Në jug të Italisë, mes maleve të Pollinos dhe jo larg bregdetit kalabrez, ndodhet Civita, një nga qendrat më të njohura arbëreshe të Italisë. Fshati është i njohur për të ashtuquajturat ‘shtëpi Kodra’, një prej simboleve më të njohura të tij. Dritaret shndërrohen në sy, oxhaku në hundë dhe porta e hyrjes në gojë, duke krijuar fytyra njerëzore të gdhendura në arkitekturë. Emri i tyre lidhet me piktorin shqiptar Ibrahim Kodra, i cili ishte ndër të parët që studioi këto forma të pazakonta antropomorfe.

Vizitori e kupton menjëherë se nuk ndodhet në një vend të zakonshëm. Rrugët mbajnë tabela në italisht dhe arbërisht, ndërsa gjuha e të parëve dëgjohet ende në jetën e përditshme. Por ndoshta një nga aspektet më interesante të Civitës është mënyra se si vazhdon të jetojë trashëgimia e saj edhe përmes veshjeve tradicionale.

Vallja, dita kur kostumi del nga kujtesa dhe rikthehet në jetë
Ashtu si gjuha dhe arkitektura, edhe kostumet tradicionale vazhdojnë të jenë pjesë e identitetit të komunitetit. Si në shumë komunitete arbëreshe të Italisë së Jugut, edhe këtu kostumi nuk shihet vetëm si pjesë e folklorit apo si objekt muzeal. Ai vazhdon të vishet gjatë festave më të rëndësishme të komunitetit dhe mbetet një nga shenjat më të dukshme të identitetit arbëresh.
Momenti më i rëndësishëm i vitit është festa e Vallje-s, që zhvillohet të martën pas Pashkëve. Në këtë ditë, vajza dhe djem të rinj veshin kostumet tradicionale arbëreshe dhe përshkojnë rrugët e fshatit mes këngëve dhe valleve që kujtojnë figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe historinë e komuniteteve shqiptare të vendosura në Itali pas pushtimeve osmane.
Për gratë e Civitës, përgatitja për Vallje-n është pothuajse një ritual. Veshja ndërtohet shtresë pas shtrese dhe çdo element ka peshën dhe domethënien e vet. Qëndisjet, ngjyrat, aksesorët dhe stolitë nuk janë thjesht zbukurime, por pjesë e një historie që përcillet nga një brez te tjetri.
Një nga momentet më domethënëse të festës është pikërisht procesi i veshjes. Në një reportazh të publikuar nga revista italiane Vanity Fair Italia, një vajzë 19-vjeçare vishet me kostumin e gjyshes së saj përpara se t’i bashkohet festimeve. Në të njëjtën dhomë ndodhet edhe një grua 70-vjeçare që për dekada ka veshur të njëjtin kostum. Dy breza të ndryshëm, të bashkuar nga i njëjti emocion dhe nga e njëjta lidhje me traditën.

Në Civita, gratë konsiderohen bartëset kryesore të kësaj trashëgimie. Janë ato që ruajnë veshjet familjare, që ua përcjellin vajzave të reja, që organizohen për festat dhe që kujdesen që traditat të mos humbasin. Po aq i rëndësishëm është edhe roli i shkollës dhe i të rinjve, të cilët vazhdojnë të mësojnë arbërishten dhe të marrin pjesë në aktivitetet kulturore të komunitetit.
Kjo është ndoshta arsyeja pse kostumet e Civitës vazhdojnë të tërheqin vëmendjen edhe sot. Jo vetëm për qëndisjet e pasura, arin, ngjyrat apo elegancën e tyre ceremoniale, por sepse mbeten pjesë e një kulture që vazhdon të jetojë.
Në Civita, shumë veshje tradicionale ato vazhdojnë të dalin në rrugë, të këndohet me to, të vallëzohet dhe të kallxojnë historinë e një komuniteti që prej më shumë se pesë shekujsh vazhdon të ruajë lidhjen me origjinën e tij shqiptare.

Një kulturë shqiptare që mbijetoi larg Shqipërisë
Arbëreshët u vendosën në Italinë e Jugut midis shekujve XV dhe XVI, duke u larguar nga trojet shqiptare pas përparimit osman në Ballkan. Pesë shekuj më vonë, Civita mbetet një nga vendet ku kjo histori vazhdon të jetë e dukshme.
Banorët flasin ende në gjuhën arbëreshe, fëmijët e mësojnë në shkollë dhe shumë të rinj, edhe pse studiojnë larg, kthehen çdo vit për festa. Për ta, pjesëmarrja në festën e Valle-s nuk është vetëm një traditë folklorike, por një mënyrë për të ruajtur lidhjen me origjinën.
Civita nuk është një vend ku tradita ekspozohet për turistët, është një vend ku ajo vazhdon të ketë funksion.

Në kishën Santa Maria Assunta vazhdon të kremtohet riti greko-bizantin. Në lagje mbijetojnë ende gjitonia-t, hapësirat tradicionale ku fqinjët mblidheshin dhe ndanin jetën e përditshme. Në restorante gatuhen ende receta arbëreshe të trashëguara ndër breza.
Në një kohë kur shumë kultura lokale po humbasin nën presionin e globalizimit, Civita ofron një shembull tjetër. Jo të një kulture të ngrirë në kohë, por të një tradite që ka ditur të transformohet pa humbur identitetin e saj.
Civita vazhdon të tërheqë vëmendjen, jo vetëm për shtëpitë që duket sikur buzëqeshin, por për mënyrën se si një komunitet arbëresh vazhdon të jetojë historinë e tij me kostume, gjuhë, festa dhe në kujtesën e përditshme të banorëve të saj.
Ky artikull është frymëzuar nga reportazhi i publikuar nga Vanity Fair Italia për komunitetin arbëresh të Civitës në Kalabri.
– THELB,

