Pushimet na japin diçka që gjatë pjesës tjetër të vitit shpesh na mungon: kohë për të lexuar pa nxitim. THELB ka zgjedhur pesë klasikë që mund të jenë shoqëruesit e duhur për këto ditë vere. Janë shkruar në periudha të ndryshme, nga fundi i shekullit XIX deri në vitet ’80, por botët që përshkruajnë kanë një afërsi të çuditshme me pyetjet e kohës sonë.
Vera ka krijuar gjithmonë një marrëdhënie të veçantë me librat. Ndoshta sepse ritmi ndryshon, ditët zgjasin dhe, të paktën për disa javë, krijohet mundësia për t’u shkëputur nga rutina dhe për t’i kushtuar një historie më shumë se disa minuta vëmendje.
Për këtë përzgjedhje nuk kërkuam romane që flasin për verën, detin apo pushimet. Zgjodhëm pesë klasikë për një arsye tjetër.
George Orwell, Aldous Huxley, Ray Bradbury, Margaret Atwood dhe Oscar Wilde kanë shkruar për botë shumë të ndryshme. Në to gjejmë pushtetin dhe propagandën, shoqëri të zhytura në argëtim, libra që digjen, të drejta që zhduken, si edhe një njeri të gatshëm të sakrifikojë gjithçka për të mos humbur rininë dhe bukurinë.
Janë pesë histori të shkruara shumë kohë përpara botës digjitale ku jetojmë sot.
- ‘1984’
George Orwell, 1949
‘Big Brother is watching you’ është ndoshta një nga frazat më të njohura të letërsisë së shekullit XX, edhe mes atyre që nuk e kanë lexuar romanin.
George Orwell e vendos historinë e tij në Oqeani, një shtet totalitar ku pushteti nuk mjaftohet me kontrollin e veprimeve të qytetarëve. Ai kërkon të kontrollojë informacionin, kujtesën, gjuhën dhe, në fund, vetë mendimin.

Në Ministrinë e së Vërtetës, Winston Smith punon duke ndryshuar dokumente dhe lajme të së shkuarës, në mënyrë që historia të përputhet gjithmonë me versionin aktual të Partisë. Ajo që ishte e vërtetë dje mund të mos ketë ekzistuar kurrë sot.
Edhe gjuha transformohet. Përmes ‘Newspeak’, fjalori reduktohet gradualisht me idenë se, nëse një shoqëri nuk ka më fjalët për të shprehur një mendim, një ditë mund të humbasë edhe aftësinë për ta menduar atë.
Në qendër të gjithë kësaj është Winston, i cili përpiqet të ruajë diçka gjithnjë e më të rrezikshme: kujtesën e tij dhe të drejtën për të menduar vetë.
- ‘Brave New World’ (Botë e re e guximshme)
Aldous Huxley, 1932
Nëse bota e Orwell-it ndërtohet mbi frikën, ajo e Aldous Huxley-t duket në pamje të parë shumë më e këndshme.
Në Brave New World, njerëzit lindin dhe edukohen për të zënë një vend të paracaktuar në shoqëri. Nuk ka familje në kuptimin tradicional, emocionet e forta konsiderohen të panevojshme dhe stabiliteti shoqëror ruhet përmes konsumit, argëtimit dhe kënaqësisë.

Të mendosh shumë mund të krijojë probleme e të dëshirosh vazhdimisht diçka të re është e dobishme për systemin dhe kur shfaqet pakënaqësia, ekziston soma: droga që shteti ua ofron qytetarëve për të larguar ankthin, trishtimin dhe çdo shqetësim.
Në këtë shoqëri të projektuar për të qenë e lumtur, Huxley vendos përballë njëra-tjetrës rehatinë dhe individualitetin, kënaqësinë dhe lirinë, stabilitetin dhe të drejtën për të përjetuar edhe ato emocione që nuk janë të këndshme.
- ‘Fahrenheit 451’
Ray Bradbury, 1953
Në botën e Ray Bradbury-t, zjarrfikësit kanë një detyrë të pazakontë: nuk shuajnë zjarre. Djegin libra.
Guy Montag është një prej tyre. Në fillim, ai nuk e vë në dyshim punën e tij. Librat janë të ndaluar dhe shoqëria rreth tij është ndërtuar për të mos pasur shumë arsye për t’i kërkuar.

