Ne rritemi me imazhe. Para se të lexojmë gjatë, shohim. Para se të kuptojmë, krijojmë ide përmes figurave. Për shumëkënd në Shqipëri, një pjesë e këtij formimi ka ardhur nga ilustrimet, karikaturat dhe revistat që kanë shoqëruar breza të tërë.
Libri ‘Historia e novelës grafike dhe karikaturës shqiptare’ i Oltsen Gripshit e vendos këtë dimension në qendër. Ai nuk merret vetëm me një zhanër arti, por me mënyrën se si imazhi ka ndikuar në formimin kulturor.
I ndërtuar mbi një punë të gjatë kërkimore, libri mbledh materiale të shpërndara ndër vite në revista, arkiva dhe botime të ndryshme, duke i lexuar si pjesë të një historie të vetme, një histori që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën si është ndërtuar perceptimi vizual në Shqipëri.
Një pjesë e rëndësishme e këtij materiali vjen nga revistat si Yllka, Hosteni, Pionieri dhe Fatosi. Për shumë njerëz këto kanë qenë lexime të përditshme; sot ato lexohen ndryshe, si dëshmi e një kohe dhe e një mënyre të caktuar të të menduarit përmes imazhit.
Dhe pikërisht këtu libri bëhet më interesant.
Sepse këto imazhe nuk kanë qenë gjithmonë të paanshme. Ato kanë pasur një rol të qartë në edukim dhe në formimin ideologjik. Mënyra si janë paraqitur figurat historike, ngjarjet apo personazhet nuk ka qenë rastësore.
Kjo nuk e zbeh vlerën e tyre si krijime artistike, por e bën të nevojshme që të shihen me një sy më të kujdesshëm sot.
Nga njëra anë kemi një traditë të rëndësishme vizuale, me artistë dhe forma që kanë ndikuar mënyrën si është parë dhe kuptuar realiteti. Nga ana tjetër, një kontekst që ka ndikuar drejtpërdrejt në përmbajtjen e tyre.
Libri i vendos këto dy anë përballë njëra-tjetrës pa i dramatizuar. Nuk imponon një lexim, por hap një mënyrë tjetër për ta kuptuar rolin e imazhit në jetën kulturore.
Ky fokus kohor nuk e përfshin të gjithë zhvillimin e kësaj forme arti në Shqipëri. Tradita e karikaturës nis më herët, e lidhur me shtypin shqiptar në emigracion, dhe vazhdon edhe pas viteve ’90 në forma të tjera shprehjeje. Në këtë kuptim, libri mund të lexohet si një pjesë e një historie më të gjerë.
Që në fillim të viteve 1900, në gazetën Dielli, Faik Konica përdor termin ‘kartune’ dhe i jep kësaj forme një rol të qartë në komunikimin publik. Në këto vizatime, figura ndërtohet përmes theksimit të tipareve dhe situatave të zgjedhura, duke krijuar një koment të drejtpërdrejtë mbi realitetin e kohës. Kjo tregon se karikatura, që në fazat e saj të hershme në shtypin shqiptar, nuk ka qenë vetëm ilustrim, por një mënyrë për të interpretuar dhe për të përcjellë qëndrime përmes imazhit.
Në periudhën pas viteve ’90, ndryshimi është i dukshëm. Imazhi bëhet më i lirë, më personal dhe më i hapur ndaj mënyrave të reja të shprehjes. Krijimtaria e autorëve si Bujar Kapexhiu dhe Arben Meksi nuk lidhet më me funksionin propagandistik të së kaluarës, por me lirinë e shprehjes artistike dhe trajtimin kritik të fenomeneve shoqërore të së tashmes.
Libri i Olsten Gripshit e vendos imazhin në qendër. Ai tregon se mënyra si ndërtohet figura nuk është e rastësishme, por lidhet drejtpërdrejt me mesazhin që përcillet. Për këtë arsye, teksti ka vlerë jo vetëm si krijimtari artistike, por edhe si dëshmi e ndikimit që imazhi ka pasur dhe vazhdon të ketë në mënyrën si ndërtojmë shijen.
– THELB,

