‘Carmen’ rikthen në skenën e Teatrit të Operas Anbeta Toromani
Pas gati një dekade mungesë nga skena shqiptare, Anbeta Toromani rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit për t’i dhënë jetë një prej roleve më ikonike të repertorit botëror: Carmen. Një rikthim që shkon përtej një performance të zakonshme, një moment i vetëdijshëm artistik në një fazë tjetër të karrierës së saj.
E afirmuar prej vitesh përtej skenës shqiptare, balerina duket se ndodhet pikërisht në atë moment kur zgjedh rolet që dëshiron vërtet të performojë si për të përjetuar diçka që e ushqen atë si artiste.

Në këtë produksion, me muzikën e Georges Bizet dhe koreografinë e Amedeo Amodio, historia e njohur e pasionit, lirisë dhe fatit rikthehet me një gjuhë të freskët dhe bashkëkohore. Një balet që mbetet gjithmonë i ri, pasi roli nuk shteron në një interpretim të vetëm, por ka hapësira për zbulime të vazhdueshme të veprës. Koreografi Amodio, i lidhur prej dekadash me veprën, sjell një lexim personal të ‘Carmen’, të ndërtuar mbi përvojat e tij artistike dhe studimet mbi flamenkon spanjolle. Versioni i tij nis me një atmosferë festive dhe kalon gradualisht drejt tensionit tragjik që përshkon historinë.

Interpretimi i Toromanit ndërtohet si një proces i brendshëm kërkimi. Ajo është shprehur se, edhe pse nuk gjan me Carmen, diku brenda saj ekziston një dimension i këtij roli.
Në skenë, Toromani shoqërohet nga një kast ndërkombëtar dhe vendas, ku përfshihen Alessandro Macario dhe Dion Gjinika në rolin e Don José, ndërsa Carmen interpretohet gjithashtu edhe nga Adela Muçollari në një nga netët e shfaqjes.
Rikthimi i saj në këtë skenë shoqërohet edhe me një reflektim mbi realitetin artistik në Shqipëri. Toromani ka theksuar nevojën për më shumë hapësira dhe mbështetje për brezin e ri, duke vënë në dukje se talenti ka ekzistuar gjithmonë, por mënyra si kultivohet mbetet një sfidë që kërkon më shumë mundësi për rritje artistike.

Shfaqjet do të vijnë për publikun në datat 4, 5, 9 dhe 10 maj, në një produksion që bashkon pasionin, disiplinën dhe një estetikë të rafinuar skenike, duke rikthyer në vëmendje jo vetëm një vepër klasike, por edhe një artiste që vazhdon të evoluojë me kohën.
— THELB,

