Në një intervistë për Vogue China, Anne Hathaway flet për një vit të pazakontë në karrierën e saj, për Penelopën e The Odyssey dhe për një ide që duket se përmbledh më mirë se çdo tjetër momentin ku ndodhet sot, bota nuk mund t’i thotë më një gruaje në të dyzetat se çfarë duhet të jetë.
Ky është, në shumë kuptime, viti i Anne Hathaway. Brenda vetëm pak muajsh, pesë projekte të ndryshme e kanë sjellë atë në role që shkojnë nga një yll pop-i në krizë te rikthimi në botën e modës, nga një mbretëreshë e mitologjisë greke te një nënë e shtyrë drejt kufijve të saj dhe një antagoniste në thriller psikologjik.
Por ndërsa kalendari i saj profesional duket më i ngarkuar se kurrë, Hathaway e përshkruan veten në një mënyrë pothuajse të kundërt, më të qetë, më të vendosur dhe më pak të varur nga ideja se puna duhet të përcaktojë gjithçka.
Në intervistën për Vogue China, aktorja tregon se kur kuptoi se thuajse të gjitha projektet e përfunduara do të dilnin brenda të njëjtit vit, i kërkoi ekipit të ndalonte përkohësisht me ofertat e reja. Donte kohë për familjen. Pak më vonë, mori vesh se ishte shtatzënë me fëmijën e tretë.
a-more-profound-understanding-of-what-2-811x1024.jpg)
(Look 1: Jelek i kuq, pantallona kostumi dhe doreza lëkure Michael Kors Collection; varëse nga koleksioni Eclettica High Jewelry, Bvlgari.)
Në 43 vjeç, ajo e sheh këtë jo si largim nga karriera, por si një ndryshim të raportit me të. Për shumë vite, thotë Hathaway, aktrimi ishte dashuria më e madhe e jetës së saj dhe qendra e identitetit të vet. Sot mbetet thelbësor, por jo më i vetmi element që e përcakton.
Christopher Nolan, me të cilin ajo bashkëpunon në The Odyssey, e ka përshkruar këtë fazë të saj si një lloj ‘qetësie të përmbajtur’. Hathaway e interpreton ndryshe duke pohuar se nuk ka mungesë ambicieje, por tashmë ajo ka një identitet edhe jashtë ekranit.
Në Odisenë e Homerit, Odiseu kalon njëzet vjet larg Itakës, dhjetë në Luftën e Trojës dhe dhjetë të tjera në udhëtimin e gjatë të kthimit. Penelopa, gruaja e tij, mbetet në Itakë, ku përballet me pretenduesit që kërkojnë të zënë vendin e Odiseut dhe të marrin kontrollin e mbretërisë. Për këtë arsye, figura e saj është lidhur për shekuj me pritjen dhe besnikërinë ndaj burrit që nuk kthehet.
Hathaway propozon një lexim më aktiv të Penelopës. Për të, ajo nuk është thjesht gruaja që pret. Gjatë mungesës së Odiseut, ajo përpiqet të mbajë familjen dhe mbretërinë të bashkuara, të menaxhojë presionin e pretenduesve dhe të pengojë që situata të përfundojë në dhunë.
a-more-profound-understanding-of-what-811x1024.jpg)
(Look 2: Këmishë, xhaketë kostumi, rrip, pantallona kostumi dhe këpucë të zeza lëkure Givenchy by Sarah Burton.)
‘Puna’ e saj nuk ka aventurën e Odiseut, betejat apo udhëtimet e tij dhe për këtë, argumenton Hathaway, historia nuk e ka kremtuar në të njëjtën mënyrë. Ky interpretim e çon aktoren te një pyetje: cilat forma pune dhe qëndrueshmërie zgjedhim të quajmë madhështi? Puna e padukshme, sidomos brenda familjes, vazhdon të bjerë në mënyrë disproporcionale mbi gratë. Hathaway pyet se çfarë do të ndodhte nëse do të ndalonim së quajturi ‘punë grash’ dhe do ta quanim thjesht ‘punë me vlerë’. Penelopa, në këtë lexim, nuk është thjesht një personazh antik. Ajo bëhet një mënyrë për të parë më qartë një debat që vazhdon edhe sot.
Kush vendos se si duhet të jetë një grua pas të 40-ave?

Hyrja në të dyzetat, thotë Hathaway, i ka dhënë një ndjenjë lirie që nuk e kishte njohur më parë. Bota, sipas saj, nuk mund t’i japë më një model të gatshëm se si duhet të duket apo të sillet një grua në këtë moshë. Dhe ajo beson se ky brez grash po hyn në një territor të ri ku për herë të parë, shumë prej tyre kanë mundësinë të shkruajnë vetë kapitullin e jetës pas të dyzetave, në vend që të trashëgojnë pritshmëri të formuara nga brezat e mëparshëm.
Është një ide që përputhet çuditërisht mirë me vetë karrierën e saj.
Pas The Princess Diaries dhe The Devil Wears Prada, Hollywood-i tentoi ta fiksonte në vajzën e zgjuar, e këndshme dhe ambicioze. Hathaway e kuptoi se duhej të zgjidhte mes vazhdimit të atij imazhi dhe rrezikut të roleve më komplekse, jo gjithmonë simpatike apo të lehta për publikun. ‘Për mua, përgjigjja ishte e qartë, doja të bëhesha aktore’.
Dy dekada më vonë, kjo zgjedhje e ka sjellë në një moment ku pesë role shumë të ndryshme mund të dalin brenda të njëjtit vit. Ndoshta ‘viti i Anne Hathaway’ është viti kur një aktore që publiku e njohu si vajza e re që po përpiqej të gjente vendin e saj, por në moshën 43 vjeçare, ajo duket se po jeton pikërisht atë që thotë për gratë e brezit të saj: jo të përmbushë një ide të gatshme se çfarë duhet të jetë një grua pas të dyzetave, por të ketë lirinë për ta përcaktuar vetë.
Ky shkrim bazohet në intervistën e Anne Hathaway për Vogue China, me tekst nga Guo Zhijun.
Fotografi: Norman Jean Roy
– THELB,

