Elvana Gjata, anatomia e një figure pop

14 Min Read

Në kulturën pop shqiptare, figurat publike shpesh janë lexuar në mënyrë sipërfaqësore, të lidhura kryesisht me jetën private, suksesin e momentit apo performancën e radhës. Rrallëherë ato janë trajtuar si pjesë e një transformimi më të madh estetik apo kulturor.

Për më shumë se dy dekada, Elvana Gjata ka qenë një nga figurat më të pranishme të muzikës pop shqiptare. Por përtej hiteve dhe suksesit komercial, karriera e saj mund të lexohet edhe si historia e një evoluimi të vazhdueshëm vizual dhe artistik. Nga glamour-i televiziv i viteve 2000 te një prezencë gjithnjë e më e vetëdijshme dhe e sofistikuar e viteve të fundit, transformimi i saj nuk ka ndodhur vetëm përmes muzikës, por përmes mënyrës si ka ndërtuar raportin me imazhin, performancën, modën dhe vetë idenë e figurës pop në Shqipëri.

‘The Evolution’, koncerti i paralajmëruar në Milano, tingëllon si formalizimi i një rruge të gjatë ndryshimesh. Një moment ku fazat e ndryshme të identitetit të saj artistik duket se bashkohen në të njëjtën gjuhë estetike. Edhe zgjedhja e Milanos nuk duket rastësore. Si një nga qendrat europiane të modës dhe kulturës vizuale, qyteti funksionon pothuajse si zgjatim natyral i fazës më të fundit të universit të saj artistik.

Fantazia e yllit pop shqiptar (2005–2012)

Në mes të viteve 2000, kultura pop shqiptare ndërtohej pothuajse tërësisht përmes televizionit. Videoklipi ishte mënyra kryesore për të krijuar figurën e një artisti. Ishte epoka e kanaleve muzikore, e videove spektakolare dhe e influencave që vinin nga MTV, muzika latine dhe pop kultura ndërkombëtare e kohës.

Brenda këtij realiteti, Elvana Gjata u shfaq që në fillim me një vetëdije të qartë për figurën që kërkonte të ndërtonte. ‘Mamës’, një nga projektet që vulosi hyrjen e saj në muzikën shqiptare, nuk funksiononte vetëm si hit muzikor, por si projeksion i një ambicieje. Videoklipi adoptonte kodet vizuale të pop-it të viteve 2000, me një estetikë që të kujtonte figurat femërore të momentit si Jennifer Lopez, ndërsa skenat me turma dhe koncerti imagjinar nxirrnin në pah dëshirën për një famë që ende nuk ekzistonte në realitet.

Edhe teksti ‘nuk jam e para, por jam numër një’ tingëllon sot si një pozicionim i hershëm identiteti, një mënyrë për ta vendosur veten jo thjesht brenda tregut të muzikës pop, por në qendër të tij.

Ky vizion vijoi të evoluonte në projektet pasuese. Te ‘Kudo që jam’, imazhi bëhet më performativ dhe më skenik. Elementët rock në stil, energjia më agresive dhe rikthimi i vazhdueshëm i skenës së koncertit tregojnë se ideja e performancës para një publiku të madh vazhdonte të ishte pjesë e imagjinatës së saj artistike.

Kulmi i kësaj periudhe vjen me ‘Afër dhe larg’, një videoklip që për kohën shënoi ngritje standardi në muzikën shqiptare. I xhiruar në Santorini, klipi largohej nga estetika tradicionale televizive lokale dhe afrohej me gjuhën vizuale të videove që dominonin MTV-në e viteve 2000.

Kjo ishte periudha ku Elvana Gjata nuk po ndërtonte ende një figurë të konsoliduar pop, por po projektonte idenë e asaj që dëshironte të bëhej.

Vetëdija e imazhit (2012 – 2018)

Në këtë fazë të karrierës së saj, transformimi nuk ndodh më vetëm përmes muzikës, por përmes një vetëdijeje gjithnjë e më të qartë mbi imazhin dhe mënyrën si ai projektohet publikisht. Qasja spektakolare e videoklipeve të hershme nis gradualisht të zëvendësohet nga një gjuhë vizuale më filmike, më e rafinuar dhe më afër kulturës ndërkombëtare të imazhit.

Kjo është periudha ku videoklipi funksionon si ndërtim atmosfere. Sensualiteti bëhet më i përmbajtur, kamera më kinematografike, ndërsa moda nis të marrë një rol më të rëndësishëm në identitetin e saj artistik.

