Në “Wuthering Heights”, kostumet sfidojnë kohën

5 Min Read

Regjisorja Emerald Fennell është rikthyer në kinema me një rilexim të The Wuthering Heights (Lartësitë e stuhishme) që, le ta themi që në fillim, nuk ka asnjë synim të kënaqë të gjithë. Në qendër të kësaj stuhie janë Margot Robbie, gjithashtu producente e projektit, në rolin e Cathy, dhe Jacob Elordi si Heathcliff.

Pas kostumeve qëndron Jacqueline Durran, dy herë fituese e çmimit Oscar dhe mjeshtre e garderobave. Që në shfaqjet e para, filmi ka ndezur debat në botën e modës, jo për zgjedhjet narrative, por për veshjet. Korsete të theksuara, tekstile me shkëlqim ekstrem, mantela të kuq flakë mbi dëborë: tepër glam, tepër teatrale. Për disa, një tradhti ndaj shekullit XIX të Emily Brontë.

Akuzat? Pasaktësi historike. Silueta ‘të gabuara’, materiale sintetike, referenca të viteve ’50 në mes të Yorkshire.  Filmi nuk luan me rikonstruksionin filologjik,  luan me imagjinatën. Përzien elemente Tudor, viktoriane dhe gjeorgjiane me estetikën e Hollywood-it të sotëm, shton një dozë couture bashkëkohore dhe i shkrin të gjitha pa asnjë ndjenjë faji.

Cathy nuk i përket një epoke të vetme: ajo është e tepruar, më shumë legjendë sesa heroinë.

Hyrja e parë në skenën e filmit e Cathy (Margot Robbie) është me një korse me dekolte të theksuar që të kujton më shumë folklorin e Europës Qendrore, dikush madje e krahasoi me një ‘dirndl bavarez’, sesa Anglinë e shekullit XIX.

Ndër kostumet më të çuditshme janë ato me tekstile aq të shndritshme sa duken si latex, edhe pse në fakt janë materiale sintetike, të plastifikuara dhe ultra-reflektuese. Është një zgjedhje që përqafon anakronizmin pa asnjë rezervë: jo një e kaluar e besueshme, por një sipërfaqe që kap dritën dhe e kthen çdo lëvizje në spektakël.

Një prej tyre është fustani që Cathy vesh në natën e martesës,  një siluetë që mban një jehonë viktoriane, por me një material që e çon menjëherë në një tjetër dimension. Referenca duket të jetë një imagjinar i viteve ’50, ku gruaja paraqitej si një dhuratë për t’u zbuluar.

I njëjti material rikthehet në të kuqe të ndezur, me një efekt pothuajse futurist. E kuqja, një nga ngjyrat kyçe të garderobës së Cathy, amplifikon çdo skenë të filmit pasion, tension dhe rrezik.

Pastaj vjen manteli i kuq në dëborë, momenti që shumë e kanë krahasuar me një ‘Kësulkuqen’ moderne. Cathy ecën në një peizazh të bardhë, e mbështjellë me një mantel kadifeje të kuqe të thellë, ndërsa poshtë shfaqet një fustan i qëndisur në argjend.

Është një imazh që i referohet njëkohësisht përrallës, melodramës klasike dhe pikturës romantike. Më shumë ikonë sesa skenë narrative. Po, mantela të kuq ekzistojnë në modën e shekullit XIX, por këtu saktësia historike është dytësore. Qëllimi është një tjetër: të krijohet një imazh i paharrueshëm.

Ndër detajet më të diskutuara janë edhe syzet e diellit që Cathy mban pas martesës me Edgar Linton. Oversize, të guximshme dhe me një formë që të çon menjëherë në vitet ’70, ato kujtojnë estetikën glam të Elton John.

Historikisht të papërshtatshme, por vizualisht perfekte si simbol: nuk janë aty për të mbrojtur nga dielli, por për të treguar statusin, transformimin dhe një lloj performance sociale.

Dhe më pas është fustani i errët, me reflektime blu, që duket si metal i lëngshëm. Një pamje që sfidon kohën. Linja mund të aludojë për silueta viktoriane, por materiali e çon menjëherë në një dimension tjetër.

Kur drita e prek, fustani shpërndan shkëlqime që e bëjnë të duket i gjallë, pothuajse jashtëtokësor: asgjë që i përket shekullit XIX, por në harmoni të plotë me një film që ndërthur historinë, teatrin dhe një estetikë mode me nota fantashkencore.

— THELB,

Share This Article