Në Lido di Venezia nisi sot edicioni i 83-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Venecias. Nga 2 deri më 12 shtator, Venecia bëhet edhe një herë një nga qendrat kryesore të kinemasë ndërkombëtare, me filma në premierë botërore, regjisorë, aktorë dhe profesionistë të industrisë që për dhjetë ditë do të ndjekin një program të ndërtuar rreth kinemasë bashkëkohore.
Ceremonia e hapjes u zhvillua këtë mbrëmje në Sala Grande të Palazzo del Cinema. Një prej momenteve kryesore të saj ishte dorëzimi i Luanit të Artë për Arritje në Karrierë George Clooney-t, i cili e mori çmimin nga duart e Laura Dern-it. Pas ceremonisë u shfaq në premierë botërore filmi Ink, me regji të Danny Boyle dhe me Jack O’Connell, Guy Pearce dhe Claire Foy në role kryesore.
Por çfarë është në të vërtetë Festivali i Filmit të Venecias, dhe pse çdo shtator vëmendja e industrisë së kinemasë zhvendoset në Lido? Venecia është festivali më i vjetër i filmit në botë — nisi në 1932 dhe organizohet pa ndërprerje që nga 1935, sot si pjesë e Bienales së Venecias. Në qendër të tij është Venezia 83, seksioni i garës kryesore, ku filmat konkurrojnë për çmimet që do të shpërndahen në ceremoninë e mbylljes më 12 shtator. Çmimi më i rëndësishëm është Luani i Artë për filmin më të mirë, ndërsa juria e këtij viti drejtohet nga aktorja dhe regjisorja amerikane Maggie Gyllenhaal.

Por programi i Venecias nuk ndalet te gara kryesore. Orizzonti i kushtohet prirjeve të reja të kinemasë bashkëkohore. Ka gjithashtu seksione të tjera që sjellin perspektiva plotësuese — nga zbulimi i autorëve të rinj e filma të pavarur me apel komercial, te rikthimi dhe restaurimi i filmave klasikë dhe mbështetja e projekteve me buxhet të vogël. Programi përfshin edhe Venice Immersive, seksioni kushtuar formave të reja të rrëfimit, ku teknologjia zgjeron kufijtë e filmit për të krijuar përvoja virtuale dhe interaktive.
Filmi që hapi edicionin e 83-të, Ink, është përshtatje e veprës teatrore të dramaturgut britanik James Graham dhe zhvillohet në Londër në vitin 1969.
Gjatë dhjetë ditëve të festivalit, vëmendja do të përqendrohet te filmat në konkurrim dhe te autorët që do të garojnë për çmimet e edicionit, por edhe te programet që e bëjnë Venecian një prej pikave më të rëndësishme të kalendarit ndërkombëtar të filmit.
Për publikun, është një mundësi për të parë disa prej filmave më të rinj të kinemasë botërore përpara se ata të mbërrijnë në kinema apo në platformat e shpërndarjes. Për industrinë dhe kritikën, Venecia mbetet një prej vendeve ku nisin diskutimet që do të shoqërojnë shumë prej këtyre filmave gjatë sezonit të çmimeve, përfshirë Oscars.
-THELB,