Një nga momentet kyçe të kësaj periudhe vjen me ‘Puthe’, projekt që përkon me shpërthimin e rrjeteve sociale dhe kulturës së re digjitale të fillim viteve 2010. Elvana Gjata duket se e kupton shumë shpejt këtë transformim dhe e përthith natyrshëm. ‘Këtu ka shumë njerëz’ dhe ‘diçka e madhe për ty po vjen’ dëgjohen sot pothuajse si reflektim i një artisteje që fillon të shohë epokën digjitale si mundësi zgjerimi përtej kufijve tradicionalë të tregut shqiptar.

Edhe përdorimi i vazhdueshëm i gegnishtes duket pjesë e një afërsie më të madhe me gjithë hapësirën shqiptare, veçanërisht me Kosovën, e cila në këtë periudhë bëhet gjithnjë e më e pranishme në identitetin e saj artistik.

Në aspektin vizual, ‘Puthe’ shënon edhe një zhvillim tjetër të rëndësishëm: futjen më të qartë të kërcimit si pjesë organike të performancës. Prezenca e saj nuk ndërtohet më vetëm përmes zërit, por edhe përmes lëvizjes, trupit dhe mënyrës si kamera ndërton raportin me të.

Ky transformim vazhdon me ‘Love Me’, një projekt i xhiruar në Prizren, ku motivet e traditës shqiptare ndërthuren me një estetikë moderne dhe romantike dhe folklori nuk trajtohet si nostalgji, por si pjesë organike e një identiteti bashkëkohor.

Një tjetër kthesë vizuale shfaqet te ‘Ku vajti’. Imazhi bëhet më minimalist, më abstrakt dhe më i disiplinuar vizualisht. Koreografia në grup, simetria e lëvizjeve dhe atmosfera digjitale e videos krijojnë një gjuhë që afrohet gjithnjë e më shumë me kulturën vizuale të Instagram-it dhe estetikës moderne pop.

Transformimi arrin një tjetër nivel me ‘Forever Is Over’. I xhiruar në një peizazh të egër dhe pothuajse post-apokaliptik, videoklipi e largon përfundimisht figurën e saj nga klasikja televizive shqiptare. Fustani i bardhë i dëmtuar, kali i zi, shkretëtira dhe përdorimi i gjuhës angleze krijojnë një atmosferë simbolike që flet për zgjerim, liri dhe transformim.

Elvana Gjata fillon të projektojë një identitet që kërkon të ekzistojë në një hapësirë më të madhe kulturore dhe vizuale. Pikërisht këtu nis të bëhet e qartë se evolucioni i saj nuk ka të bëjë vetëm me muzikën, por me mënyrën si ajo dëshiron të shihet dhe të kujtohet si figurë publike.

‘Dekada’, kur skena u bë më e madhe se ekrani (2019–sot)

Artistja hyn në një tjetër dimension vizual dhe skenik. Çdo dalje publike duket e menduar deri në detaj. Siluetat bëhen më dramatike, ndërsa performanca nis të ndërtohet jo vetëm për kamerën, por për spektaklin në përmasa të mëdha.

Një moment kyç i kësaj faze është ‘Me tana’, performuar në Festivali i Këngës në RTSH në vitin 2020. Pavarësisht diskutimeve që shoqëruan performancën, sot ajo mund të lexohet si paralajmërim i gjithçkaje që do të vinte më pas. Koreografia, ritmi i kamerës dhe ndërtimi i skenës krijonin ndjesinë e një stadium show të kompresuar brenda formatit tradicional të festivalit shqiptar.

Transformimi vijon të rafinohet me ‘A m’don?’, një projekt ku imazhi afrohet gjithnjë e më shumë me estetikën e revistave ndërkombëtare të modës. Kamera nuk fokusohet më vetëm te performanca, por te ndërtimi i prezencës së saj.

Kulmi i kësaj epoke materializohet me koncertin ‘Dekada’ në Air Albania Stadium, në vitin 2024, përpara rreth 25 mijë spektatorëve, një nga koncertet solo më të mëdha të realizuara ndonjëherë nga një artiste shqiptare. Në shumë mënyra, ky koncert duket si realizimi fizik i një imagjinate që kishte nisur të projektohej që në videoklipet e para të saj. Turmat imagjinare tek ‘Mamës’ ishin tashmë reale.

Që në momentin e hapjes, ‘Dekada’ funksiononte si një deklaratë e plotë artistike. Ndriçimi, koreografitë, kostumet dhe ritmi skenik krijonin ndjesinë e një dimensioni të ndërtuar me koherencë të plotë estetike. ‘Nuk është koncerti im, është koncerti ynë’, shprehet artistja gjatë performancës, në një moment që tingëllon më shumë si konfirmim i marrëdhënies së ndërtuar me publikun sesa si frazë spontane.

