Në Wimbledon, kodi i veshjes nuk ekziston vetëm për tenistët. Edhe tribunat janë kthyer prej vitesh në një pasarelë ku eleganca britanike takohet me modën.
Për finalen e meshkujve, ku u përballën Jannik Sinner dhe Alexander Zverev, Kate Middleton u shfaq me një fustan të gjelbër nga stilistja me bazë në Londër Emilia Wickstead, një zgjedhje që dukej si një homazh për elementin më ikonik të turneut, fushën me bar që e ka bërë Wimbledon-in të njohur në mbarë botën.
Si patrone e ‘All England Lawn Tennis and Croquet Club’ që prej vitit 2016, Princesha e Uellsit ka një rol të veçantë në ceremoninë e ndarjes së trofeve dhe paraqitja e saj është gjithmonë një nga momentet më të komentuara të turneut.

Kate zgjodhi një fustan të gjelbër nga Emilia Wickstead, me një dizajn të thjeshtë, por shumë elegant. Pamjen e plotë e kombinoi me vathë Van Cleef & Arpels, këpucë Ralph Lauren, një çantë DeMellier dhe stemën jeshile e vjollcë të All England Club, simbol i rolit të saj në Wimbledon.
Në tribunë, vëmendje tërhoqi edhe Princesha Charlotte, e cila dukej sikur kishte marrë frymëzim nga garderoba e së ëmës, me një fustan në nuanca blu që ruante të njëjtën elegancë diskrete.

Por finalja e Wimbledon-it nuk mblodhi vetëm anëtarët e familjes mbretërore. Në Royal Box ishin të pranishme edhe emra të njohur të modës, kinemasë dhe muzikës.
Anna Wintour zgjodhi një fustan në nuanca krem, Nicole Kidman me kostum Ralph Lauren, ndërsa Jennifer Lopez u shfaq me një fustan ngjyrë fildishi nga e njëjta shtëpi mode, i kombinuar me një kapele me strehë të gjerë. Në tribunat e Wimbledon-it u panë gjithashtu Daisy Edgar-Jones me një fustan Chanel të frymëzuar nga modelet sportive të Coco Chanel të viteve ’20, Sienna Miller me McQueen dhe Lucy Boynton me Miu Miu.





Edhe këtë vit, Wimbledon konfirmoi se nuk është vetëm një nga turnetë më prestigjiozë të tenisit në botë, por edhe një nga skenat ku moda, tradita dhe eleganca britanike takohen në mënyrën më natyrale.
– THELB,

