Imazhi përtej shkrepjes, procesi vizual i Anastasia Mez

2 Min Read

Në një kohë kur fotografia qarkullon kryesisht si imazh i shpejtë dhe i konsumueshëm, disa praktika vizuale zgjedhin të ndalen te materiali, te procesi dhe te mënyra si një imazh ndërtohet fizikisht. Në këtë hapësirë mes fotografisë, kolazhit dhe eksperimentit vizual, disa punime të Anastasia Mez kanë tërhequr vëmendjen për mënyrën si trajtojnë materialin dhe kohën.

Praktika artistike e Mez, në vend që ta trajtojë fotografinë si një akt shkrepjeje të çastit, ajo e përdor imazhin duke e zhvendosur dhe rindërtuar, si një histori që mund të rishkruhet. Punimet e saj duken më shumë të montuara sesa të fotografuara, duke u larguar qëllimisht nga fotografia si dokument i drejtpërdrejtë.

Një nga teknikat qendrore në praktikën e saj është transferimi i emulsioneve Polaroid. Përmes këtij procesi, shtresa xhelatinoze e imazhit hiqet me kujdes nga një fotografi dhe vendoset mbi një tjetër sipërfaqe. Ky veprim fizik lejon që momente të ndryshme të takohen brenda të njëjtit kornizim, duke zbehur kufijtë mes kohës, materialit dhe kuptimit.

Përmes këtij bashkimi të fragmenteve, imazhet nuk synojnë qartësi apo narrativë lineare. Ato mbajnë gjurmët e procesit: çarje, zhvendosje, shtresa të dukshme që e bëjnë fotografinë të ndihet si objekt po aq sa si imazh. Kështu, puna e Mez pozicionohet mes fotografisë, kolazhit dhe eksperimentimit pamor.

Në këtë praktikë, fotografia nuk shërben për të ruajtur kujtimin dhe e riorganizon atë. Koha nuk rrjedh në mënyrë të drejtpërdrejtë, ajo është një hapësirë ku fragmente të ndryshme bashkëjetojnë. Një qasje që e trajton fotografinë jo si dëshmi, por si proces të ndërtuar dhe të hapur për interpretim.

— THELB,

Share This Article