Brenda këtij spektakli ekziston edhe një element tjetër që e ka shoqëruar vazhdimisht gjatë karrierës: raporti me identitetin shqiptar. Momenti dedikuar Shqipërisë dhe rikthimi i simbolikës së ‘Kuq e zi’, tashmë e kthyer në një lloj himni tjetër të shqiptarëve, tregojnë se figura e saj artistike gjithmonë ka lëvizur mes qasjes ndërkombëtare dhe një lidhjeje të vazhdueshme me identitetin kombëtar.

Perfeksionizmi është bërë pjesë organike e mënyrës si ajo ndërton performancën dhe imazhin publik. Kërkesa ndaj detajit duket se janë elementë që kanë shoqëruar vazhdimisht evolucionin e saj artistik. Ndoshta pikërisht kjo kërkesë e vazhdueshme ndaj vetes dhe punës shpjegon pse figura e saj ka arritur të ruajë një koherencë dhe prezencë kaq të qëndrueshme dhe të sukseshme në peisazhin muzikor shqiptar.

Ky transformim vazhdon edhe me koncertin në Lanxess Arena, një tjetër moment simbolik në karrierën e saj. Jo vetëm për shkak të përmasës së arenës, por sepse shënon hyrjen e një artisteje shqiptare në një hapësirë tradicionalisht të lidhur me figurat e mëdha të performancës live ndërkombëtare.

Pas dy dekadash karrierë, figura e saj pop nuk projektohet më vetëm për ekranin, por për skena që kërkojnë përmasa gjithnjë e më të mëdha,

Moda si identitet artistik

Në universin artistik të Elvana Gjata, moda nuk ka funksionuar thjesht si zbukurim skenik. Me kalimin e viteve, ajo është kthyer gradualisht në pjesë të vetë identitetit të saj publik, një mënyrë për të ndërtuar prezencën, atmosferën dhe formën si perceptohet figura e saj.

Bashkëpunimi i vazhdueshëm me stilistin Valdrin Sahiti ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e një stilitashmë lehtësisht të identifikueshëm. Përgjatë viteve, siluetat dramatike, struktura e fortë e veshjeve dhe vëmendja ndaj detajit që karakterizon shpesh krijimet e tij janë bërë pjesë organike e mënyrës si Elvana ndërton prezencën e saj skenike dhe vizuale.

Por ajo që e bën interesant këtë raport nuk është thjesht fakti se një artiste vishet nga një designer. Interesante është mënyra si moda fillon të funksionojë si vazhdim i performancës. Në koncertet, videoklipet dhe fotoshooting,siluetat duken të ndërtuara më shumë për të prodhuar impakt të fortë vizual sesa thjesht elegancë.

Ky është një mekanizëm që shfaqet shpesh edhe te figurat më të mëdha të muzikës ndërkombëtare, ku marrëdhënia artist–designer bëhet pjesë e vetë identitetit publik të artistit. Nga Madonna dhe Jean Paul Gaultier te Beyoncé dhe Balmain, moda nuk funksionon më si dekor i figurës, por si instrument për ta ndërtuar atë.

Në një karrierë me shumë hite dhe një prani të vazhdueshme në muzikën shqiptare, ky lexim i THELB nuk ndalet te këngët më të suksesshme apo momentet më të famshme të Elvana Gjata. Ai përqendrohet te kthesat, transformimet dhe momentet ku figura e saj artistike ka ndryshuar gjuhë vizuale, mënyrë prezence dhe raportin me publikun.

Me kalimin e viteve, Elvana Gjata ka ndërtuar gradualisht një figurë pop që është kthyer në pikë referimi për mënyrën si ndërtohet një artiste në hapësirën shqiptare, jo vetëm përmes muzikës, por përmes raportit me performancën, imazhin dhe identitetin vizual. Në shumë mënyra, evolucioni i saj artistik ka ecur paralelisht edhe me transformimin e vetë kulturës pop shqiptare gjatë dy dekadave të fundit.

Ndoshta pikërisht për këtë arsye, ‘The Evolution’ nuk tingëllon vetëm si titulli i një koncerti, po si emri i procesit përmes të cilit Elvana Gjata ka ndërtuar, transformuar dhe konsoliduar figurën e saj përgjatë më shumë se dy dekadave në kulturën pop shqiptare. Sepse evolucioni, në rastin e saj, nuk ka qenë kurrë vetëm muzikor. Ka qenë mënyra si ajo ka rindërtuar vazhdimisht idenë e vetes përballë publikut.

Koncerti do të mbahet sot më 10 maj në Milano, në Unipol Forum, në një nga momentet më të rëndësishme të rrugëtimit artistik të saj deri më sot.

— THELB,

Share This Article