Me afrimin e datave 10–12 prill, Albania Fashion Week publikon kalendarin zyrtar, duke konfirmuar një edicion më të strukturuar dhe me një përzgjedhje të kuruar stilistësh.
Dy ditët e para i dedikohen prezantimeve në pasarelë, me një miks emrash të rinj dhe figurash të konsoliduara, ndërsa dita e tretë përmbyllet me ‘Fashion Future Forum 2026’ dhe showroom-in e koleksioneve.
Përtej listës së emrave, ajo që bie në sy këtë sezon është larmishmëria e qasjeve krijuese. Koleksionet lëvizin nga reinterpretimi i trashëgimisë kulturore te dizajni bashkëkohor i fokusuar në formë dhe strukturë, ndërsa disa prej stilistëve vijnë me eksperiencë në skena ndërkombëtare dhe bashkëpunime me shtëpi të njohura mode si Chanel, Dior apo Valentino. Ky kombinim krijon një dialog interesant mes qasjeve lokale dhe influencave botërore të fushës, duke e bërë këtë edicion më të pasur në përmbajtje.
Në kalendar përfshihen stilistë si Armela Harizi, Bettina Alili Huseni, Fabio Porliod dhe Klarisa Vulaj në ditën e parë, ndërsa dita e dytë vijon me Etnik Shala, Aslama Galicaj, Delfina Dehari, Marina Banović, Xheksil Muça dhe Giuseppe Fata.
Pjesëmarrja shtrihet nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në Itali dhe Mal të Zi, duke reflektuar një skenë që po hapet gradualisht dhe po ndërton një profil më të qartë në raport me rajonin dhe më gjerë.
Këtë edicion, Albania Fashion Week zhvendoset në një hapësirë të re në Tiranë, një ambient me arkitekturë moderne dhe një karakter ende në zhvillim, që në mënyrë të natyrshme pasqyron vetë fazën në të cilën ndodhet moda shqiptare sot: në ndërtim, në rritje dhe në kërkim të një standardi gjithnjë e më të konsoliduar.
Në edicionin e tij të dytë, eventi po pozicionohet më qartë: si një platformë që po fiton formë, duke sjellë bashkë energji të reja dhe përvojë të konsoliduar në një moment të rëndësishëm për industrinë.
— THELB,

