Kate Moss rikthehet në qendër të modës, në një performancë të pazakontë për Gucci-n

7 Min Read

Kate Moss rikthehet në qendër të një prej skenave më të mëdha të modës, por jo përmes një fotografie klasike, një sfilate apo një portreti të kuruar, siç do ta prisnim nga një prej supermodeleve më të njohura të viteve ’90.

Këtë herë, Gucci e vendos përballë kamerës, në një mikro film gati katërminutësh, ku Kate Moss performon në playback ‘Wicked Game’, këngën ikonike të Chris Isaak. E veshur me një fustan të gjatë të zi Gucci, ajo qëndron në qendër të një dhome, ndërsa rreth saj një grup njerëzish kërcejnë së bashku.

Është një mënyrë e pazakontë për të rikthyer në qendër të vëmendjes një figurë që prej dekadash është një nga simbolet më të njohura të modës.

Kate Moss, modeli që ndryshoi idenë e supermodeles

Kur Kate Moss u shfaq në skenën e modës në fillim të viteve ’90, ajo nuk përputhej me imazhin e supermodeles që dominonte atë kohë.

Në vend të modeleve të gjata, me forma më të theksuara dhe një prani spektakolare, Moss solli një figurë më të vogël, më të brishtë dhe me një lloj bukurie që dukej më pak e përsosur dhe më shumë reale. Ajo u bë një nga fytyrat e rëndësishme të ndryshimit të estetikës së modës në atë dekadë dhe, shumë shpejt, një nga modelet më të njohura në botë.

Një nga momentet që e vendosi përfundimisht në hartën e modës ishte bashkëpunimi me Calvin Klein, veçanërisht fushatat e viteve ’90. Në atë periudhë, Moss u kthye në një figurë që nuk shfaqej vetëm në reklamat e modës, por ndikonte edhe në mënyrën se si moda, bukuria dhe seksualiteti perceptoheshin asokohe. Tani, në moshën 52-vjeçare, ajo shfaqet në një video për Gucci-n.

Pse ‘Wicked Game’?

Nëse nuk e njihni këngën, zgjedhja mund të duket thjesht si një detaj muzikor. Në fakt, është një nga elementet më të rëndësishme të videos. ‘Wicked Game’ është këngë e muzikantit amerikan Chris Isaak, e publikuar fillimisht në vitin 1989. Ajo u bë veçanërisht e njohur pasi u përdor në filmin ‘Wild at Heart’ të David Lynch dhe më pas u kthye në një nga këngët më të njohura të karrierës së Isaak.

Kënga ka një atmosferë të errët, sensuale e melankolike dhe flet për atë lloj tërheqjeje që të bën të humbasësh kontrollin, edhe kur e di se mund të lëndohesh.’Wicked Game’ nuk është një këngë romantike në kuptimin klasik të fjalës. Është më shumë një këngë për dëshirën, tundimin dhe kontradiktën e të rënërit në dashuri me dikë që mund të të thyejë zemrën.

Mbi versionin e Chris Isaak performon Kate Moss për Gucci-n. Ajo nuk e këndon këngën me zërin e saj, por bën lip-sync, duke sinkronizuar lëvizjet e buzëve me vokalin e Isaak. Zgjedhja është e fortë edhe sepse vetëKate Moss është një figurë e lidhur prej dekadash me sensualitetin, misterin dhe një lloj bukurie që nuk është ndërtuar mbi përsosmërinë klasike.

Një dhomë plot me të panjohur

Me regji të Johan Renck, video nis në një atmosferë të pazakontë. Skenat janë xhiruar në një godinë që më parë ishte hotel në zonën Lanište, ku prodhimi ishte mbajtur sekret përpara publikimit të fushatës, ndërsa Kate Moss qëndron në qendër të hapësirës.  Rreth saj, të panjohurit zgjohen, shohin njëri-tjetrin, afrohen, kërcejnë dhe, gradualisht, bien në dashuri.

Kështu, filmi nuk është thjesht një performancë e Kate Moss apo një reklamë tradicionale mode. Është një histori e shkurtër për tërheqjen, takimin dhe momentin kur njerëzit lejojnë veten të afrohen me njëri-tjetrin. Vetë Gucci e përshkruan këtë koleksion si një kapitull të ri për shtëpinë, me silueta, tekstura dhe materiale që sjellin një tjetër fjalor vizual.

‘Primavera’, dashuria si një fillim i ri

Filmi është pjesë e fushatës së re të Gucci-t, të quajtur Gucci Primavera dhe koncepti i fushatës lidhet me idenë e ripërtëritjes, dashurisë dhe mundësisë për një fillim të ri. Gucci e ndërton fushatën rreth idesë se dashuria mund të jetë një forcë transformuese, diçka që i zgjon njerëzit dhe i nxjerr nga gjendja e tyre e mëparshme.

Kjo ide shfaqet edhe në pjesën tjetër të fushatës, të fotografuar nga Michal Chelbin. Portretet marrin frymëzim nga estetika e pikturës së Rilindjes, ndërsa në to shfaqen figura nga moda, muzika, filmi dhe sporti, mes tyre Xiao Zhan, Jin, NINGNING, Tom Brady, Alex Consani, Shawn Mendes dhe të tjerë.  ‘Primavera’ është gjithashtu fushata e parë e madhe e lidhur me koleksionin e debutimit të Demna-s, stilisti gjeorgjian, lindur në vitet ’80, për Gucci-n. Demna u bë i njohur ndërkombëtarisht fillimisht përmes Vetements, markës që themeloi së bashku me vëllain e tij, Guram Gvasalia. Më pas, në vitin 2015, u bë drejtor artistik i Balenciaga-s, ku qëndroi deri në vitin 2025.

Por në film, emri që mbetet në mendje është Kate Moss.

Gucci nuk e ka vendosur përballë një sfondi luksoz, por në një situatë të çuditshme, teatrale dhe paksa surreale, Kate Moss nuk ka më nevojë të na bindë se kush është, mjafton të shfaqet dhe këtë herë, ajo performon kënduar pa kënduar, në një mikro film mode që duket si një videoklip, për një shtëpi mode që po hap një kapitull të ri.

– THELB, 

Share This Article