Njerëzit jetojnë mes ekraneve të mëdha, programeve të vazhdueshme të argëtimit dhe informacionit që vjen shpejt e largohet po aq shpejt. Bisedat bëhen më të shkurtra, heshtja më e rrallë dhe librat konsiderohen të rrezikshëm pikërisht sepse kërkojnë kohë, përqendrim dhe përballje me ide të ndryshme.
Gjithçka ndryshon kur Montag takon Clarisse, një vajzë që bën diçka shumë të thjeshtë: pyet.
Prej atij momenti ai fillon të shohë ndryshe botën ku jeton dhe, mbi të gjitha, të bëhet kurioz për atë që është urdhëruar të shkatërrojë.
- ‘The Handmaid’s Tale’ (Rrëfenja e shërbëtores)
Margaret Atwood, 1985
Margaret Atwood na çon në Republikën e Gileadit, një regjim totalitar i ngritur mbi rrënojat e Shteteve të Bashkuara.
Gratë kanë humbur të drejtën për të punuar, për të zotëruar para dhe për të vendosur mbi jetën dhe trupin e tyre. Ato klasifikohen sipas funksionit që sistemi u ka caktuar dhe, në një shoqëri të goditur nga rënia e lindshmërisë, gratë fertile shndërrohen në ‘Handmaids’, të destinuara për riprodhim.

Historinë e njohim përmes Offred. Ajo jeton brenda Gileadit, por kujton një botë tjetër: kohën kur kishte një emër të vetin, një familje, një punë, para dhe mundësinë për të zgjedhur.
Pikërisht përmes kujtimeve të saj, Atwood tregon jo vetëm se si funksionon një sistem autoritar, por edhe mënyrën graduale me të cilën jeta e zakonshme mund të ndryshojë derisa ajo që dikur dukej e paimagjinueshme të bëhet normalitet.
- ‘The Picture of Dorian Gray ‘ (Portreti i Dorian Greit)
Oscar Wilde, 1890
Në fund të shekullit XIX, Oscar Wilde shkroi historinë e një të riu jashtëzakonisht të bukur që dëshiron diçka në dukje të pamundur: të mos plaket kurrë.
Dorian Gray sheh portretin e tij dhe kupton se, ndërsa fytyra e pikturuar do të mbetet përgjithmonë e re, ai vetë do të humbasë me kalimin e viteve bukurinë që të gjithë admirojnë.
Dëshira e tij realizohet, por në mënyrën e kundërt.

Dorian mbetet i ri, ndërsa portreti fillon të ndryshojë. Ai plaket në vend të tij dhe, gradualisht, në fytyrën e pikturuar shfaqen gjurmët e zgjedhjeve, veseve dhe jetës që Dorian arrin t’ia fshehë botës.
Pas historisë fantastike qëndrojnë disa nga temat më karakteristike të Wilde: bukuria, rinia, vaniteti, narcizmi, morali dhe distanca që mund të ekzistojë mes imazhit që një njeri i tregon botës dhe asaj që fshihet pas tij.
Pesë libra për t’u (ri)zbuluar
Të botuar mes viteve 1890 dhe 1985, këta pesë libra vijnë nga autorë, periudha dhe realitete shumë të ndryshme. Orwell shkruan për pushtetin dhe të vërtetën, Huxley për një shoqëri të ndërtuar mbi konsum dhe kënaqësi, Bradbury për librat dhe mendimin, Atwood për lirinë dhe kontrollin, ndërsa Wilde vendos në qendër bukurinë, rininë dhe imazhin.
Janë tema që i kanë mbajtur këto vepra gjallë për breza të tërë lexuesish dhe që vazhdojnë të hapin pyetje të reja sa herë ndryshon koha në të cilën lexohen.
Pushimet e verës mund të jenë një rast i mirë për t’i lexuar për herë të parë ose për t’u rikthyer tek ato me një tjetër sy.

