Ka koleksione që prezantojnë trendet e një sezoni dhe ka të tjerë që të ftojnë të hysh në një rrëfim. Debutimi i Matthieu Blazy në Haute Couture për Chanel i përket kësaj të dytës.
Në Grand Palais të Parisit, stilisti belg prezantoi koleksionin Haute Couture Vjeshtë/Dimër 2026-27 duke krijuar një botë që dukej sikur kishte dalë nga një libër me përralla. Brenda sallës u ngrit një pyll imagjinar me lule gjigante, degë të përdredhura dhe bimë që ngjiteshin drejt tavanit, të frymëzuara nga përralla ‘Jack and the Beanstalk’ (Xheku dhe kërcelli magjik). Edhe ftesa për të ftuarit nuk ishte e zakonshme. Ajo kishte formën e një libri të vogël, por kjo nuk ishte thjesht një lojë me skenografinë.


Blazy përdori botën e përrallave për të folur për një nga elementët më të rëndësishëm të Chanel-it, aftësinë për t’u mrekulluar. Në vend që të shpikte një identitet të ri, ai zgjodhi të rizbulonte kodet klasike të shtëpisë franceze dhe t’i shihte me sytë e një fëmije.
Në koleksion shfaqen degë fasulesh të qëndisura mbi fustane, një kokërr fasuleje e shndërruar në çantë të vogël, personazhe të vegjël që fshihen në taka, butona apo aksesorë dhe detaje që të ftojnë t’i vështrosh veshjet dy herë. Nuk janë zbukurime të vendosura rastësisht, por pjesë e një historie që vazhdon nga fillimi deri në fund të sfilatës.


Edhe kostumi ikonik i Chanel-it merr një interpretim të ri. Në disa krijime, xhaketa transformohet në një bluzë. Po kështu ndodh edhe me zinxhirët, një nga elementët më karakteristikë të Chanel-it. Fillimisht të përdorur për t’i dhënë peshë xhaketave, këtë herë ata dalin në sipërfaqe dhe bëhen pjesë e dekorit, duke zbukuruar jakat, fustanet dhe detajet e koleksionit.
Ajo që e bën këtë debutim interesant është mënyra se si Blazy ndërton një ekuilibër mes fantazisë dhe trashëgimisë. Asgjë nuk duket e ekzagjeruar apo e shkëputur nga identiteti i Chanel-it. Përkundrazi, çdo referencë ndaj përrallave shërben për të kujtuar se moda nuk është vetëm teknikë apo luks, por edhe aftësia për të zgjuar emocione.
\

Në qendër të këtij rrëfimi qëndrojnë librat. Gabrielle Chanel ishte një lexuese e apasionuar dhe biblioteka e saj në Rue Cambon mbetet një nga hapësirat më personale të historisë së shtëpisë franceze. Libri i vogël që shoqëronte ftesën për sfilatë ishte një homazh i drejtpërdrejtë për këtë pasion.
Gabrielle Chanel-it i atribuohet një frazë që duket se përmbledh edhe filozofinë e këtij koleksioni: ‘Të gjithë romanet janë realitet i veshur si ëndërr.’

Kjo është edhe ideja që Matthieu Blazy solli në debutimin e tij. Në fund të fundit, Haute Couture mbetet një nga vendet e pakta ku ëndrrat mund të marrin formë.
– THELB,

