Gucci i Demna-s, mes elegancës dhe dëshirës për t’u dukur

4 Min Read

Koleksioni pranverë–verë 2027 është i pasur në veshje, personazhe dhe detaje. Mes pamjeve të rafinuara, Demna i lë vend edhe një luksi që e shfaq veten pa ndrojtje.

Demna e ktheu hapësirën e sfilatës në një dyqan Gucci. Mes rafteve, vitrinave dhe veshjeve të ekspozuara, modelet kalonin si njerëz që mund të kishin hyrë aty për të blerë. Skenografia e bënte të qartë idenë e The Store Show, por koleksioni të mbante të përqendruar edhe kur ia hiqje sytë dyqanit, kishte aq shumë ndryshime në prerje, stilim dhe karakter, sa dëshiroje ta ndiqje deri në pamjen e fundit.

Pjesa për burra zinte një vend të rëndësishëm. Krahas veshjeve sportive, u shfaqën kostume me silueta të ngushta, pallto dhe kombinime që sillnin ndër mend Gucci-n e viteve ’90. Edhe te veshjet për gra, ngjyrat e errëta dhe prerjet e sakta u ndërprisnin herë pas here rrugën pamjeve më të zbukuruara. Koleksioni kishte shumë detaje, por mjeshtëria e tij nuk varej vetëm prej tyre, dallohej te mënyra si ishte ndërtuar një xhaketë, si mbahej një fustan mbi trup, si ndryshonte një siluetë nga një personazh te tjetri.

Për një koleksion pranverë–verë, pamja e përgjithshme të sillte çuditërisht pranë vjeshtës dhe dimrit. Ngjyrat e errëta dhe pesha vizuale e shumë veshjeve mbeteshin në mendje më fort se pjesët e lehta të sezonit. Një nga pjesët më interesante ishte përzierja e atyre që quhen veshje preppy (zakonisht lidhen me stilin e shkollave private) me elemente më të ashpra si bluzat sportive me jakë dhe fundet me kuadrate që shoqëroheshin me xhaketa bomber, rripa të mëdhenj dhe shumë bizhuteri. Më tej vinin veshjet e frymëzuara nga kalërimi, kostumet me prerje të ngushtë dhe fustanet e mbrëmjes. Demna nuk po ndërton një grua apo një burrë të vetëm Gucci; ai po vendos pranë njëri-tjetrit njerëz që do ta vishnin markën në mënyra krejt të ndryshme.

Disa pamje kishin një elegancë të përmbajtur; të tjera luanin hapur me dëshirën për t’u vënë re. Logot, bizhuteritë e shumta, grimi i fortë dhe mënyra si modelet i interpretonin veshjet e shtynin herë pas here pamjen drejt teprimit. Por ky dukej një vendim i menduar, Demna i dha hapësirë edhe asaj mënyre të të veshurit që Gucci e njeh mirë, pa hequr dorë nga veshjet shumë më të rafinuara që shfaqeshin në të njëjtën pasarelë.

Demna e ka përshkruar Gucci-n si një luks që dëshiron të shihet. Në këtë koleksion, ai duket se ka pranuar edhe faktin që njerëzit nuk bien dakord për si duhet të duket luksi. Mund të admirosh prerjen dhe cilësinë e një veshjeje, pastaj të mos të bindë aspak mënyra si është stiluar pamja pas saj. Kjo larmi nuk krijon gjithmonë një koleksion të njëtrajtshëm, por i jep sfilatës temperament dhe e mban syrin në punë.

The Store Show tregoi një Demna që e njeh mirë fuqinë e imazhit të Gucci-t dhe di të krijojë veshje përtej tij. Koleksioni kishte cilësi, mjeshtëri dhe mjaftueshëm ide për t’u parë me vëmendje. Teprimi, në disa pamje, ishte pjesë e asaj që ai zgjodhi të tregonte për markën edhe nëse jo çdo shfaqje e luksit na duket po aq elegante.

– THELB,

Share This Article