Në një kohë kur vëmendja zgjat vetëm pak sekonda dhe algoritmi dikton ritmin e kulturës, ideja e një popstar-i që promovon letërsinë tingëllon pothuajse kontradiktore. Megjithatë, pikërisht kjo po ndodh me Dua Lipa.
Prej vitit 2023, artistja ka ndërtuar Service95 Book Club, një platformë që ndërthur libra, podcaste, intervista me autorë dhe rekomandime leximi, duke krijuar një hapësirë ku letërsia largohet nga imazhi elitist që e ka shoqëruar prej vitesh dhe hyn në një dimension më pop, më të aksesueshëm dhe më të afërt me publikun e ri. Siç shkruan edhe ‘Rolling Stone’, askush nuk i ka dhënë letërsisë një energji të re në kulturën pop si Dua Lipa.

Fenomeni është interesant pikërisht sepse nuk lidhet vetëm me librat, por me mënyrën si kultura po ndryshon formë. Për vite me radhë, leximi është perceptuar si një terren i ndarë nga kultura mainstream, i lidhur me akademinë, seriozitetin dhe një lloj distance intelektuale. Sot, një pjesë e këtij perceptimi po transformohet përmes figurave që vijnë nga pop culture.
Dua Lipa nuk po sillet si një intelektuale tradicionale, ajo flet për librat në të njëjtën mënyrë si për muzikën, modën apo jetën personale, duke i futur natyrshëm në botën e saj publike. Një roman i mbajtur nën krah, një autor i ftuar në podcast apo një libër i përmendur në rrjetet sociale mund të ndikojnë sot realisht në industrinë editoriale.
Mjafton të kujtojmë rastin e ‘A Little Life’ të Hanya Yanagihara, shitjet e të cilit u rritën ndjeshëm pasi artistja publikoi një foto duke lexuar librin. Apo mënyrën si Service95 ka sjellë në vëmendje autorë si Chimamanda Ngozi Adichie, Margaret Atwood dhe Ocean Vuong për një audiencë që ndoshta nuk do t’i kishte zbuluar përmes kanaleve tradicionale të informimit.

Në këtë pikë, pyetja nuk është më nëse një popstar mund të flasë seriozisht për letërsinë. Pyetja është se çfarë ndodh kur librat hyjnë në të njëjtin dimension ku ndërtohen trendet, estetika dhe kultura digjitale.
Sepse ndikimi i Dua Lipës nuk qëndron vetëm te rekomandimet e leximit. Ajo ka arritur ta zhvendosë librin nga një objekt që lidhej me një kulturë elitare, në diçka që mund të ekzistojë natyrshëm brenda pop culture. Një roman sot mund të bëhet pjesë e të njëjtës bisedë ku flitet për modën, muzikën apo identitetin vizual të një artisteje.
Dhe kjo po ndikon realisht edhe vetë industrinë e botimeve. Librat e përzgjedhur prej saj kanë parë rritje të menjëhershme në shitje, ndërsa autorë që më parë qarkullonin kryesisht brenda një audience letrare, po arrijnë te një brez i ri lexuesish përmes rrjeteve sociale, podcast-eve dhe komuniteteve online të krijuara rreth Service95.
Fenomeni bëhet edhe më interesant në një kohë kur publiku i ri duket gjithnjë e më i larguar nga format tradicionale të kulturës. Në vend që ta prezantojë leximin si detyrim apo si simbol intelektualizmi, Dua Lipa e bën atë të duket pjesë e jetës së përditshme.

Për herë të parë pas shumë kohësh, libri po promovohet jo si diçka që duhet të të bëjë të dukesh më inteligjent, por si diçka që mund të të bëjë të ndihesh më i lidhur me botën përreth.
Fenomeni Dua Lipa nuk flet vetëm për fuqinë e një celebrity-je mbi tregun editorial. Flet për mënyrën si kultura po ndryshon formë dhe për mënyrën si letërsia po afrohet me një brez të ri lexuesish.
Por a është pikërisht kultura pop ajo që mund ta bëjë leximin sërish pjesë të brezit të ri?
— THELB,

