Filmi ‘Dua’ i regjisores kosovare Blerta Basholli ka shënuar një tjetër sukses, historik për kinematografinë kosovare, duke fituar çmimin prestigjioz ‘SACD’ në seksionin ‘Semaine de la Critique’ në Cannes Film Festival.
Lajmi u përshëndet edhe nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila e cilësoi çmimin si një vlerësim të rëndësishëm për autorësinë kinematografike dhe origjinalitetin krijues të filmit.

Në qendër të filmit është personazhi i Duas, interpretuar nga Pinea Matoshi, një vajzë 13-vjeçare që rritet në Prishtinën e fundviteve ’90, në prag të luftës në Kosovë. Filmi trajton tranzicionin nga fëmijëria në adoleshencë, identitetin, trupin, frikën dhe rezistencën, në një realitet të mbushur me tensione etnike dhe represion.
Sipas mediave ndërkombëtare, ‘Dua’ është një dramë intime ‘coming-of-age’, e frymëzuar nga vetë përvojat personale të Bashollit gjatë viteve të luftës. Platforma evropiane e filmit Cineuropa e përshkroi filmin si një histori ‘të formësimit të identitetit nën hijen e luftës dhe shpërnguljes’.
Kritikët ndërkombëtarë kanë vlerësuar veçanërisht interpretimin e Pinea Matoshit. Revista e filmit ICS Film shkroi se aktorja e re ‘mban mbi supe të gjithë filmin’, duke e cilësuar transformimin e personazhit të saj si ‘mbresëlënës dhe emocionalisht autentik’.

Përzgjedhja e ‘Dua’ në ‘Semaine de la Critique’ konsiderohet historike, pasi është hera e parë që një film nga Kosova futet në këtë seksion elitë të Cannes-it, ku përzgjidhen vetëm shtatë filma nga e gjithë bota.
Çmimi SACD, që ndahet nga Shoqata Franceze e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramatikë, është ndër vlerësimet më të rëndësishme për zërin autorial në kinema dhe shpesh konsiderohet si tregues i fuqisë artistike dhe origjinalitetit të një vepre.
Pas suksesit ndërkombëtar të filmit ‘Hive’, me të cilin Basholli fitoi çmime në Sundance Film Festival, ‘Dua’ konfirmon edhe një herë pozicionin e saj si një nga zërat më të rëndësishëm të kinemasë së re evropiane.
Ky triumf nuk është vetëm sukses personal për ekipin e filmit, por edhe një moment i rëndësishëm për prezantimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare të filmit, një dëshmi se tregimet lokale, kur rrëfehen me ndershmëri artistike, mund të tejkalojë kufinjtë lokalë.
— THELB,

