij, mënyra se si artistja ka ndërtuar albumin Lux i kujtoi menjëherë procesin e krijimit në haute couture, ku rëndësi ka jo vetëm ideja finale, por edhe kujdesi ndaj teknikës, traditës dhe çdo detaji që e ndërton atë.
Ajo që bie në sy te Lux Tour është se kostumet nuk duken të menduara për të shoqëruar thjesht performancën. Në rastin e Rosalía-s, ato ndjekin të njëjtën logjikë që përshkon vetë albumin: të ndërtojnë një rrëfim ku muzika, referencat vizuale dhe mjeshtëria artizanale zhvillohen paralelisht.
– THELB,

