Venezia 83 mban firmën Armani

5 Min Read

Në Lido, ditët e para të Venezia 83 kanë nisur me atë ritëm që vetëm një festival filmi mund ta krijojë. Të ftuarit mbërrijnë me varka në molin e Excelsior-it, fotografët presin përballë tyre dhe, pak minuta më vonë, të njëjtët emra shfaqen në tapetin e kuq përpara Palazzo del Cinema. Në këtë lëvizje të vazhdueshme një emër është përsëritur dukshëm gjatë dy netëve të para: Giorgio Armani.

Nuk bëhet fjalë për një dalje të vetme, por për një seri look-esh që e kanë vendosur shtëpinë italiane në qendër të vëmendjes që prej mbrëmjes së hapjes. George Clooney, i cili mori Luanin e Artë për Arritje në Karrierë, zgjodhi Giorgio Armani për ceremoninë. Në të njëjtën mbrëmje, Armani ishte zgjedhja e Jonathan Bailey, J Balvin, Carlos Sainz Jr. dhe Nicolas Maupas, ndërsa në tapetin e kuq u shfaqën gjithashtu disa prej emrave të modës së femrave me Giorgio Armani dhe Armani Privé.

Mes tyre ishte Greta Scarano, e cila prezantoi ceremoninë e hapjes me një fustan burgundy prej kadifeje nga Armani Privé, ndërsa Nina Dobrev dhe Eugenia Silva zgjodhën gjithashtu krijime të linjës së lartë të shtëpisë. Blanca Suárez gjithashtu u shfaq me një fustan të zi Giorgio Armani, ndërsa Rebecca Donaldson veshi një krijim të argjendtë të markës.

Dita e dytë solli një tjetër emër të madh: Kendall Jenner bëri debutimin e saj në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit të Venecias me një fustan Giorgio Armani. Krijimi, i dekoruar me motive florale në ngjyrë ari, ishte një look arkivor i vitit 1995 dhe e vendosi modelen në një tjetër moment të rëndësishëm të lidhjes së saj me shtëpinë italiane. Jenner është gjithashtu ambasadore globale e parfumeve Emporio Armani. Këngëtarja italiane, Levante zgjodhi gjithashtu një tjetër dimension të Armani-t, një fustan autentik të arkivit, nga koleksioni vjeshtë–dimër 1995, i rikthyer në tapetin e kuq të Venecias pas më shumë se tri dekadash.

Një nga interpretimet më elegante të Armani-t në tapetin e kuq ishte ai i Vittoria Ceretti, e cila zgjodhi një krijim Giorgio Armani Privé. Fustani, në kadife mëndafshi të zezë me një dekolte prej tyli dhe kristalet e zeza i jepnin sipërfaqes një efekt të sofistikuar, pothuajse të padukshëm në distancë, por shumë të dallueshëm nën dritat e fotografëve. Ishte një look që konfirmon se Armani e ndërton elegancën  përmes materialit, prerjes dhe detajit.

Por prania e Armani-t në Venezia 83 nuk përfundon te veshjet. Armani Beauty është për të nëntin vit sponsori zyrtar i bukurisë i Festivalit të Filmit të Venecias, duke e bërë marrëdhënien mes markës dhe festivalit më të gjerë se ajo që shohim në tapetin e kuq. Këtë vit, Armani Beauty prezanton gjithashtu një çmim të publikut për seksionin Venice Spotlight, i cili do t’i jepet filmit me vlerësimin mesatar më të lartë nga shikuesit gjatë ceremonisë së mbylljes.

Kështu, në vetëm dy ditët e para, Armani shfaqet në disa prej momenteve që përcaktojnë atmosferën e festivalit, në ceremoninë e hapjes, në tapetin e kuq, në veshjet e aktorëve dhe modeleve, por edhe në pjesën e bukurisë dhe të programit zyrtar.

Është ende herët për të thënë se cili do të jetë një nga markat më të zgjedhura në tapetin e kuq deri në fund të festivalit. Por ajo që Venezia 83 ka treguar deri tani është e qartë: Giorgio Armani ka hyrë në këtë edicion me një prani që po përsëritet nga një dalje në tjetrën.

Megjithatë, prania e Armani në Venezia 83 është mënyra se si shtëpia e modës italiane po shfaqet në forma të ndryshme, nga kostumi klasik te haute couture, nga krijimet e sotme te pjesët e arkivit. Në një festival ku imazhi është pjesë e pandashme e mënyrës se si kinemaja i hapet publikut, Armani duket se ka gjetur sërish një vend natyrshëm.

-THELB, 

 

Share This Article