Nga Vogue në Prishtinë, Fadil Berisha hap ekspozitën e parë në vendlindje

3 Min Read

Një nga emrat më të njohur shqiptarë të fotografisë ndërkombëtare rikthehet në Kosovë me ekspozitën e parë të karrierës së tij në vendlindje.

Ka fotografuar për kopertinat e revistave më prestigjioze në botë, ka punuar me emrat më të njohur të modës ndërkombëtare dhe për vite me radhë ka qenë fotografi zyrtar i Miss Universe. Megjithatë, ekspozita që Fadil Berisha hapi këto ditë në Prishtinë ka një domethënie krejt tjetër pasi është e para që ai prezanton në vendlindjen e tij.

Për publikun ndërkombëtar, ai është një nga fotografët shqiptarë më të njohur në industrinë e modës dhe fotografisë editoriale. Punët e tij janë botuar në revista si Vogue, Harper’s Bazaar, Elle, Cosmopolitan dhe Glamour, ndërsa estetika e tij është bërë pjesë e fotografisë editoriale amerikane.

Për vite me radhë, objektivi i tij ka kaluar nga kopertinat e revistave te portretet e aktorëve, muzikantëve, supermodeleve dhe fitueseve të Miss Universe, duke e bërë një nga fotografët shqiptarë me një prani të qëndrueshme në industrinë ndërkombëtare të modës.

Por ekspozita ‘Before Beauty/After Beauty’, e hapur në kuadër të Rame Lahaj International Opera Festival, nuk është ndërtuar si një retrospektivë e famës. Përzgjedhja e fotografive nuk ndjek emrat e njohur që ka fotografuar, por rrugëtimin artistik të autorit, nga portretet bardhezi te fotografia e modës dhe kompozimet ku drita, hija dhe figura njerëzore bëhen pjesë e të njëjtit rrëfim.

Në mbrëmjen e hapjes, Fadil Berisha i emocionuar e quajti këtë një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij: ‘Kam bërë emër në botë, por të jem këtu është gjëja më e madhe në botë. Këtu kam lindur.’

Nuk është rastësi që ekspozita mban titullin Before Beauty / After Beauty. Pas katër dekadash në industrinë botërore të modës, Berisha duket se fton publikun të shohë jo vetëm bukurinë e fytyrave që ka fotografuar, por edhe procesin artistik që i paraprin dhe gjurmën që fotografia lë pasi momenti ka kaluar.

Për një artist që ka ndërtuar karrierën larg Kosovës, ekspozita në Prishtinë nuk është thjesht një tjetër ndalesë në kalendarin profesional. Është kthimi i një artisti në vendin ku nisi historia e tij. Mes dhjetëra kopertinave, emrave të njohur dhe dekadave të suksesit ndërkombëtar, momenti që Berisha e quajti më të rëndësishëm nuk lidhej me një revistë apo një fotografi, por me faktin se, për herë të parë, po ekspozonte punën e tij në vendlindje.

– THELB,

Share This Article