Dua Lipa ka njoftuar publikimin e albumit të saj më të ri live dhe një filmi koncertal të titulluar ‘Dua Lipa – Live From Mexico’, projekt i realizuar gjatë tre koncerteve madhështore në Mexico City në kuadër të turneut ‘Radical Optimism Tour’.
Tre performancat në kryeqytetin meksikan rezultuan plotësisht ‘sold out’, ndërsa artistja vendosi t’i sjellë ato për fansat në një projekt të veçantë muzikor dhe vizual.

Albumi live përfshin performanca të disa prej hiteve më të njohura të Dua Lipës, por një nga momentet më të komentuara është dueti me Fher Olvera, vokalistin e grupit legjendar meksikan Maná. Të dy interpretuan këngën ikonike ‘Oye Mi Amor’, duke elektrizuar atmosferën në stadium.
Sipas Billboard Latin, performanca u shndërrua në ‘një karaoke gjigante’ që festonte një nga grupet më të rëndësishme të rock-ut në gjuhën spanjolle.

Filmi koncertal ka transmetuar premierën më 21 maj në kanalin zyrtar të Dua Lipës në YouTube, ndërsa albumi ‘Dua Lipa – Live From Mexico’ publikohet sot më 22 maj në të gjitha platformat streaming nga shtëpia diskografike Warner Records.
— THELB,

