Breakfast at Tiffany’s: Ikona përballë brezit të ri

5 Min Read

Breakfast at Tiffany’s: Ikona përballë brezit të ri

Ribërja e Breakfast at Tiffany’s rikthen në qendër një nga momentet më të rëndësishme të historisë së stilit. Zgjedhja e Lily Collins për të mishëruar Holly Golightly-n, një aktore që prej vitesh krahasohet për finesën e saj me Audrey Hepburn, e zhvendos diskutimin përtej filmit. Në thelb, bëhet fjalë për trashëgiminë e një imazhi që lindi në vitin 1961 dhe vazhdon të ndikojë mënyrën se si konceptohet eleganca femërore.

Projekti, i bazuar në librin Breakfast with Audrey nga Sam Wasson, rikthen në fokus jo vetëm filmin e regjisorit Blake Edwards, të frymëzuar nga novela e Truman Capote, por edhe procesin e krijimit të tij — një periudhë kur moda dhe kinemaja u ndërthurën për të prodhuar një nga ikonat më të qëndrueshme të shekullit XX.

Ikona që kodifikoi elegancën

Nëse ekziston një imazh që përkufizon modën e shekullit XX, ai është silueta e Hepburn me fustanin e zi të krijuar nga Hubert de Givenchy, vargjet e perlave dhe syzet e mëdha përballë vitrinave të Tiffany & Co. në Fifth Avenue.

Ajo skenë e një mëngjesi të hershëm në Manhattan u kthye në pikë referimi për elegancën urbane. Luksi shërben si sfond ku identiteti ndërtohet nga qëndrimi. Fustani i zi bëhet më shumë se veshje: ai shndërrohet në deklaratë dhe thjeshtësia merr autoritet.

Kostumografia, me kontributin edhe të Edith Head, nuk krijoi vetëm një garderobë filmikem, ajo vendosi një standard siluete që do të kopjohej për dekada.

Holly Golightly: mes stilit dhe pasigurisë

Holly Golightly mbetet një nga figurat më komplekse të kinemasë klasike. Më shumë se një ‘gjysmë-mondane’, ajo është një personazh i ndërtuar mbi kontradikta: jeton në një apartament pothuajse bosh, organizon festa dhe mban pranë një mace pa emër.

Në një epokë kur modeli dominues i gruas lidhej me martesën dhe stabilitetin, Holly zgjedh një ekzistencë të pasigurt, të mbështetur në hijet e luksit dhe marrëdhënie të paqarta. Pavarësia e saj është më tepër e projektuar sesa e garantuar; ajo shfaq liri, por lëviz në kufijtë e varësisë sociale. Pikërisht kjo përzierje e forcës dhe brishtësisë e mban figurën e saj aktuale.

Personazhi i Holly-t nuk ofron një model për t’u kopjuar, por një figurë për t’u lexuar: një grua që ndërton identitetin si stil, si performancë — një mënyrë për të ushtruar kontroll atje ku realiteti i saj mbetet i pasigurt. Sot, kjo qasje mund të lexohet ndryshe. Gruaja moderne nuk e vendos më imazhin në qendër, por e trajton si zgjatim të një identiteti dhe force reale. Pikërisht në këtë diferencë qëndron aktualiteti i Holly-t: ajo na kujton një moment kur paraqitja ishte forma kryesore e pushtetit, ndërsa sot kërkohet diçka më shumë se elegancë.

Lily Collins: trashëgimi apo rilexim?

Zgjedhja e Lily Collins merr kuptim në këtë kontekst. Që nga roli i saj në Emily in Paris, ajo është identifikuar me një estetikë që kombinon romantizmin me vetëdijen bashkëkohore. Eleganca e saj e përmbajtur e ka ushqyer prej kohësh krahasimin me Hepburn.

Sfida, megjithatë, qëndron përtej ngjashmërisë fizike. Hepburn në vitin 1961 përfaqësonte lindjen e një moderniteti të ri femëror. Sot, një Holly e re duhet të ekzistojë përballë një audience më kritike, më të vetëdijshme për simbolikën e luksit dhe për mënyrën si ndërtohen mitet.

Nëse filmi i ri fokusohet në procesin e krijimit të veprës ikonike, atëherë kemi një reflektim mbi mënyrën se si ndërtohet një ikonë — dhe si ajo mbijeton përtej nostalgjisë.

Një ikonë në epokën e rileximit

Në një kohë kur imazhet konsumohen me shpejtësi dhe trendet zgjasin pak, rikthimi te Breakfast at Tiffany’s rikujton diçka thelbësore: stili lidhet me qëndrueshmërinë.

Edhe sot, paraqitja përdoret si strategji. Ndryshimi qëndron në faktin se kjo strategji shoqërohet me më shumë vetëdije, por jo domosdoshmërisht me më shumë siguri apo autonomi. Dhe pikërisht për këtë arsye Holly Golightly mbetet relevante — jo si model për t’u ndjekur, por si ikonë që vazhdon të sfidojë mënyrën se si e kuptojmë elegancën, pavarësinë dhe imazhin.

– THELB

Share This Article