Eurovision Song Contest është një nga eventet më të mëdha muzikore në Europë dhe në këtë vit jubilar, në 70-vjetorin e ekzistencës së tij, Shqipërinë e përfaqëson Alis me këngën ‘Nân’. Me një interpretim emocional dhe vokal të fuqishëm, artisti shqiptar elektrizoi arenën e Wiener Stadthalle, duke i siguruar Shqipërisë finalen e shumëpritur të së shtunës.
Performanca e tij ka bërë për vete publikun e Vjenës në arenë dhe miliona shikues në mbarë Europën. Duartrokitjet dhe reagimet pas interpretimit vijnë pas një jave ku ‘Nân’ dhe vokali i Alis janë vlerësuar nga mediat ndërkombëtare si një nga paraqitjet më të forta dhe vokalisht më të arrira të këtij edicioni.

Kënga flet për largimin, emigracionin dhe lidhjen me vendin, një temë universale që shkon përtej Shqipërisë dhe që prej shekujsh ka qenë pjesë e letërsisë, muzikës dhe artit botëror. Ndoshta pikërisht kjo e bën performancën të prekshme edhe për publikun europian.
Mes dekorit, efekteve dhe ritmit gjithnjë e më spektakolar të Eurovision-it, Shqipëria këtë vit u duk se krijoi atmosferë përmes një interpretimi emocional dhe vizualisht simbolik, ku edhe kostumi skenik i realizuar nga stilistja e re Klaudia Dodani kishte peshën e vet.
E ndërtuar tërësisht me dorë dhe e përbërë nga katër shtresa të vendosura mbi njëra-tjetrën, veshja kishte si ide siluetën e krahëve të dallëndyshes shtegtare, simboli kryesor mbi të cilin ndërtohej koncepti vizual i performancës.
‘Dallëndyshja funksionon si metaforë e rikthimit, shpirtit që gjithmonë gjen rrugën për t’u kthyer në folenë e vet’, shprehet për THELB stilistja vetëm 23-vjeçare e sapo diplomuar ne Universitetin Politeknik te Tiranes për Inxhinieri Tekstile. Në mënyrë të pashmangshme, figura e dallëndyshes të kujton edhe poezinë e Filip Shirokës ‘Shko dallëndyshe’, simbol i mallit dhe lidhjes shpirtërore me atdheun. Pikërisht mbi këtë ide duket se ndërtohet edhe vetë identiteti vizual i Alis me ‘Nân’.

Struktura e kostumit ndërtohet gradualisht nga nuancat gri drejt të zezës, në një degradé që krijonte idenë e transformimit gjatë udhëtimit. Kristalet e vendosura mbi jakë reflektonin dritën në lëvizje, ndërsa shtresëzimet dhe format e puplave krijojnë një siluetë pothuajse teatrale në skenë.

Tashmë, pas kualifikimit në finalen e madhe të së shtunës, kënga e Alis ka hyrë në një tjetër fazë: atë të pritshmërive dhe emocioneve që Eurovizioni arrin të krijojë çdo vit për publikun shqiptar dhe diasporën. Në këtë edicion jubilar të festivalit, Shqipëria duket se ka arritur të ndërtojë jo vetëm një performancë konkurruese, por një prezencë artistike me identitet të qartë emocional dhe vizual. Dhe ndërsa ethet e finales afrohen, ‘Nân’ arriti të fitojë vëmendjen përmes atmosferës dhe emocionit që la pas në skenë.
— THELB,

